Nipi i akademikut të njohur Rexhep Qosja, Valjet Qosja, ka publikuar amanetin e fundit të gjyshit të tij para se të ndërronte jetë në moshën 89-vjeçare, ku i ka lënë udhëzime për mënyrën se si dëshironte të përcillej për në banesën e fundit.
Sipas letrës së publikuar nga Valjetit, Rexhep Qosja ka kërkuar që varrimi i tij të bëhet pa rituale fetare dhe pa prani zyrtare.
Po ashtu, ai thekson se ceremonia duhet të jetë krejtësisht e thjeshtë, vetëm në praninë e familjarëve, pa fjalime, pa media dhe pa lule.
Një nga dëshirat më të ndjera të tij është që të prehet pranë bashkëshortes së ndjerë, Shpresës.
“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës”, shprehet ai në letrën e shkruar që më 30 prill 2016.
Postimi i Valjet Qoses:
Një letër për fundin.
Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.
Valjeti
____________________________________________________
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016
Gazetarja Ola Xama, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për sekuestrimin e pronave mbi 40…
Opozita braktisi sallën e Kuvendit pas debateve dhe tensioneve që shoqëruan përplasjen mes deputetëve në kohën kur diskutohej projektligji për…
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos ka zhvilluar një takim me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis në Athinë. Gjatë…
EMISIONI VETTING/ Megjithatë, tenderat e përfituar nga Ervis Myftari nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe nga Kontrolli i…
Artistët Ronela Hajati dhe Majk kanë bashkuar forcat për një projekt muzikor, duke sjellë një bashkëpunim që ka ngjallur menjëherë…
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina mund të përballet me rrezik në rritje në sigurimin e sistemeve mbrojtja…