Një provë e thjeshtë dëshmoi se edhe pak minuta komunikim me persona të panjohur mund të ndikojnë pozitivisht te humori, vetëbesimi dhe ndjesia e lidhjes me të tjerët.
None found
Çdo ditë ndeshemi me dhjetëra njerëz që nuk i njohim, qoftë në autobus, dyqan, park, palestër apo gjatë pritjes së fëmijëve pas një aktiviteti. Megjithatë, në shumicën e rasteve kalojmë pranë tyre pa shkëmbyer asgjë më shumë se një vështrim.
A mund ta ndryshojnë gjendjen tonë emocionale vetëm disa minuta bisedë me një të panjohur dhe të na bëjnë të ndihemi më pranë njerëzve?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan ndërmori një eksperiment shtatëditor. Rregulli ishte i qartë: për shtatë ditë radhazi, ajo duhej të merrte vetë nismën për të biseduar çdo ditë me dikë që nuk e njihte.
Shumë njerëz përreth, por pak komunikim i drejtpërdrejtë
Sipas Chan, bashkëshorti i saj mund t’i çojë fëmijët në futboll dhe të kthehet në shtëpi me numrat e telefonit të personave që sapo ka takuar.
Ndërsa ajo vepron krejt ndryshe. Kur shkon për të marrë fëmijët, shpesh vendos kapelë dhe syze dielli, me shpresën se askush nuk do të përpiqet të nisë bisedë me të.
Si shkrimtare, Chan e kalon pjesën më të madhe të ditës përpara ekranit dhe komunikon kryesisht nëpërmjet mesazheve dhe email-eve. Ndërveprimet e saj ballë për ballë kufizohen kryesisht te bashkëshorti, si edhe, herë pas here, te ndonjë prind tjetër.
Kjo rutinë e shtyu të mendonte nëse gabimisht kishte krijuar bindjen se njohjet e reja kërkonin patjetër shumë energji dhe kohë. Prej kësaj pyetjeje lindi edhe eksperimenti, transmeton Telegrafi.
Dita e parë: Nga një pyetje e zakonshme te kujtimet për emigrimin
Për bisedën e parë, Chan iu drejtua kujdestarit të shkollës ku shkonin fëmijët e saj.
Ajo që nisi si një pyetje e thjeshtë, shpejt u kthye në një rrëfim mbi familjen dhe emigrimin. Kujdestari foli për mënyrën se si kishte mbërritur në Kanada, ndërsa Chan solli në kujtesë historinë e prindërve të saj, të cilët kishin emigruar disa dekada më parë.
Njeriu që ajo e kishte hasur shumë herë në mjediset e shkollës, papritur nuk ishte më thjesht një fytyrë e njohur, por dikush me një histori të plotë për të ndarë.
Në përfundim të sfidës, pikërisht ky komunikim do të mbetej mes përvojave më të bukura të eksperimentit.
Dita e dytë: Gjithçka nisi nga një pyetje e shkurtër
Një ditë më vonë, teksa priste që vajza të mbaronte kursin e ukuleles, pranë Chan zuri vend një nënë tjetër.
Ajo e hapi bisedën duke e pyetur nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar.
Kaq mjaftoi që mes tyre të lindte natyrshëm një diskutim për fëmijët, lodhjen dhe vështirësitë e prindërimit. Të dyja qeshën dhe, kur u ndanë, kishin përshtypjen se me shumë gjasa do të bisedonin sërish në takimin e ardhshëm.
Nuk ndodhi ndonjë gjë e pazakontë, por ky ishte edhe thelbi i provës: krijimi i një lidhjeje njerëzore nuk varet domosdoshmërisht nga bisedat e gjata.
Dita e tretë: Një ndërveprim i shkurtër nuk do të thotë dështim
Në këndin e lojërave, gazetarja tentoi të komunikonte me një baba që po kujdesej për vajzën e tij të vogël.
Shkëmbimi mes tyre përfundoi shpejt, pasi vëmendja e tij ishte përqendruar te fëmija dhe rrethanat nuk ishin të përshtatshme për një bisedë më të gjatë.
Megjithatë, Chan nuk e konsideroi këtë përvojë si të pasuksesshme.
Ajo po kuptonte se eksperimenti përfshinte edhe një mësim tjetër: jo të gjithë kanë mundësi ose dëshirë të flasin në një moment të caktuar, dhe kjo është plotësisht normale.
Një qen, vizita në palestër dhe disa çaste afrimiteti
Në një prej ditëve të tjera, një qen krijoi rastin për një komunikim të ngrohtë mes Chan, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar.
Në palestër, megjithatë, afrimi me të tjerët rezultoi më i vështirë. Pothuajse të gjithë mbanin kufje dhe dukej se ishin të fokusuar në ushtrime, ndaj ajo mundi të shkëmbente vetëm disa fjali me një punonjës.
Edhe kjo përvojë i tregoi diçka: disa mjedise e favorizojnë komunikimin, ndërsa të tjera janë më pak të përshtatshme për të.
Komplimenti i një të panjohure që i përmirësoi gjithë ditën
Një prej takimeve që e preku më shumë ndodhi në bibliotekë.
Chan dhe fëmijët e saj i ofruan ndihmë një gruaje të moshuar që ndodhej në karrocë. Gjesti i vogël çoi në një bisedë rreth familjes dhe nipërve.
Përpara se të ndaheshin, e moshuara i tha Chan se ishte një nënë e mirë dhe se duhej të vazhdonte atë që po bënte.
Ndonëse vinin nga një grua që nuk e kishte takuar kurrë më parë, ato pak fjalë ishin të mjaftueshme për t’ia zbukuruar të gjithë ditën.
Njohja rastësore që u kthye edhe në një këshillë të dobishme
Në ditën e fundit të eksperimentit, Chan iu drejtua një gruaje pranë sektorit të mishit në supermarket.
Gjatë bisedës mësoi se e panjohura ishte kuzhiniere profesioniste. Ajo i tregoi si të dallonte disa pjesë të mishit dhe çfarë duhej të shikonte për të zgjedhur një biftek të mirë.
Më pas, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që kishte biseduar me atë grua.
Në atë çast, gazetarja dalloi edhe një dobi tjetër të takimeve të rastësishme: personat që kalojnë pranë nesh mund të kenë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë, nëse nuk do t’u drejtonim fjalën.
Si ndikojnë te mirëqenia bisedat e shkurtra?
Në psikologji, kontakte të tilla njihen si “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare apo të miqësive, por përsëri mund të sjellin ndikim pozitiv në mirëqenien e individit.
Psikologu Harry Cohen thotë se ndërveprimet e vogla shoqërore mund të ndihmojnë në përmirësimin e humorit, në zbutjen e vetmisë dhe në forcimin e ndjenjës së përkatësisë.
Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, sipas të cilit udhëtarët që folën me një person të panjohur në autobus ose tren raportuan humor më të mirë krahasuar me ata që qëndruan vetëm.
Rezultati pas shtatë ditëve të eksperimentit
Në fund të javës, Chan nuk kishte krijuar shtatë miqësi të reja dhe as jeta e saj nuk ishte transformuar në mënyrë rrënjësore.
Ajo që kishte ndryshuar ishte këndvështrimi i saj ndaj personave që gjendeshin përreth.
Çdo ditë nisi ta priste me kureshtje takimin e radhës, duke menduar se kë mund të njihte dhe çfarë historie mund të dëgjonte.
Mes të gjitha përvojave, kujtimi më i fortë mbeti biseda me kujdestarin e shkollës, një njeri që kishte qenë prej kohësh aty, por të cilin ajo nuk kishte arritur ta njihte vërtet.
Vetëm pak minuta komunikim kishin bërë që të dy ta vazhdonin ditën duke u ndier më mirë.
Nuk është gjithmonë e nevojshme të flasësh gjatë
Këshilla e Cohen është që kontakti të nisë me hapa fare të vegjël, si një buzëqeshje, një “mirëmëngjes”, përshëndetja e një fqinji ose gatishmëria për t’i ardhur dikujt në ndihmë.
Qëllimi nuk është ta detyrojmë veten të bëhemi miq me këdo që takojmë. Ideja është të mos e shpërfillim ndikimin që mund të kenë ndërveprimet e vogla njerëzore.
Pas shtatë ditëve, Chan kuptoi se për të dalë nga zona e rehatisë nuk nevojiten medoemos veprime të mëdha.
Ndonjëherë mjaftojnë disa minuta bisedë me një të panjohur që dita të bëhet më interesante, humori të përmirësohet dhe ne të kujtojmë se i përkasim një bote shumë më të ndërlidhur nga sa mund të mendojmë.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar pas vizitës së ministrit Blendi Gonxhja në…
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit ka takuar zyrtarët e Policisë së Kosovës,…
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij kishte kërkuar një përfaqësim më…
Ky veprim i zakonshëm nuk lidhet vetëm me padurimin – ai na krijon një ndjenjë kontrolli dhe e bën pritjen…
Drita e gjelbër dhe veturat që presin mund t’ju çojnë te përgjigjja e gabuar – zgjidhja fshihet diku tjetërSituatat në…
Pas nevojës për të pasur gjithmonë një histori më të madhe, një përvojë më të fortë apo fjalën e fundit…