Një provë e thjeshtë dëshmoi se edhe pak minuta komunikim me njerëz të panjohur mund të përmirësojnë humorin, të forcojnë vetëbesimin dhe të shtojnë ndjesinë e lidhjes me të tjerët.
None found
Çdo ditë ndeshemi me dhjetëra të panjohur në autobus, park, dyqan, palestër ose teksa presim fëmijët pas aktiviteteve të tyre. Megjithatë, në shumicën e rasteve kalojmë pranë njëri-tjetrit pa shkëmbyer asgjë më shumë se një vështrim.
A mjaftojnë vetëm disa minuta bisedë që kjo rutinë të ndryshojë dhe ne të ndihemi më mirë e më pranë njerëzve? Gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan vendosi ta zbulonte përmes një eksperimenti shtatëditor: për një javë, ajo do të hapte çdo ditë vetë një bisedë me dikë që nuk e njihte.
Ndryshe nga bashkëshorti i saj, i cili mund t’i çojë fëmijët në futboll dhe të kthehet me numrat e telefonit të personave që sapo ka takuar, Chan zakonisht përpiqej ta shmangte komunikimin. Kur shkonte të merrte fëmijët, ajo vinte kapelë e syze dielli dhe shpresonte të mos i fliste askush.
Edhe natyra e punës së saj si shkrimtare e mbante për pjesën më të madhe të ditës përballë ekranit, me komunikimin të kufizuar kryesisht te mesazhet dhe email-et. Ndërveprimet ballë për ballë i kishte më së shumti me bashkëshortin dhe, herë pas here, me ndonjë prind tjetër.
Kjo mënyrë jetese e shtyu të mendonte nëse gabimisht kishte arritur në përfundimin se njohjet e reja kërkonin patjetër shumë energji dhe kohë. Pikërisht prej kësaj pyetjeje mori jetë eksperimenti, transmeton Telegrafi.
Në ditën e parë, Chan iu drejtua kujdestarit të shkollës së fëmijëve. Ajo që nisi si një pyetje e zakonshme, shpejt u kthye në një rrëfim për familjen dhe emigrimin. Kujdestari tregoi se si kishte mbërritur në Kanada, ndërsa gazetarja solli ndër mend përvojën e prindërve të saj, të emigruar dekada më parë.
Megjithëse e kishte parë shumë herë në ambientet e shkollës, ajo nuk e kishte ditur se pas atij personi qëndronte një histori e tërë. Ky komunikim u bë një nga çastet më të bukura të të gjithë provës shtatëditore.
Një ditë më vonë, teksa priste që vajza të mbaronte kursin e ukuleles, pranë Chan u ul një nënë tjetër. Gazetarja e pyeti nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar dhe kjo fjali e shkurtër hapi një bisedë të natyrshme rreth lodhjes, fëmijëve dhe vështirësive të prindërimit.
Të dyja qeshën dhe u larguan me përshtypjen se me shumë gjasë do të komunikonin sërish në takimin e ardhshëm. Asgjë e pazakontë nuk ndodhi, por ky ishte pikërisht thelbi: për t’u ndier të lidhur me dikë nuk nevojitet përherë një bashkëbisedim i gjatë.
Përvoja e ditës së tretë ishte ndryshe. Në këndin e lojërave, Chan tentoi të fliste me një baba që po kujdesej për vajzën e vogël. Ai e kishte vëmendjen te fëmija dhe koha nuk ishte e përshtatshme, ndaj komunikimi përfundoi shpejt.
Chan nuk e konsideroi këtë si një përpjekje të dështuar. Përkundrazi, kuptoi se jo të gjithë kanë mundësi ose dëshirë të bisedojnë në një moment të caktuar dhe se kjo është krejt normale.
Në një tjetër ditë, një qen krijoi rastin për një takim të këndshëm mes saj, vajzës dhe një çifti të moshuar. Ndërsa në palestër, mundësitë për komunikim rezultuan më të pakta, pasi pothuajse të gjithë mbanin kufje dhe ishin të përqendruar te ushtrimet. Aty ajo mundi të shkëmbente vetëm pak fjali me një punonjës.
Edhe ky kontrast i dha një mësim: disa vende e favorizojnë më shumë afrimin mes njerëzve, ndërsa të tjera janë më pak të përshtatshme për biseda.
Një prej momenteve që e preku më shumë ndodhi në bibliotekë. Chan dhe fëmijët i ofruan ndihmë një gruaje të moshuar në karrocë dhe ky veprim i vogël çoi në një bisedë për familjen dhe nipërit.
Para se të ndaheshin, gruaja e siguroi se ishte një nënë e mirë dhe i tha të vazhdonte atë që po bënte. Kaq mjaftoi që fjalët e një personi, të cilin Chan nuk e kishte takuar asnjëherë më parë, t’ia zbukuronin të gjithë ditën.
Në ditën e fundit, vendi i takimit ishte supermarketi. Pranë sektorit të mishit, ajo nisi të fliste me një grua, e cila rezultoi të ishte kuzhiniere profesioniste. Gruaja i tregoi si mund t’i dallonte disa pjesë të mishit dhe si të përzgjidhte një biftek të mirë.
Më pas, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që i kishte folur. Në atë çast, gazetarja dalloi edhe një dobi tjetër të këtyre takimeve: njerëzit që ndeshim rastësisht mund të zotërojnë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë nëse nuk do t’u drejtonim fjalën.
Në psikologji, kontakte të tilla njihen si “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare ose të miqësive, por sërish mund të japin një kontribut pozitiv në mirëqenien tonë.
Sipas psikologut Harry Cohen, ndërveprimet e vogla shoqërore mund të na bëjnë të ndihemi më shumë pjesë e një komuniteti, të zbusin vetminë dhe të kenë ndikim të mirë në humor.
Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, sipas të cilit personat që folën me një të panjohur gjatë një udhëtimi me tren ose autobus raportuan humor më të mirë krahasuar me ata që qëndruan vetëm.
Pas shtatë ditësh, Chan nuk kishte fituar shtatë miq të rinj dhe jeta e saj nuk ishte transformuar rrënjësisht. Ajo që kishte ndryshuar ishte këndvështrimi i saj ndaj njerëzve përreth.
Tashmë priste me kureshtje të shihte se kë do të ndeshte të nesërmen dhe çfarë historie mund të dëgjonte. Mes të gjitha përvojave, biseda me kujdestarin e shkollës i mbeti më fort në kujtesë. Ai kishte qenë aty prej kohësh, por deri atëherë ajo nuk e kishte njohur vërtet.
Vetëm pak minuta komunikim u kishin mjaftuar të dyve për ta vijuar ditën me një ndjesi më të mirë.
Cohen sugjeron që hapi i parë të jetë fare i vogël: një buzëqeshje, një përshëndetje për fqinjin, një “mirëmëngjes” ose gatishmëria për t’i ofruar dikujt ndihmë.
Synimi nuk është që çdo takim të kthehet me detyrim në miqësi. E rëndësishme është të mos shpërfillet ndikimi që mund të kenë kontaktet e shkurtra njerëzore.
Në përfundim të eksperimentit, Chan kuptoi se tejkalimi i zonës së rehatisë nuk kërkon medoemos veprime të mëdha. Ndonjëherë mjaftojnë disa minuta bisedë me një të panjohur për ta bërë ditën më interesante, për të ngritur humorin dhe për të na kujtuar se bota ku jetojmë është shumë më e ndërlidhur nga sa mendojmë.
Sipas gazetarit të AS, Jose Felix Diaz, Rodri zyrtarisht e ka informuar Real Madridin se ka vendosur t’i bashkohet Barcelonës.Mesfushori…
Tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Gjermani,…
Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit publikoi të dhënat më të reja. Pritjet më të gjata janë në Muçibabë, ku…
Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me 300 mijë lekë…
Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në autostradën që kalon në territorin e Mirditës. Sipas…
Belind Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përgatit krijimin e një strukture paralele në sistemin shëndetësor, përmes një…