Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kallëzime penale ndaj 27 personave. Në mesin e të dyshuarve është edhe një e punësuar në MPB, ndaj së cilës rëndojnë dyshime për disa vepra penale që lidhen me futjen e paligjshme të kategorive në patentë-shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre.
None found
Sipas njoftimit të MPB-së, kontrollet dhe veprimet hetimore kanë zbuluar manipulime në procedurat për pajisjen me patentë-shoferë. Të dhënat në sistemin elektronik dyshohet se janë ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa janë lëshuar dokumente publike me të dhëna të rreme.
E punësuara në Njësinë e Çështjeve Administrative Shkup dyshohet se, nga 03.09.2020 deri më 24.08.2026, ka përdorur kodin zyrtar dhe autorizimet që kishte në sistemin elektronik për të ndërhyrë në kërkesat e përgatitura më herët nga punonjës të tjerë. Në raste të caktuara, ajo dyshohet se ka refuzuar kërkesat e përfunduara, ka hapur kërkesa të reja dhe në to ka shtuar kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kërkesat ligjore. Pas këtyre ndërhyrjeve, kërkesat janë miratuar dhe janë lëshuar patentë-shoferë me përmbajtje të pavërtetë.
MPB-ja bën të ditur se e njëjta person ishte larguar nga vendi i punës dhe më pas edhe nga ministria gjatë periudhës 11.02.2021–11.04.2021, pas një kallëzimi penal për vepra të kryera gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, të lidhura me keqpërdorime në procedurat për lëshimin e dokumenteve personale. Në bazë të një vendimi gjyqësor, më 15.01.2025 ajo ishte rikthyer në detyrë në Njësinë e Çështjeve Administrative Shkup.
Hetimi ka treguar se në 21 raste janë lëshuar patentë-shoferë me kategori të vendosura në kundërshtim me ligjin, ndërsa një rast ka mbetur në tentativë. Po ashtu, në tri raste kërkesat e mëparshme janë refuzuar dhe më pas janë krijuar kërkesa të reja, ku sërish janë përfshirë kategori për të cilat nuk ishin plotësuar kushtet ligjore.
Katër persona dyshohet se kanë shërbyer si ndërmjetësues. Në bashkëpunim me të punësuarën në MPB, ata kanë gjetur persona të interesuar, i kanë lidhur me zyrtaren dhe kanë koordinuar të gjithë procesin, deri në futjen dhe miratimin e paligjshëm të kategorive në sistem, si dhe në lëshimin e patentë-shoferëve.
Për të punësuarën në MPB janë ngritur dyshime për 22 vepra penale “Falsifikim i dokumentit”, sipas nenit 378 të Kodit Penal, si dhe për një vepër të tillë të mbetur në tentativë, sipas nenit 378 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Disa nga personat e tjerë të kallëzuar dyshohet se, në marrëveshje me të punësuarën, kanë marrë pjesë në procedurat e paligjshme për lëshimin e patentë-shoferëve. Ata ngarkohen me veprën “Falsifikim dokumenti” në bashkëkryerje, sipas nenit 378 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. Një person dyshohet për të njëjtën vepër në tentativë, sipas nenit 378 në lidhje me nenet 22 dhe 19 të Kodit Penal.
Personat që kanë marrë patentë-shoferë pa i plotësuar kushtet ligjore për kategoritë përkatëse fillimisht kanë paraqitur kërkesa, pas së cilës kategoritë janë futur dhe miratuar në mënyrë të kundërligjshme në sistemin elektronik. Edhe ndaj tyre ekzistojnë baza dyshimi për “Falsifikim dokumenti” në bashkëkryerje.
Gjashtë prej tyre i kanë përdorur patentë-shoferët e lëshuar në këtë mënyrë gjatë kalimit të kufirit shtetëror. Dy nga këta persona i kanë përdorur dokumentet edhe për të marrë certifikata të kompetencës profesionale për shoferë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Certifikatat janë lëshuar nga Ministria e Transportit. Për këto veprime janë ngritur dyshime për gjashtë vepra penale “Përdorimi i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”, në bazë të nenit 380 të Kodit Penal.
Në një rast, futja e paligjshme e kategorisë nuk është përmbyllur, ndaj për personat e përfshirë ekzistojnë baza dyshimi për “Falsifikim dokumenti” në tentativë dhe në bashkëkryerje.
Për shkeljet e konstatuara, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale ka informuar Ministrinë e Transportit, përkatësisht Sektorin për Transport Rrugor dhe Infrastrukturë. Kërkesa është që të kryhet mbikëqyrje e jashtëzakonshme ndaj personave juridikë që ofrojnë trajnime ose ndërmjetësojnë në pajisjen me certifikata të kompetencës profesionale, të verifikohet ligjshmëria e certifikatave të lëshuara më herët dhe të ndërmerren masat e nevojshme ligjore.
Ndaj të punësuarës në MPB do të paraqitet edhe Propozimi për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore. Deri në përfundimin e kësaj procedure, asaj do t’i shqiptohet masa e detyrueshme e largimit, përkatësisht pezullimit nga vendi i punës.
Çmimi i naftës dhe benzinës në tregun vendas arrin afër niveleve rekord të shënuara gjatë luftës në Ukrainë. Sipas një…
Në Prishtinë sot do të mbahet "Marshi për Liri" në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po…
Aktivistët e ekstremit të djathtë në Britani po përdorin taktika të reja dhe më të koordinuara në protestat kundër emigracionit,…
Një prokuror publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, një ekspert dhe ekipe inspektimi nga MPB-ja kryen një inspektim në…
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke thënë se Kosova pret kthimin e tyre…
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se partitë politike duhet të gjejnë një zgjidhje për nënkryetarët e Kuvendit,…