kosovë

Takimi i Osmanit me Wadephul! Kryediplomati gjerman kërkon që Kosova të ketë një qeveri stabile: I duhet sa më shpejt

Kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, kërkoi që Kosova sa më shpejt të ketë një Qeveri të aftë për të vepruar brenda dhe jashtë. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Jashtëm gjerman tha se një pritje e tillë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit është e arsyeshme.

Sipas tij, për disa në rajon, Kosova konsiderohet simbol i demokracisë dhe shoqërisë së fortë civile.

Të lidhura

None found

“Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt të ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muaj. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë edhe një qeveri stabile”, tha ai.

Thirrja e tij për një qeveri të re vjen vetëm një ditë para se të përfundojë afati kushtetues për Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit.

Konjufcës, që është mandatari i dytë për formimin e Qeverisë, i duhen 61 vota për të formuar Qeverinë e re. Udhëheqësi i partisë së tij, Albin Kurti, paraprakisht kishte dështuar që të siguronte këto vota në Kuvend.

Wadephul tha se Gjermania e mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por pohoi se ky proces së voni ka ngecur.

“Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë shumë shpejt përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, që i përmban të gjithë elementët relevantë për normalizim, duhet të zbatohet shpejt dhe në plotni. Këtë e presim nga të dyja palët dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim nga Kosova dhe Serbia”, tha ai.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por pakti nuk është zbatuar ende.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Sipas kryediplomatit evropian, në këtë drejtim, Kosovës i kërkohet që të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket dialogut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendi mbetet i përkushtuar në këtë proces.

“Përderisa Kosova mbetet nën masa të vetë BE-së, as dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të konsiderohet i balancuar, parimor apo i barabartë”, tha ajo.

Osmani kërkoi heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur Kosovës në verën e vitit 2023 për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, por edhe ndihmën e Gjermanisë për integrimin evropian të vendit.

Wadephul, që po zhvillon vizita në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u zotua se Gjermania do ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane, teksa tha se zgjerimi i BE-së është “urgjencë gjeopolitike”.

“Ne të gjithë, qofshim anëtar të BE-së apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë që destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim iu përgjigjemi me një Evropë të bashkuar. Në këtë kuadër, zgjerimi i BE-së tani është një urgjencë gjeopolitike. Për këtë, për herë të parë prej shumë vitesh ka një perspektivë realiste”, tha ai.

Nga vendet e rajonit, vetëm Kosova ka ngecur në procesin e integrimit evropian, pasi është vendi i vetëm që nuk ka as statusin e vendit kandidat. Shteti ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian./ REL

të fundit

Përparim Rama akuzon Bashën, Gashanin dhe Qeverinë se po rrezikojnë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrave Dimal Basha dhe Blerim Gashani në Kuvendin e…

2 minutes ago

Emri, identifikohet shqiptari i ekzekutuar pranë Parlamentit Europian në Bruksel, zbardhen detajet

Redjan Z. është shqiptari që u vra me armë zjarri pranë Parlamentit Europian në Bruksel, më 12 tetor. Sipas mediave…

12 minutes ago

Radev thotë se po rëndohet gjendja e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut

"Evropa duhet të marrë pjesë në negociatat për Ukrainën, pa të nuk mund të ketë arkitekturë të re sigurie", u…

14 minutes ago

Klekovski viziton klinikën stomatologjike „Shën Panteleimon“: Mbi 40 milionë denarë investime për modernizim

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot vizitoi Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare „Shën Panteleimon“ në Shkup.Gjatë viteve 2025 dhe 2026, në…

14 minutes ago

Real Madridi shqyrton largimin e katër lojtarëve në dimër

Real Madridi po shqyrton deri në katër largime të mundshme gjatë afatit kalimtar të dimrit 2027, me Raul Asensio, Thiago…

19 minutes ago

Haxhiu shtyn seancën për nesër, kritikon deputetët për vonesën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë punimet e seancës së sotme për shkak të mungesës së deputetëve…

29 minutes ago