Categories: lifestyle

Gen Z mes aftësive dhe vetëbesimit: Potencial i jashtëzakonshëm apo perceptim për veten?

Shkruan: Lularta Buja

Për brezin e lindur në vitet 1997 – 2012, të njohur si Gjenerata Z apo Gen Z, rritja është zhvilluar në rrethana mjaft të ndryshme nga ato të paraardhësve. Teknologjia, informacioni i arritshëm në çast, platformat sociale dhe hapësirat për zhvillim individual kanë riformësuar të mësuarit, komunikimin dhe ndërtimin e identitetit të të rinjve.

Të lidhura

None found

Brenda këtij realiteti, Lindita Zeka, 25-vjeçe, e rendit ndër cilësitë e saj kryesore aftësinë për të kërkuar më shumë sesa shpjegimet sipërfaqësore dhe përgjigjet e gatshme. Ajo thotë se, si pjesëtare e Gen Z, synon t’i shqyrtojë çështjet në thellësi, duke u ndalur te shkaqet, pasojat dhe mënyrat e ndryshme të të parit të tyre.

Zeka, megjithatë, nuk e barazon potencialin me suksesin e sigurt. Edhe ajo e ka ndier se mund të bëjë më shumë nga sa dëshmojnë arritjet e saj deri në një çast të caktuar, por vlerëson se kjo nuk duhet të ushqejë idenë se rezultatet na përkasin pa punë e përpjekje. Në prononcimin për klankosova.tv, ajo theksoi se ambicia merr kuptim vetëm nëse mbështetet nga përkushtimi.

Ndërmjet trashëgimisë familjare dhe botës digjitale

Antropologia dhe profesoresha universitare Zanita Halimi e shpjegon veçantinë e këtij brezi përmes takimit të dy përvojave: historisë së trashëguar nga prindërit dhe mjedisit të ri shoqëror e digjital ku është formuar. Këtë vlerësim ajo e dha për klankosova.tv.

Duke folur për Kosovën, Halimi sqaroi se një pjesë e këtyre të rinjve kanë lindur në vitet e rezistencës, gjatë luftës apo menjëherë pas saj dhe kanë përjetuar edhe pavarësimin e vendit. Sipas saj, rritja pranë prindërve që kanë kaluar rezistencën dhe transformime të mëdha shoqërore ka bërë që kujtesa historike dhe vlerat e transmetuara nga një gjeneratë te tjetra të ndikojnë në formimin e tyre.

Në vështrimin e Halimit, Gen Z në Kosovë dallohet për ndërgjegjësimin e lartë shoqëror. Ajo vëren te ky brez ndjeshmëri më të theksuar ndaj padrejtësive, si dhe interes për barazinë, të drejtat e njeriut, identitetin dhe ndryshimet në shoqëri.

Më shumë alternativa, por edhe më shumë vështirësi për t’u përqendruar

Psikologia Lule Alidema tha për klankosova.tv se, krahasuar me brezat e mëparshëm, të rinjtë sot kanë përpara shumë më tepër mundësi. Sipas saj, megjithatë, bollëku i alternativave mund të shndërrohet edhe në pengesë.

Alidema shpjegoi se më herët, kur mundësitë ishin më të pakta, ishte më e lehtë të arrije të dominoje në një fushë. Sot, ndërkaq, alternativat e shumta i shtyjnë të rinjtë të angazhohen në disa aktivitete njëkohësisht. Kjo shpërndarje mund të ulë produktivitetin dhe përqendrimin në një synim që ndoshta ka më shumë rëndësi se një mundësi tjetër, duke cenuar edhe vetëbesimin.

Dallime në mënyrën si të rinjtë e vlerësojnë ecurinë e tyre shfaq edhe studimi i vitit 2026, i kryer nga “Walton Family Foundation” në bashkëpunim me “Gallup”. Ndër nxënësit e Gjeneratës Z, 55 për qind mendojnë se po ecin mirë në jetë; mes pjesëtarëve të këtij brezi që kanë arritur moshën madhore, shifra zbret në 38 për qind.

Përgatitja për punësim është në qendër të një tjetër hulumtimi të vitit 2026, të Shoqatës Kombëtare të Kolegjeve dhe Punëdhënësve (NACE) të ShBA-së. Analiza mbështetet në të dhënat e më shumë se 17 mijë studentëve universitarë në Amerikë dhe trajton kompetencat e nevojshme për tregun e punës.

Nga ky hulumtim rezulton se studentët ndihen më të sigurt kur duhet të dallojnë anët e tyre të forta dhe dobësitë. Besimi është më i ulët kur bëhet fjalë për të gjetur e siguruar mundësi konkrete të zhvillimit profesional ose për të krijuar rrjete profesionale.

Alidema e lidh vështirësinë për të hartuar plane afatgjata edhe me ritmin e shpejtë të zhvillimeve. Ajo vlerëson se këto ndryshime prekin botëkuptimin e të rinjve, motivimin, pritshmëritë dhe edukimin e tyre. Sipas psikologes, koha e sotme nuk u lë hapësirë planifikimeve afatgjata dhe brezi i ri detyrohet t’i përshtatet kësaj dinamike.

Pritshmëritë përballë ritmit të mundësive reale

Për Lindita Zekën, Gen Z zotëron potencial të konsiderueshëm dhe di të përshtatet me ndryshimet e kohës. Megjithatë, ajo nënvizon se ajo që pret ky brez nuk përparon gjithmonë me të njëjtën shpejtësi si mundësitë që i ofrohen në të vërtetë.

Zeka e shpjegon këtë hendek me dëshirën për t’i parë rezultatet shpejt, ndërkohë që bota kërkon durim, përvojë dhe përkushtim. Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, pritshmëritë e të rinjve ndonjëherë i paraprijnë realitetit.

Aftësia e kësaj gjenerate për të vepruar po bëhet e dukshme edhe në angazhimin shoqëror, jo vetëm në synimet personale. Gjatë javëve dhe muajve të fundit, pjesëtarë të Gen Z kanë protestuar në Shqipëri, Francë, Gjermani, Itali, në vende të tjera të Evropës dhe përtej saj, kundër korrupsionit, mungesës së perspektivës, kostove të jetesës dhe problemeve në arsim.

Në Serbi, një lëvizje e tillë solli madje ndryshim të pushtetit. Këto mobilizime tregojnë se Gen Z nuk mjaftohet me diskutimin për të ardhmen që mendon se meriton, por del edhe për të kërkuar ndryshimin e saj.

të fundit

Caprile shkëlqen me notën 10 te Cagliari, mbetet një mundësi për portën kuqezi

Cagliari mposhti minimalisht Frosinonen, ndeshje kjo e vlefshme për llogari të javës së 11-të të Serie A [...]Read More...

1 minute ago

Tre gola të anuluar në tri përballje, Llapi i kërkon FFK-së sqarime për arbitrimin

Llapi ka reaguar zyrtarisht ndaj vendimeve të gjyqtarëve në tri ndeshjet e fundit, duke shprehur pakënaqësinë për anulimin e tre…

2 minutes ago

Lushaku: Kosova duhet të angazhohet për garantimin e një gjykimi të drejtë në Hagë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë obligim të bëjnë gjithçka…

3 minutes ago

Bayern Munich fiton 2-1 në fushën e Mainzit dhe mban vendin e parë në Bundesligë

Bayern Munich ka marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim te Mainz, duke triumfuar me rezultat 2-1 në kuadër të…

8 minutes ago

SPAK regjistron procedim penal pas kallëzimit për “The Albanian Files”, në fokus resortet në zonat e mbrojtura

SPAK ka regjistruar një hetim penal pas kallëzimit të depozituar më 12 gusht 2025 nga një grup ekspertësh dhe protestuesish.…

9 minutes ago

Tension në protestën para Kryeministrisë, hidhen fishekzjarrë dhe policia përdor autobotet me ujë

Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë. Ndërsa autobotet të tjerë ujëhedhës, po vendosën pranë protestuesve për t’i larguar.…

12 minutes ago