Laboratorët e sigurisë së lartë dhe virologët e specializuar i ka Gjermania, ndërsa në territorin e Kosovës ndodhen rriqrat Hyalomma, qarkullon virusi Krime-Kongo dhe punojnë mjekë me përvojë klinike. Ky kombinim burimesh ka bërë të mundur që numri i të prekurve nga kjo sëmundje të bjerë ndjeshëm.
Ky rriqër e dallon prenë e tij edhe në një largësi deri në 200 metra. Ndryshe nga shumë parazitë të tjerë, ai nuk rri i fshehur në bar për të pritur kalimtarët; përkundrazi, vrapon, ndjek lopët, delet ose njerëzit dhe më pas i pickon.
None found
Historikisht, Hyalomma përhapej kryesisht në Afrikë, Azi dhe në jug të Evropës. Sot, si pasojë e ndryshimeve klimatike, ai gjen kushte të favorshme edhe më në veri dhe tashmë është shfaqur në Gjermani e në disa vende të Evropës Lindore. Kosova ndërkaq prej kohësh njihet si një vatër e rëndësishme e përhapjes së tij, shkruan DW.
Rreziku kryesor qëndron te fakti se rriqri Hyalomma mbart një virus tejet patogjen, të quajtur virusi Krime-Kongo (Orthonairovirus haemorrhagiae). Ky patogjen mund të shkaktojë Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (CCHF), sëmundje që shfaq tablo klinike të ngjashme me viruset Ebola dhe Marburg. Virusi dëmton enët e gjakut dhe të limfës, duke çuar në hemorragji të brendshme dhe, në raste të rënda, në vdekje.
Bashkëpunimi gjermano-kosovar e ka zanafillën në vitin 2005. Kurtesh Sherifi, mjek veterinar që po përfundonte doktoraturën në Berlin, lexoi në një gazetë se në Kosovë njëmbëdhjetë persona ishin infektuar me ethet Krime-Kongo dhe pesë prej tyre kishin ndërruar jetë. Zoonozat — sëmundjet që kalojnë nga kafshët te njerëzit — kishin qenë gjithmonë objekt interesi për të, ndërsa virusi Krime-Kongo iu duk veçanërisht tërheqës nga ana shkencore.
Pasi u punësua në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Prishtinës, Sherifi u përball me fonde të kufizuara për kërkim. Në Kosovë, vend me rreth 1.6 milionë banorë, mungonin laboratorët e sigurisë së lartë dhe pajisjet e nevojshme për diagnostikimin e virusit Krime-Kongo.
Për këtë, ai kërkoi ndihmë nga Instituti “Bernhard Nocht” për Mjekësinë Tropikale (BNITM) në Hamburg, një qendër e pajisur me infrastrukturën dhe stafin e trajnuar për punë të tilla. Një nga specialistet atje është Petra Emmerich, virologe në BNITM dhe eksperte për diagnostikimin e viruseve të kategorisë së rrezikut 4, ku bën pjesë edhe virusi Krime-Kongo.
Emmerich shërben edhe si rezerviste në Bundeswehr (Forcat e Armatosura Gjermane), të cilat interesohen për viruse shumë patogjene që mund të përdoren si armë biologjike. Në vitin 2009 ajo u dërgua në Kosovë si virologe dhe atje u takua me Sherifin.
Kështu lindi një bashkëpunim i dendur në shkëmbimin e dijeve dhe të studiuesve. Në Kosovë filloi ngritja e një sistemi për mbikëqyrjen e përhapjes së rriqrave dhe për diagnostikimin e virusit. Në vitin 2013, kjo punë shkencore e përbashkët mori mbështetje të konsiderueshme financiare në kuadër të Programit të Biosigurisë të Ministrisë së Jashtme Gjermane.
Emmerich e përshkruan marrëdhënien si një proces shkëmbimi të dyanshëm. “Ne kemi mjetet dhe ekspertizën diagnostikuese, por nuk kemi pacientët”, thotë ajo. Për këtë arsye, nga Gjermania sillen rregullisht mjekë që ndajnë përvoja me kolegët e klinikave kosovare.
Një komponent tjetër thelbësor është ndërgjegjësimi i popullatës. Në Kosovë preken veçanërisht fermerët, të cilët infektohen jo vetëm nga pickimi i rriqrave të infektuar, por edhe kur i heqin këta parazitë me duar të pambrojtura nga lëkura e bagëtive. Nëse gjaku i infektuar i kafshës bie në kontakt me ndonjë plagë të vogël në dorë, virusi mund të transmetohet. Sipas Sherifit, ka shumë të ngjarë që një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve në Kosovë e marrin sëmundjen pikërisht në këtë mënyrë.
Sherifi dhe Emmerich vizitojnë edhe shkollat për t’u shpjeguar nxënësve rreziqet e virusit dhe masat mbrojtëse, si përdorimi i repelentëve kundër rriqrave, veshja e pantallonave të gjata dhe e këpucëve të mbyllura. Vështirësia shtohet nga fakti se për ethet Krime-Kongo nuk ekziston as vaksinë dhe as terapi specifike.
Megjithëse shumica e infeksioneve mbeten pa simptoma, rastet kur sëmundja shfaqet mund të jenë tejet të rënda. Ajo nis me shenja që ngjajnë me gripin: temperaturë, të dridhura, dhimbje muskujsh dhe koke. Në format e rënda shfaqen gjakderdhje në lëkurë, në hundë e në mishrat e dhëmbëve, hemorragji në aparatin tretës dhe dështim organesh. Pacientët duhet të shtrohen në kujdes intensiv dhe të mbahen të izoluar, pasi janë shumë ngjitës.
Përveç masave intensive që synojnë ruajtjen e funksioneve jetësore, të prekurve u jepet ilaçi antiviral Ribavirin. Megjithatë, Emmerich thekson se “Ribavirina ka shumë pak efekt te pacientët në gjendje akute”, një konstatim i mbështetur si nga studimet ashtu edhe nga rastet e trajtuara në Kosovë.
Për këtë arsye është thelbësore mbikëqyrja e vijueshme e përhapjes së rriqrave dhe e virusit, me qëllim identifikimin dhe shmangien e zonave me rrezik. Me kalimin e viteve, studiuesit kanë grumbulluar mijëra rriqra dhe kanë kryer studime të seroprevalencës, ku në mostrat e gjakut kërkohen antitrupa kundër virusit. Kjo metodë tregon nëse njerëzit ose kafshët kanë rënë në kontakt me patogjenin.
Sherifi shpjegon se kafshët shtëpiake janë veçanërisht të dobishme për këtë qëllim, pasi virusi zakonisht nuk i sëmur ato. Ndryshe nga kafshët e egra dhe njerëzit, ato lëvizin në hapësira të kufizuara. Nëse në gjakun e tyre zbulohen antitrupa, kjo është një tregues i qartë se virusi qarkullon në atë rajon.
Rezultatet flasin vetë: gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë janë regjistruar gjithsej vetëm pesë infeksione, krahasuar me 100 raste të dokumentuara në dhjetëvjeçarin e mëparshëm. Sherifi dhe Emmerich e shohin këtë si një sukses të madh të punës së tyre.
Megjithatë, ata presin që si rriqrat ashtu edhe virusi të vazhdojnë të shtrihen. Në Francë, për shembull, janë zbuluar së fundmi rriqra Hyalomma të infektuar me virusin Krime-Kongo, edhe pse deri tani nuk është raportuar asnjë rast i infektimit te njeriu.
Sipas Emmerich, gjatë 13 viteve të fundit rriqrat Hyalomma janë përhapur gjeografikisht. “Si virologe, kjo të bën të mendosh seriozisht dhe kërkon vëzhgim të kujdesshëm”, thotë ajo.
Në këtë kontekst, Sherifi e sheh si detyrë që njohuritë e fituara së bashku me studiuesit gjermanë t’i përcjellë edhe në vendet e tjera që ende kanë pak përvojë në monitorimin dhe diagnostikimin e rriqrave dhe virusit Krime-Kongo, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Këto janë rajone të reja ku rriqrat dhe virusi po zgjerojnë aktualisht praninë e tyre. /DW
Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar, ka votuar në vendlindjen e tij, në Tërnoc. Pas votimit, Kamberi ka…
Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare në Muçibabë, e cila lidh Gjilanin me Preshevën, për shkak të lëvizjes…
Shqipëria renditet në fund të Europës për numrin e të diplomuarve me doktorate në fushat e shkencës, matematikës, informatikës, inxhinierisë,…
Legjenda e Juventusit, Leonardo Bonucci, ka zbuluar se ëndrra e tij është të bëhet trajner kryesor i Juventusit ose i…
Mungesa e vitaminës D: Simptomat që shpesh neglizhohen — Klan Kosova [...]Read More...
Julian Alvarez i dhuroi Atletico Madridit fitoren dhe tifozëve një kërkimfalje, pasi shënoi golin e vetëm në triumfin 1-0 ndaj…