Categories: kosovë

Zeqiraj: Përpjekja për rrëzimin e Abdixhikut dhe bllokimin e bashkëpunimit me LVV-në dështoi

Kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i zhvilluar gjatë javës së kaluar, i dha Lumir Abdixhikut mbështetjen për të vijuar drejtimin e partisë edhe për një mandat të ri. Me këtë votim u rrëzua iniciativa për shkarkimin e tij dhe u konfirmua besimi i shumicës së delegatëve në udhëheqjen aktuale.

Të lidhura

None found

Opinionisti Idriz Zeqriaj, në një deklaratë për “Bota sot”, tha se LDK-ja ishte përfshirë në një krizë të rëndë të brendshme. Sipas tij, një grup i përkrahur nga PDK-ja kishte synuar largimin e Abdixhikut nga posti i kryetarit dhe pengimin e një koalicioni të mundshëm me LVV-në.

Zeqriaj deklaroi se Isa Mustafa kishte mobilizuar përkrahjen për thirrjen e Kuvendit, ndërsa Lumir Abdixhiku kishte zgjedhur të përballej drejtpërdrejt me vullnetin e delegatëve. Ai u kishte kërkuar atyre që vendimin ta merrnin në bazë të ndërgjegjes dhe interesit të LDK-së.

Sipas tij, deri më 30 korrik, situata në LDK ishte më e rënda në një periudhë prej një dekade e gjysmë. Zeqriaj pretendon se një grup të pakënaqurish brenda hierarkisë partiake, i porositur dhe i mbështetur nga PAN-i, veçanërisht nga PDK-ja, tentoi të organizonte një puç kundër Abdixhikut dhe lidershipit të tij.

Ai tha se synimi i këtij grupi ishte kundërshtimi i një koalicioni LDK-LVV dhe vazhdimi i bashkëpunimit politik me opozitën PAN-iste, kryesisht me PDK-në. Sipas Zeqriajt, veprimtaria e tyre u zhvillua në mënyrë të fshehtë, ndërsa qëllimi ishte amnistimi i krimit dhe i personave të përfshirë në të, si dhe rehabilitimi i atyre që, sipas tij, kanë dëmtuar LDK-në dhe Kosovën.

Zeqriaj pretendoi se grupi që ai e cilëson si “mafioz” dhe puçist, me Isa Mustafën në rolin e drejtuesit, kishte punuar për një kohë të gjatë me delegatët e Këshillit të Përgjithshëm. Ai tha se delegatëve u ishin marrë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit që do të kërkonte shkarkimin e kryetarit.

Në anën tjetër, sipas tij, Abdixhiku e pranoi përballjen në kutinë e votimit pa bërë përgatitje paraprake dhe pa siguruar nënshkrime delegatësh. Mesazhi i tij ndaj delegatëve ishte që të votonin lirshëm, në përputhje me ndërgjegjen dhe vullnetin e tyre, duke vendosur në plan të parë interesin e LDK-së dhe të Kosovës.

Zeqriaj e vlerësoi si të saktë, të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë ekspozenë e Abdixhikut për arsyet e mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm. Ai tha se kryetari kishte qenë edhe kritik ndaj disa bashkëpunëtorëve të dikurshëm, të cilët më parë e kishin përzgjedhur dhe votuar në Kuvendin e 10-të.

Sipas opinionistit, projekti për të ndaluar bisedimet e nisura mes LDK-së dhe LVV-së, si dhe për të penguar bashkimin dhe profilizimin e së djathtës në Kosovë, nuk arriti qëllimin. Kuvendi i thirrur për shkarkimin e Abdixhikut, në vend që ta largonte, e rikonfirmoi Dr. Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit të LDK-së.

Ai theksoi se Kuvendi miratoi që çështjet e partisë të trajtohen brenda strukturave të saj dhe të mos shndërrohen në temë diskutimesh në “çarshi”. Po ashtu, vendimet e organeve drejtuese u shpallën të detyrueshme për të gjithë anëtarët e LDK-së.

Zeqriaj shtoi se askush nuk mund të flasë në emër të partisë pa autorizim nga lidershipi i LDK-së. Sipas tij, palët që deri atëherë kishin qenë në kundërshti i pranuan vendimet e Kuvendit dhe u zotuan për bashkim në interes të partisë dhe të Kosovës.

Ai i përshkroi reagimet e grupit të pakënaqur si tendencioze dhe shpifëse ndaj kryetarit dhe drejtuesve të LDK-së. Zeqriaj tha gjithashtu se kërkesa për mbajtjen e Kuvendit nuk kishte ardhur nga baza e partisë, por ishte nxitur nga figura të caktuara brenda saj, me mbështetjen e disa mediave.

Opinionisti deklaroi se pretendimi se iniciativa për Kuvendin e shkarkimit vinte nga baza ishte i pavërtetë. Sipas tij, kjo narrativë u nis fillimisht nga dy anëtarë të Kryesisë, të cilët i cilësoi si pjesë e një klani të hershëm dhe besnikë të ish-kryetarit Isa Mustafa.

Zeqriaj tha se më pas kritikave iu bashkuan disa kryetarë komunash dhe disa deputetë, të cilët, sipas tij, kishin përfituar ndër vite nga LDK-ja përmes posteve partiake dhe qeveritare. Ai pretendoi se këtyre zërave mediat e dominuara nga PAN-i, kryesisht nga PDK-ja, u dhanë hapësirë të madhe dhe u bënë edhe fushatë gjatë zgjedhjeve për deputetë.

Sipas tij, Abdixhiku u përball me një fushatë të ashpër dhe të pazakontë brenda partisë. Ai tha se kryetari kishte kërkuar disa herë mbledhjen e Kryesisë, por këto përpjekje ishin bojkotuar nga kundërshtarët e tij. Zeqriaj shtoi se disa prej tyre, me urdhër të Isa Mustafës, kishin dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së për ta përshkallëzuar krizën.

Pavarësisht përplasjeve dhe kritikave, Zeqriaj vlerësoi se LDK-ja do të vazhdojë të jetë një ndër shtyllat kryesore të politikës në Kosovë. Ai tha se Abdixhiku, i papërgatitur për valën e akuzave që i konsideroi të pabazuara, ishte përgjigjur me kundërakuza të forta, ndonjëherë përtej standardit të pritshëm për një kryetar.

Ai kritikoi edhe disa analistë, të cilët, sipas tij, iu bashkuan një fushate të qëllimshme për rrënimin dhe shuarjen e LDK-së. Megjithatë, Zeqriaj theksoi se një skenar i tillë nuk do të realizohet, pasi LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet “shtyllë kurrizore” e skenës politike kosovare, nga e cila, sipas tij, ka marrë mësime edhe rajoni ballkanik.

Zeqriaj e cilësoi si të drejtë vendimin për vazhdimin e mandatit të Abdixhikut deri në zgjedhjet e rregullta. Ai nënvizoi se partia disponon kuadro intelektuale dhe profesionale që mund të marrin përgjegjësi drejtuese në të ardhmen.

Ai tha se Kuvendi i jashtëzakonshëm, të cilin e përshkroi si të imponuar nga një grup i shantazhuar nga PDK-ja, dha vendimin e duhur dhe të shumëpritur nga LDK-ja dhe shqiptarët. Në këtë kuadër, Abdixhiku u konfirmua në detyrë deri në zgjedhjet e rregullta, të cilat priten të mbahen vitin e ardhshëm.

Sipas Zeqirajt, LDK-ja, si një “shtëpi akademike”, ka njerëz të përgatitur, intelektualë dhe profesionistë, të aftë për të marrë drejtimin e partisë së Presidentit Rugova.

Në fund të prononcimit, ai tha se forcimi i LDK-së duhet të mbështetet te figura me integritet, përgatitje profesionale, përvojë dhe kontribut të dëshmuar. Në këtë grup ai përmendi Vjosë Osmanin, Ukë Rugovën, si dhe ushtarakët Anton Quni e Fadil Hadergjonaj.

Zeqriaj e vlerësoi Vjosë Osmanin si një personalitet me përgatitje të lartë intelektuale dhe integritet të plotë, të dëshmuar në përballje të shumta gjatë më shumë se një dekade. Sipas tij, vendimi i saj për të sfiduar dhe larguar nga kreu i LDK-së Isa Mustafën, të cilin e cilësoi si të katapultuar nga PDK-ja, ishte një akt guximi qytetar dhe intelektual, pavarësisht pasojave.

Ai tha se synimi i Osmanit për ta larguar PAN-in nga pushteti dhe për t’i dhënë fund qeverisjes së tij, sipas Zeqirajt të lidhur me krime, e bëri të arsyeshëm bashkëpunimin me LVV-në. Vazhdimi i sundimit të PAN-it, deklaroi ai, do të ishte një provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që jetojnë.

Rikthimin e Vjosë Osmanit në LDK, Zeqriaj e cilësoi të drejtë dhe të përshtatshëm për kohën. Si dëshmi të kësaj mbështetjeje, ai përmendi faktin se nga 141 votues të LDK-së, më shumë se 93 mijë prej tyre e votuan Vjosë Osmanin.

Sipas tij, kjo mbështetje erdhi pavarësisht një fushate denigruese dhe shpifëse, të cilën e konsideroi të koordinuar nga pozita dhe opozita. Zeqriaj e quajti sulmin ndaj presidentes Vjosë Osmani një akt të paturpshëm dhe tha se Kosovës do t’i duheshin të paktën dy dekada për të përgatitur një figurë të dytë si ajo.

Sa i përket Ukë Rugovës, ai tha se djali i Ibrahim Rugovës ishte bërë “kurban” i të atit. Sipas Zeqirajt, PAN-i, pasi nuk kishte mundur ta largonte Ibrahim Rugovën nga “Panteoni i Lavdisë” sa ishte gjallë, kishte tentuar ta godiste atë pas vdekjes përmes fëmijëve të tij.

Zeqriaj pretendoi se akuza ndaj Ukë Rugovës ishte tërësisht e sajuar. Ai tha se drejtuesit e PAN-it kishin ndërmarrë veprime për të dëmtuar fëmijët e Ibrahim Rugovës, me synim goditjen e figurës së vetë Presidentit Rugova. Sipas tij, në këtë kuadër, ishin dhënë edhe dy poste zëvendëskryeministri, ndonëse personat përkatës nuk kishin as Kryesi partie dhe as anëtarësi.

Ai shtoi se, edhe pse zyrtarët e Ambasadës italiane u liruan nga akuzat nga Gjykata italiane në lidhje me “Procesin vizat”, Ukë Rugova vazhdoi të mbetej i përfshirë në proceset e drejtësisë kosovare. Sipas tij, më pas në këtë çështje u përfshi edhe motra e Ukës, Teutë Rugova.

Zeqriaj tha se Teuta Rugova ishte veçuar nga 120 deputetët e Parlamentit të Kosovës dhe se drejtuesit e PAN-it e kishin shënjestruar për ta përdorur në funksion të krijimit të një qeverie fantomë të PAN-it. Ai e cilësoi këtë si një akt shantazhi dhe krim unik.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, opinionisti tha se Presidenti Rugova i kishte mbijetuar edhe kësaj, siç e quajti ai, furtune kriminale dhe rrugaçërore të kundërshtarëve politikë.

Për Ukë Rugovën, Zeqriaj tha se ai ka përgatitje solide intelektuale dhe është i mençur, i dashur, komunikues e i matur, cilësi që, sipas tij, i ka trashëguar biologjikisht nga babai, Ibrahim Rugova.

Ai kritikoi të gjitha palët e LDK-së që, sipas tij, e kanë përmendur emrin e Rugovës, por nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për t’u kujdesur për fëmijët e tij. Zeqriaj tha se ata u lanë në mëshirë të fatit dhe u bënë pre e profiterëve të lidhur ngushtë me PAN-in.

Sipas tij, Ukë Rugova vuajti vetëm për shkak se ishte djali i Ibrahim Rugovës. Zeqriaj akuzoi LDK-në se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të denoncuar arsyen e vërtetë të ndëshkimit të tij. Ai shtoi se pafajësia e vonuar e dëmton drejtësinë dhe se kishte ardhur koha që ky borxh të shlyhej.

Në përfundim, Zeqiraj foli edhe për Anton Qunin dhe Fadil Hadërgjonajn, duke i cilësuar si ushtarakë me përvojë dhe njohuri të gjera drejtuese. Sipas tij, ata kanë traditë dhe korrektësi ushtarake, e shohin barazinë në drejtim si normë dhe kanë dëshmuar atdhetarizëm në betejat për çlirim e liri.

Ai tha se këto figura i japin LDK-së, partisë së Presidentit Rugova, “sharmë, hijeshi dhe krenari”, deklaroi Zeqiraj për “Bota sot”.

të fundit

Microsoft Surface Laptop 8 në provë: Shpejtësi e lartë, bateri e qëndrueshme dhe touchpad me sinjale haptike

Performanca e mirë, autonomia e gjatë, tastiera cilësore dhe touchpad-i i ri me reagim haptik e bëjnë “Surface Laptop 8”…

21 seconds ago

Duel robotësh në stilin MMA: Humanoidi lufton edhe pasi goditja ia nxjerr kokën nga vendi

Nga programuesit te juristët, shumë profesione po përballen me ndikimin në rritje të inteligjencës artificiale. Tani duket se konkurrencës robotike…

44 seconds ago

Ekspertët shpjegojnë pse kalimi i shpeshtë nga një korsi në tjetrën rëndon trafikun

Nuk ka shumë gjëra më bezdisëse sesa të niseni me makinë dhe të përfundoni të bllokuar në një kolonë të…

1 minute ago

Two Kosovo Citizens Arrested in Skopje, Around €230,000 in Suspected Counterfeit Currency Seized

Policia ka arrestuar në Shkup dy shtetas të Kosovës, të moshës 30 dhe 44 vjeç, nën dyshimin për falsifikim parash.…

2 minutes ago

Imam Bekir Halimi Speaks to TCH After Being Declared “Non Grata” by Albanian Authorities

Ministria e Brendshme ka shpallur “non grata” dy shtetas të tjerë për veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar, konkretisht dy…

2 minutes ago

VLEN: Ohrid Agreement Is Not the Property of DUI

"BDI-ja përsëri i është vërsulur Marrëveshjes së Ohrit, sikur ta kishte tapi të vetën. Gjoja e mbron, ndërsa në të…

3 minutes ago