Categories: kosovë

Sorensen nuk vendos afat për fundin e dialogut dhe nuk parashikon vizitë të veçantë për rastin në Kalludër

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, nuk ka përcaktuar ndonjë afat për përfundimin e procesit dhe as datë për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve. Sipas diplomatit danez, matësi kryesor duhet të jetë përparimi i arritur dhe jo kalendari.

Të lidhura

None found

“Nuk kam një datë për të njoftuar për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve. Përgatitjet janë duke vazhduar dhe mbaj kontakte të rregullta me të dyja delegacionet, me qëllim që të përcaktohet momenti kur një takim mund të prodhojë rezultate. Po ashtu, nuk do të vendos një afat për përmbylljen e dialogut në tërësi. Rëndësi ka që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet që tashmë i kanë pranuar. Kriteri im është përparimi, jo kalendari”, deklaroi ai.

Sorensen e përdor të njëjtën qasje edhe për një takim të ri të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq. Ai thekson se një takim i tillë nuk organizohet si shpërblim dhe as për të krijuar mundësi fotografimi, por vetëm kur mund të ndihmojë në arritjen e rezultateve. Sipas tij, Përfaqësuesja e Lartë është e gatshme ta thërrasë takimin kur të dy liderët të jenë të përgatitur për të sjellë rezultate konkrete.

Duke folur për kushtin e Kurtit që Milan Radoiçiq të ekstradohet nga Serbia në Kosovë përpara pjesëmarrjes së tij në një takim tjetër të nivelit të lartë, Sorensen kujtoi se ky format shërben për angazhim politik në procesin e normalizimit. Për këtë arsye, ai vlerësoi se mungesa e kryeministrit nuk do ta çonte përpara procesin e mbajtjes së përgjegjësisë.

Emisari evropian nënvizoi se sigurimi i përgjegjësisë për ngjarjet në Banjskë është thelbësor. Ai përsëriti se kërkesa e BE-së ka qenë e qartë dhe e pandryshuar dhe se ajo u komunikohet autoriteteve serbe në çdo kontakt: Beogradi pritet t’i arrestojë dhe t’i nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmeve të vitit 2023.

Sorensen këmbëngul gjithashtu se Marrëveshja e Ohrit përbën detyrim ndërkombëtar për të dyja palët, pavarësisht se Kurti dhe Vuciq nuk kanë vendosur nënshkrimet e tyre në të. Në intervistën me shkrim për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, ai sqaroi se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është ligjërisht detyruese sipas së drejtës ndërkombëtare, me ose pa firma.

Sipas tij, pranimi për t’u bërë palë në një marrëveshje nuk shprehet domosdoshmërisht përmes nënshkrimit, pasi mund të bëhet edhe në forma të tjera, siç ka ndodhur në këtë rast. Ai tha se të dyja palët e pranuan tekstin në Ohër dhe nuk ngritën kundërshtime kur BE-ja përcaktoi mënyrën e regjistrimit të pëlqimit të tyre.

Diplomati rikujtoi se më 18 mars 2023, Përfaqësuesi i Lartë e konfirmoi me shkrim karakterin detyrues të Marrëveshjes. Që prej asaj kohe, ky ka mbetur qëndrimi i Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Sorensen pranoi se zbatimi i ujdisë vazhdon të jetë nën nivelin e kërkuar. Ai tha se këtë vlerësim ua ka bërë të ditur publikisht dhe në mënyrë të përsëritur Prishtinës dhe Beogradit, si dhe Komisionit Evropian e vendeve anëtare të BE-së.

“Problemi nuk qëndron te mungesa e nënshkrimeve, por te mungesa e zbatimit. Pikërisht në këtë drejtim duhet të përqendrohet energjia”, shkroi Sorensen.

Ai shtoi se i ka dëgjuar shqetësimet e Kosovës dhe ka shqyrtuar mënyrat për ta konsoliduar më tej Marrëveshjen. Sidoqoftë, sipas tij, kjo duhet të shërbejë si shtysë për zbatimin dhe jo si zëvendësim i tij.

Në fund të korrikut, Sorensen qëndroi në Prishtinë dhe zhvilloi takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, zyra e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së nuk njoftoi nëse gjatë bisedës ishte trajtuar edhe çështja e personave të zhdukur. Vizita ndodhi në ditët kur autoritetet kosovare kishin bërë të ditur gjetjen e mbetjeve mortore në Kalludër të Zubin Potokut.

Diplomati danez nuk mendon se një reagim i tij publik ose një vizitë e posaçme në Kosovë për këtë rast do ta bënte më efikas zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Këtë qëndrim ai e paraqiti në intervistën me shkrim për KosovaPress, disa ditë pasi kryenegociatori i Kosovës, Agron Bajrami, i kishte dërguar një letër.

Në atë letër, Bajrami ngriti shqetësime serioze për zhvillimet e fundit që lidhen me personat e zhdukur dhe i kërkoi BE-së të garantonte zbatimin e plotë nga Serbia të zotimeve të saj. Sorensen nuk konfirmoi nëse i ishte përgjigjur letrës.

Sipas emisarit, zbulimi i mbetjeve njerëzore në Zubin Potok lidhet para së gjithash me familjet, të cilat pas dekadash pasigurie dhe mungese informacioni mund të marrin më në fund një përgjigje. Ai tha se BE-ja po e përcjell nga afër procesin e gërmimeve dhe arrestimet e ndërlidhura me të.

Sorensen bëri të ditur se ua ka kërkuar të gjithëve përshpejtimin e ritmit dhe shkëmbimin pa vonesa të informacioneve përkatëse. Ai theksoi se këtë çështje e ngre në Prishtinë dhe Beograd sa herë që i jepet mundësia.

Ai vlerësoi se për familjet nuk ka rëndësi vetëm zhvillimi i një vizite, por sigurimi i përparimit të vazhdueshëm. Sipas tij, dialogu për normalizim ua ka borxh këtë atyre që vazhdojnë të presin përgjigje.

Sorensen deklaroi se çështja e personave të zhdukur ka qenë përparësi për të që nga marrja e detyrës, për shkak të rëndësisë së saj humanitare. Ai këmbënguli se kjo temë nuk është dhe nuk mund të përdoret si mjet pazari në dialog.

Sipas zyrtarit të lartë evropian, bëhet fjalë për një detyrim humanitar që duhet vlerësuar vetëm mbi bazën e faktit nëse familjet i marrin përfundimisht përgjigjet. Ai shtoi se fuqia për t’i dhënë këto përgjigje u përket palëve, ndërsa BE-ja mbetet e gatshme ta lehtësojë procesin.

Duke rikujtuar detyrimet e marra përmes Deklaratës për Personat e Zhdukur, Sorensen tha se dokumenti është i qartë. Të dyja palët janë zotuar të bashkëpunojnë për identifikimin e vendvarrimeve dhe të shkëmbejnë të gjitha të dhënat përkatëse, duke përfshirë edhe materialet e klasifikuara, që nevojiten për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur ndërmjet viteve 1998 dhe 2000.

Ai bëri të ditur se Bashkimi Evropian pret përmbushjen e plotë të këtyre zotimeve. Komisioni i Përbashkët u krijua në janar të vitit 2026, ndërsa mbledhjen e parë e zhvilloi në Bruksel gjatë muajit prill. Sorensen tha se BE-ja është e gatshme ta organizojë takimin pasues sapo palët të jenë të përgatitura.

Në vlerësimin e tij, dialogu Prishtinë-Beograd shpesh matet përmes datave, fotografive dhe titujve mediatikë, ndonëse qasja duhet të jetë tjetër. Sorensen tha se ai e gjykon procesin vetëm mbi bazën e rezultateve që sjell për njerëzit të cilëve synon t’u shërbejë. Sipas tij, ky standard zbatohet në çdo aspekt, nga personat e zhdukur dhe Marrëveshja e Ohrit deri te ritmi i vetë dialogut.

të fundit

Emily Ratajkowski ndan pamje nga pushimet, fotografohet duke puthur partnerin e saj

Modelja e njohur Emily Ratajkowski ka ndarë me ndjekësit momente nga pushimet e saj, ku këtë herë ka zbuluar edhe…

20 seconds ago

Zjarri në Krujë/ Riaktivizohet zjarri në fshatin Zidoll, flakët u afrohen sërish depove të eksplozivit

Një vatër zjarri është riaktivizuar sërish në fshatin Zidoll të Krujës, duke rikthyer alarmin në zonë. Ashtu si dy ditë…

2 minutes ago

Uashingtoni mat qëndrimin e aleatëve ndaj Trump para reduktimeve të mundshme në mbrojtjen e NATO-s

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të vlerësojnë se sa përputhen aleatët e NATO-s me politikat e administratës së presidentit Donald…

11 minutes ago

Flakët përfshijnë Lombardinë, zjarret rrezikojnë zonat e banuara dhe aktivizohen dy avionë Canadair

Zjarret pyjore vijojnë të përhapen në disa zona të Lombardisë, ndërsa situata paraqitet më kritike në Como. Mbi 100 zjarrfikës…

11 minutes ago

BDI: Pas dy vitesh hetime nuk ka asnjë provë, aktakuza politike lidhet me një vendim kolektiv

Nga BDI kanë shpehur shqetësim serioz për ngritjen e një aktakuze politike për përgjegjësi individuale që buron nga një vendim…

11 minutes ago

Skënderbeu bën dy afrime të bujshme pak para fillimit të sezonit

Abissnet SuperioreVetëm para disa minuatsh, klub i i Skënderbeut ka njoftuar afrimet e Ahmad Musa dhe Jeremiah Junior Thomas [...]Read…

23 minutes ago