kosovë

Situata në Veri, BE: Vendimi i Mitrovicës për ndërtesën komunale, në kundërshtim me përpjekjet për shtensionim

Bashkimi Evropian (BE) tha të enjten se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, për ta kërkuar lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, është në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha për media më 24 gusht se “ne jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale“.

Ai i ka përsëritur kërkesat që të ketë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, dhe që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe“ tha ai. Stano i përsëriti qëndrimet e mëhershme të BE-së se zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, edhe pse ishin zhvilluar sipas kornizës ligjore të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, nuk dhanë zgjidhje afatgjate.

“Është e rëndësishme që të organizohen sa më parë zgjedhje inkluzive lokale në të cilat serbët e Kosovës do të marrin pjesë pa parakushte”, nënvizoi ai.

Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës. Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryetarët shqiptarë kanë marrë pushtetin në fund të majit, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.

Kryetar i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ata i ka kundërshtuar ashpër popullata lokale serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit, nga të cilat kanë dalë ata kryetarë. Banorët lokalë ka gati tre muaj që protestojnë para objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të tërhiqet dhe nga kryetarët shqiptarë që të mos dalin në punë.

Në këto tri komuna, deri në fund të majit, kanë funksionuar edhe komunat sipas sistemit serb. Vetëm në Mitrovicën e Veriut ekziston një ndërtesë e veçantë komunale që funksionon nën sistemin e Kosovës dhe atje nuk ka pasur protesta./REL

të fundit

E frikshme në Sarandë! Shpërthenjnë telat e energjisë elektrike në një bllok banesash

Një ngjarje e rrezikshme është regjistruar këtë mbrëmje në Sarandë në lagjen nr,4, ku telat e energjisë elektrike kanë shpërthyer…

11 minutes ago

SPAK hetoi tenderat e AKSHI-t, Ola Xama zbardh detaje: Ja ku shkuan 29 milionë euro

Gazetarja investigative Ola Xama ka bërë publike të dhëna tronditëse mbi hetimet e SPAK për tenderat e zhvilluar nga Agjencia…

50 minutes ago

Risia e madhe e Kombëtares për vitin 2025, klauzola e veçantë i hap rrugën mesfushorit për largimin

Juljan Shehu ishte risia e madhe e Kombëtares shqiptare për vitin 2025. Mesfushori i Uidzeu Lodz e ka shpërblyer besimin…

1 hour ago

Në vigjilje të 2026, Princ Leka dhe Blerta Celibashi urojnë shqiptarët për Vitin e Ri: Duajeni njëri-tjetrin dhe atdheun

Princi i kurorës Leka Zogu II së bashku me të fejuarën e tij Blerta Celibashi kanë uruar shqiptarët në këtë…

2 hours ago

Netanyahu merr “goditjen” nga Gjykata e Lartë e Izraelit , ndalohet hetimi për masakrën e 7 tetorit

Gjykata e Lartë e Izraelit i ka bërë një “goditje” të rëndë Benjamin Netanyahut, kjo pasi ka nxjerrë një urdhër…

2 hours ago

Ambasada e SHBA-së uron qytetarët e Kosovës për Vitin e Ri: Bashkëpunim dhe përkushtim për një të ardhme më të begatë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar qytetarët për Vitin e Ri, duke përkujtuar bashkëpunimet e…

3 hours ago