Categories: kosovë

Zvonko Veselinoviq udhëton drejt Stambollit pas largimit nga Serbia

Zvonko Veselinoviq, biznesmeni kontrovers nga veriu i Kosovës, është larguar nga Serbia dhe ka mbërritur në Stamboll. Sipas raportimit të portalit hulumtues KRIK, ai udhëtoi mëngjesin e sotëm nga Sarajeva drejt Turqisë, duke përdorur pasaportën serbe.

Lëvizja e tij ndodh në një periudhë kur në Serbi kanë nisur arrestime të shumta të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me strukturat e ish-pushtetit, pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvilluara më 25 tetor.

Të lidhura

None found

Lidhjet politike dhe komunikimet në SKY

Veselinoviqi është përmendur ndër vite në raporte të shërbimeve të sigurisë, në dokumente ndërkombëtare për sanksione dhe në hetime gazetareske që kanë trajtuar ndërthurjen e krimit të organizuar, politikës dhe kontratave shtetërore.

Një hulumtim i KRIK-ut, i mbështetur në komunikime të shkëmbyera përmes aplikacionit SKY, përshkruan ndikimin që Veselinoviqi dyshohet se kishte në qarqet politike dhe të sigurisë në Serbi. Në këto materiale pasqyrohet edhe mënyra se si kompanitë e lidhura me të siguronin kontrata me vlerë të lartë nga shteti.

Në komunikimet e publikuara përmendet gjithashtu afërsia e tij me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas mesazheve, Veselinoviqi mund të ndikonte edhe në emërimet brenda policisë. Në vitin 2020, ai raportohet se kundërshtoi emërimin e Veselin Miliqit, i cili në atë kohë drejtonte Drejtorinë e Policisë Kriminale, në postin e drejtorit të Policisë.

Mesazhet pretendojnë se, përmes Andrej Vuçiqit, Veselinoviqi kishte bërë të ditur se nuk do ta mbështeste më Partinë Përparimtare Serbe në rast se Miliqi do të emërohej në atë detyrë.

Miliqi po përballet me gjykim për mosraportimin e një vrasjeje të ndodhur në restorantin “27”, në lagjen Senjak të Beogradit.

Komunikimet e SKY-t flasin edhe për aktivitetet ekonomike të Veselinoviqit. Kompania e tij e ndërtimit, Inkop, është përfshirë në projekte të rëndësishme infrastrukturore në Serbi, ndërsa vlera e kontratave të lidhura me këto kompani arrinte në miliona euro.

“Vëlla, a e di sa miliona po merr. E prapë i duken pak”, thuhet në një prej mesazheve të dërguara nga një anëtar i një grupi kriminal rival, në lidhje me Veselinoviqin.

Sanksionet nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe

Departamenti Amerikan i Thesarit e përfshiu Veselinoviqin në listën e personave të sanksionuar në dhjetor të vitit 2021. Autoritetet amerikane e përshkruan atë si drejtues të një grupi të organizuar kriminal, të dyshuar për korrupsion dhe veprimtari të paligjshme mes Serbisë dhe Kosovës.

Sipas vlerësimit të SHBA-së, grupi mbështetej në lidhje me politikanë dhe zyrtarë të caktuar të sigurisë dhe ishte i përfshirë në kontrabandën e mallrave, parave, drogës dhe armëve.

Në dhjetor të vitit 2022, masa ndëshkuese ndaj Veselinoviqit ndërmori edhe Britania e Madhe. Londra deklaroi se ai kishte përfituar nga korrupsioni përmes dhënies në mënyrë të parregullt të kontratave publike për kompanitë e tij.

Megjithatë, edhe pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare, kompanitë e lidhura me të vijuan të përfshiheshin në projekte infrastrukturore në Serbi, siç kishte raportuar më herët Radio Evropa e Lirë.

Përmendja në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Veselinoviqi është përmendur edhe në lidhje me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ky i fundit u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicën e Veriut.

Prokuroria e Kosovës e kishte vendosur Veselinoviqin dhe kumbarin e tij, Milan Radoiçiqin, në kontekstin e një grupi kriminal që dyshohej se kishte organizuar vrasjen.

Megjithatë, ndaj Veselinoviqit nuk është ngritur aktakuzë për këtë çështje. Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se emri i tij, si edhe ai i Radoiçiqit, ishte përmendur në pretendimet e Prokurorisë, por ndaj tyre nuk ishte hapur procedurë përmes një aktakuze.

Stambolli dhe klanet kriminale ballkanike

Largimi i Veselinoviqit drejt Stambollit shihet si një zhvillim që mund të ketë lidhje me faktin se Turqia është përdorur më parë si strehë nga disa pjesëtarë të klaneve kriminale të Ballkanit. Për një periudhë në këtë shtet ishte fshehur edhe Jovan Vukotiq, një prej drejtuesve të klanit Shkaljari, i cili u vra në Stamboll në vitin 2022.

Deri tani, megjithatë, nuk ka të dhëna publike që sqarojnë arsyen e udhëtimit të Veselinoviqit drejt Stambollit. Po ashtu, nuk është konfirmuar nëse largimi i tij lidhet me arratisjen nga ndonjë procedurë të mundshme të autoriteteve kompetente.

të fundit

Votat për Sara Milën në këmbim të ndihmës ekonomike? Dosja zbulon si u përjashtuan 55 familjet pas sigurimit të mandatit

Ndihma ekonomike në Elbasan dyshohet se është përdorur për të siguruar vota në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Sipas…

6 minutes ago

Leeds: 18-vjeçarja akuzohet se i zuri pritë 16-vjeçares dhe e goditi pesë herë me thikë; i dashuri dyshohet se organizoi përballjen

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Leeds në Angli, ku një vajzë 16-vjeçare është vrarë me thikë nga…

6 minutes ago

Reforma zgjedhore/ Oerd Bylykbashi: PS po përpiqet të diktojë njëanshëm axhendën; PD ka gati paketën me standardet e BE-së

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore nga radhët e PD-së, Oerd Bylykbashi, ka folur për reformën zgjedhore në një intervistë…

8 minutes ago

Rexhepi për provimin e jurisprudencës: Shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve, jo të jetë pronë e Qeverisë së Mickoskit

Zgjidhja gjysmake maqedonisht dhe shqip për provimin e jurisprudencës, nuk është e pranueshme për studentët që tashmë e disa muaj…

11 minutes ago

Policia Financiare kallëzon dy persona dhe një kompani në falimentim për shmangie tatimore prej 378 mijë eurosh

Tërhoqën para nga llogaria e kompanisë, dhanë miliona euro hua pa i evidentuar në dokumentacionin tatimor dhe fshehën detyrime prej…

11 minutes ago

Vetëm Lautaro Martinez dhe Nico Paz në garë për numrin 10 të Messit te Argjentina

Kombëtarja e Argjentinës duket se ka ngushtuar në vetëm dy emra listën e kandidatëve për të trashëguar fanellën legjendare me…

12 minutes ago