Categories: lifestyle

Kur dikush sillet sikur di gjithçka dhe e përqendron çdo bisedë te vetja: çfarë mund të fshihet pas kësaj

Nevoja për ta pasur gjithmonë historinë më mbresëlënëse, përvojën më të fortë ose fjalën përmbyllëse mund të burojnë nga diçka që nuk dallohet menjëherë.

Të lidhura

None found

Ju flisni për një ditë të vështirë, por dita e tij ka qenë edhe më e rëndë. Tregoni për një udhëtim dhe ai ju thotë se ka shkuar më parë atje. Sapo hapni tema si sëmundja, puna apo dashuria, ai përgjigjet menjëherë me një përvojë personale, një këshillë dhe një përfundim të prerë.

Thuajse secili prej nesh njeh të paktën një njeri të tillë. Çdo gjë që ndani me të, ai pretendon se e ka parë, përjetuar ose kuptuar shumë kohë më parë. Kur ju jeni të lodhur, ai ka qenë më i rraskapitur; kur arrini diçka të mirë, arritja e tij ka qenë më e madhe; ndërsa kur keni një problem, ai e di saktësisht zgjidhjen, edhe pse nuk i keni kërkuar mendim.

Komunikimi me një person të tillë bëhet shpejt rraskapitës, pasi biseda pushon së qeni një shkëmbim i mirëfilltë. Ai nuk e dëgjon realisht atë që thoni, por e merr rrëfimin tuaj si shkas për ta zhvendosur sërish vëmendjen te vetja.

Psikologjia e përshkruan këtë model si një prirje për ta drejtuar komunikimin kah vetja. Gjithsesi, fakti që dikush flet shpesh për veten nuk nënkupton automatikisht se ka çrregullim narcistik të personalitetit.

Kur shprehja “edhe mua më ka ndodhur” nuk krijon afërsi

Është krejt e natyrshme që, kur dëgjojmë dikë të rrëfejë një përvojë të bukur ose të dhimbshme, të na vijë ndër mend një ngjarje e ngjashme nga jeta jonë. Duke e treguar atë, zakonisht përpiqemi të përcjellim mesazhin: “Të kuptoj, nuk je vetëm.”

Ajo që e bën ndryshimin është mënyra se si vazhdon biseda.

Dikush që kërkon të krijojë një lidhje të sinqertë do ta ndajë shkurtimisht përvojën personale dhe më pas do ta rikthejë fokusin te tjetri.

“Edhe mua më ka ndodhur diçka e ngjashme. Po ti, si ndihesh tani?”

Në të kundërt, personi që kërkon ta përvetësojë bisedën nuk i rikthehet më rrëfimit tuaj. Ai nis të flasë gjatë për veten, i vë përvojat përballë njëra-tjetrës dhe shpesh e zvogëlon rëndësinë e asaj që sapo keni ndarë. Në fund nuk ndiheni të dëgjuar, por sikur keni shërbyer vetëm si publik, transmeton Telegrafi.

Përse disa njerëz ndiejnë nevojën të dinë gjithçka?

Arsyet që qëndrojnë pas kësaj mënyre sjelljeje nuk janë gjithmonë të njëjta. Ka persona që thjesht nuk kanë mësuar si të dëgjojnë dhe mendojnë se të jesh bashkëbisedues i mirë do të thotë të përgjigjesh menjëherë me historinë ose këshillën tënde.

Disa të tjerë nuk e durojnë lehtë heshtjen, ndaj mundohen ta mbushin atë duke folur për veten.

Megjithatë, te një pjesë e njerëzve ekziston një dëshirë e fuqishme për t’u paraqitur si të aftë, me përvojë dhe me rëndësi. Nëse pranojnë se nuk dinë diçka, se nuk e kanë përjetuar ose se nuk kanë një përgjigje, mund të ndihen më pak të vlefshëm.

Për këtë arsye, ata shpesh shfaqin disa prej këtyre sjelljeve:

• shprehen me siguri të madhe edhe kur nuk zotërojnë njohuri të mjaftueshme;

• e pranojnë me vështirësi kur dikush i korrigjon;

• ofrojnë këshilla pa ua kërkuar askush;

• ua presin fjalën të tjerëve që të tregojnë përvojën e tyre;

• e kthejnë çdo temë në një garë krahasimesh;

• arritjen e një personi tjetër mund ta shohin si kërcënim ndaj vlerës së tyre.

Hulumtimet për tiparet narcistike tregojnë se kërkesa e fortë për njohje dhe status mund të paraqitet në forma të ndryshme të narcizmit. Disa e demonstrojnë hapur bindjen se qëndrojnë mbi të tjerët, kurse disa të tjerë kërkojnë pa pushim miratim, sepse në thelb ndihen të pasigurt.

A mund të jetë pasiguria ajo që fshihet pas mendjemadhësisë?

Shprehjet “mendjemadhësi” ose “sedër e tepruar” përdoren shpesh për të përshkruar persona tepër të ndjeshëm ndaj kritikave, të etur për miratim dhe që e përballojnë me vështirësi faktin se dikush tjetër di ose arrin më shumë.

Në raste të caktuara, burimi i një sjelljeje të tillë është pikërisht pasiguria.

Kur vlerësimi për veten mbështetet së tepërmi te admirimi dhe aprovimi i të tjerëve, një kundërshtim mund të përjetohet si poshtërim, ndërsa njohuritë e një personi tjetër mund të shihen si rrezik.

Kjo e shtyn personin të përpiqet të dëshmojë se “e ka ditur gjithmonë”, se “e ka parë më herët” ose se “ka kaluar diçka edhe më të rëndë”.

Vetëbesimi që shfaqet nga jashtë nuk dëshmon medoemos për një siguri të qëndrueshme të brendshme. Ndonjëherë ai shërben si mekanizëm mbrojtës për të.

Psikologët bëjnë dallim mes tipareve narcistike grandioze dhe atyre vulnerabile. Tipi grandioz e shpreh hapur ndjesinë e rëndësisë së vet dhe kërkon admirim. Ndërkaq, tipi vulnerabil mund të paraqitet më i pasigurt, por mbetet jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj kritikës dhe mënyrës se si e vlerësojnë të tjerët.

Sidoqoftë, nuk do të ishte e drejtë që çdo njeri llafazan, mendjemadh ose i lodhshëm të etiketohej si narcist. Vetëm një profesionist mund ta diagnostikojë çrregullimin narcistik të personalitetit, i cili kërkon praninë e një modeli sjelljeje të vazhdueshëm dhe të përhapur, jo thjesht një ves të bezdisshëm gjatë bisedave.

Përse biseda të tilla na shterojnë kaq shumë?

Në një komunikim të mirë, vëmendja lëviz mes të dy personave. Fillimisht njëri flet, ndërsa tjetri dëgjon, shtron pyetje dhe përpiqet ta kuptojë; më pas ata i ndërrojnë rolet.

Kur fokusi mbetet pa ndërprerje vetëm te njëri person, tjetri nis të ndihet sikur nuk ekziston.

të fundit

Rodri refuzoi Real Madridin dhe zgjodhi Barcelonën, zbardhen tri arsyet e vendimit

Sipas gazetarit të AS, Jose Felix Diaz, Rodri zyrtarisht e ka informuar Real Madridin se ka vendosur t’i bashkohet Barcelonës.Mesfushori…

2 minutes ago

Fatal Accident in Germany Claims the Lives of Three Expatriates Returning from Kosovo

Tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Gjermani,…

11 minutes ago

Muçibaba Continues to Have the Longest Wait Times at Border Crossings

Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit publikoi të dhënat më të reja. Pritjet më të gjata janë në Muçibabë, ku…

12 minutes ago

Jet Ski Operator Fined 300,000 Lek for Entering Swimmers’ Area in Zvërnec

Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me 300 mijë lekë…

13 minutes ago

Tragedy on the Nation’s Road: 38-Year-Old from Kosovo Dies in Accident

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në autostradën që kalon në territorin e Mirditës. Sipas…

13 minutes ago

A Parallel Health Ministry Is Being Set Up”/ Këlliçi: September Bill Paves the Way for a Monopoly, SPAK Must Intervene

Belind Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përgatit krijimin e një strukture paralele në sistemin shëndetësor, përmes një…

14 minutes ago