Gjykata Supreme e Kosovës nuk e ka shqyrtuar ankesën e Blerim Isufajt ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e tij nga drejtimi i Prokurorisë Speciale. Ajo e ka shpallur ankesën të palejuar, me arsyetimin se vendimi i KPK-së është akt administrativ dhe jo masë disiplinore, prandaj kundërshtimi i ligjshmërisë së tij duhet të bëhet përmes konfliktit administrativ.
Në aktvendimin A.A.nr.40/2026, të nxjerrë më 27 tetor 2026 dhe të siguruar nga KosovaPress, Supremja ka sqaruar se nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë për t’i shqyrtuar vendimet e kësaj natyre.
None found
Çështjen e trajtoi kolegji i përbërë nga kryetarja Delushe Halimi dhe anëtarët Faton Ademi e Nenad Lazic.
“Hedhet si e palejuar ankesa e B.I., Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në Prishtinë, KPK/Nr.695/2026, të datës 2 tetor 2026”, thuhet në dispozitivin e aktvendimit.
Më 2 tetor, KPK-ja vendosi ta largojë Isufajn nga pozita udhëheqëse. Këshilli përmendi keqmenaxhimin e Prokurorisë Speciale, jokompetencën në punë, moskryerjen e përgjegjësive dhe mosarritjen e standardeve të performancës.
Sipas vendimit të KPK-së, secila prej këtyre rrethanave përbënte më vete bazë ligjore për largimin e tij nga posti i kryeprokurorit. Megjithatë, Isufaj nuk e humbi statusin e prokurorit të shtetit dhe vazhdoi punën si prokuror në Prokurorinë Speciale.
Në ankesën e paraqitur përmes avokatit Artan Qerkini, Isufaj pretendoi se gjatë procesit ishin shkelur dispozitat procedurale, ligji ishte zbatuar gabimisht dhe faktet nuk ishin vërtetuar plotësisht.
Ai argumentoi se vendimi ishte përgatitur para se të merrej, se nuk i ishte dhënë mundësia të dëgjohej dhe se nuk mund të konfirmoheshin kuorumi, përbërja dhe mënyra e votimit të Këshillit.
Isufaj ngriti gjithashtu shqetësime për paanshmërinë e organit vendimmarrës dhe konfliktin e interesit. Ai kundërshtoi edhe përdorimin e një vlerësimi të performancës, i cili, sipas tij, nuk kishte marrë formë përfundimtare.
Në ankesë u kontestua edhe interpretimi i dispozitave që përcaktojnë kriteret për ushtrimin e funksionit të kryeprokurorit. Isufaj tha se vlerësimi “mjaftueshëm” nuk ishte negativ dhe, për rrjedhojë, nuk e arsyetonte largimin nga pozita.
Ai vuri në dyshim edhe konstatimet për keqmenaxhim, duke pretenduar se ato nuk mbështeteshin në fakte konkrete. Sa i përket raportit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Isufaj pretendoi se ai pasqyronte probleme sistemike dhe jo përgjegjësi personale.
Isufaj i kërkoi Supremes ta ndryshonte vendimin e KPK-së dhe t’i lejonte të vazhdonte mandatin si kryeprokuror deri në përfundimin e rregullt të tij. Si alternativë, kërkoi që vendimi të anulohej dhe çështja t’i kthehej KPK-së për rishqyrtim e rivendosje.
Ai kërkoi gjithashtu që ankesa të kishte efekt pezullues, në mënyrë që vendimi për largimin e tij dhe ai për caktimin e ushtruesit të detyrës të mos prodhonin pasoja juridike deri në një vendim përfundimtar.
KPK-ja, nga ana e saj, kundërshtoi që Supremja ta shqyrtonte ankesën. Sipas Këshillit, vendimi për largimin e Isufajt nuk ishte disiplinor, as në përmbajtje dhe as në formë.
Këshilli shpjegoi se vendimi ishte mbështetur në nenin 22, paragrafi 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që përcakton kompetencat për largimin e kryeprokurorëve nga pozitat udhëheqëse. KPK-ja kërkoi që ankesa të shpallej e palejuar ose, në të kundërt, të refuzohej si e pabazuar.
Supremja, në arsyetimin e saj, dalloi procedurat për përgjegjësi disiplinore të prokurorëve nga kompetencat e KPK-së për administrimin e sistemit prokurorial.
Sipas Gjykatës, Ligji për Këshillin Prokurorial i jep KPK-së të drejtën për ta larguar një kryeprokuror nga pozita udhëheqëse, duke u mbështetur në performancë, keqmenaxhim, jokompetencë ose moskryerje të detyrave. Ushtrimi i kësaj kompetence, megjithatë, nuk është i njëjtë me procedurën disiplinore, e cila rregullohet nga një ligj i veçantë.
Aktvendimi nënvizon se largimi nga detyra e kryeprokurorit për arsye që lidhen me performancën nuk është përcaktuar si sanksion i veçantë disiplinor. Po ashtu, përfundimi i ushtrimit të një funksioni drejtues nuk e shndërron vetvetiu vendimin në masë disiplinore.
Që një vendim të ketë karakter disiplinor, sipas Supremes, duhet të përmbajë konstatim për përgjegjësi disiplinore dhe pasoja juridike që burojnë prej saj. Në këtë rast, Gjykata konstatoi se KPK-ja nuk kishte vepruar përmes një procedure disiplinore.
Për këtë arsye, neni 15 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili lejon ankim të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve disiplinore, nuk mund të zbatohej në çështjen e Isufajt.
Gjykata e cilësoi vendimin e KPK-së për largimin e tij nga pozita udhëheqëse si akt individual administrativ. Ligjshmëria e tij mund të shqyrtohet nga gjykata kompetente përmes procedurës së konfliktit administrativ.
Supremja theksoi se kompetenca e saj për të trajtuar drejtpërdrejt ankesa ndaj vendimeve disiplinore nuk mund të shtrihet edhe mbi kategori të tjera vendimesh të KPK-së.
Ajo vlerësoi gjithashtu se Isufaj nuk mund të mbështetej në një aktgjykim të mëparshëm të Supremes, të datës 16 dhjetor 2025, sepse dy rastet kishin natyrë të ndryshme juridike.
Në përfundim, kolegji konstatoi se mungonte baza ligjore për ta shqyrtuar ankesën drejtpërdrejt dhe e shpalli atë të palejuar. Gjykata nuk mori qëndrim nëse pretendimet e KPK-së për keqmenaxhim dhe performancë të dobët ishin të bazuara.
Aktvendimi trajtoi vetëm kompetencën e Gjykatës dhe lejueshmërinë e ankesës, ndërsa mundësinë e kontrollit gjyqësor përmes konfliktit administrativ e la të hapur.
Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic paralajmëroi të hënën se teknologjia e saj mund të paraqesë "rreziqe katastrofike ose ekzistenciale…
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet e pritshme në paketën fiskale për vitin 2027, duke kërkuar konsultim me biznesin përpara…
Anna Zhubi, shoqe e afërt e Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj në Pejë,…
Mislav KaroglanTrajneri kroat, Mislav Karoglan, nuk e ka nisur aspak mirë te Partizani, 2 humbje në 2 javët e para…
Një grua 76-vjeçare u gjet e vdekur këtë mëngjes në shtëpinë e saj në rrugën "Gjurçin Kokale" në lagjen Gjorce…
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nisur vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut me një takim me homologun…