Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, është shprehur se ardhja e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës përbën një tregues të qartë të vëmendjes së pandërprerë institucionale të Shqipërisë ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë trevë.
None found
Në një reagim të publikuar në Facebook, Sinani bëri të ditur se kishte nderin ta priste Presidentin Begaj në një takim që ajo e përshkroi si vëllazëror, duke nënvizuar se kjo vizitë i shërben forcimit të bashkëpunimit mes Komunës së Preshevës dhe Republikës së Shqipërisë.
Ajo theksoi se, në emër të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e falënderoi sërish presidentin Begaj për faktin që ngriti çështjen e Luginës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas Sinanit, në fjalën e tij në OKB, presidenti Begaj kishte kërkuar që të respektohen të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Vizitën e sotme të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nuk mund ta shohim vetëm si një vizitë zyrtare. Ajo është një mesazh i fuqishëm se Presheva, e në përgjithësi Lugina e Preshevës, janë pjesë e pandashme e botës shqiptare dhe se ky rajon mbetet në vëmendjen e vazhdueshme kombëtare dhe institucionale të Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Sinani.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Begajn janë trajtuar vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku një ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte pasivizimi selektiv i adresave.
Sinani shtoi se pjesë e diskutimeve ishte edhe mungesa e investimeve shtetërore në infrastrukturë, sidomos në fushën e arsimit, duke përmendur në veçanti gjendjen e Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë.
“Kërkova nga Presidenti Begaj që, përmes autoritetit të Tij, të vazhdojë avokimin pranë institucioneve ndërkombëtare dhe autoriteteve në Beograd, në mënyrë që kjo shkollë të mos mbetet më në harresë e neglizhencë, por të marrë vëmendjen që meriton”, ka shkruar kryetarja e Preshevës.
Po ashtu, ajo njoftoi se në takim ka paraqitur edhe shqetësimet e të rinjve shqiptarë në lidhje me diskutimet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke vlerësuar se kjo situatë po krijon ndjenjë pasigurie te qytetarët e Luginës.
Në përmbyllje, Sinani e falënderoi presidentin Begaj për vizitën dhe mbështetjen e dhënë, ndërsa theksoi se komunikimi dhe bashkëpunimi për çështjet që lidhen me interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vijojnë.
“Kjo vizitë nuk është fundi i një etape, por një hap i ri në forcimin e lidhjeve tona ndërinstitucionale dhe një dëshmi se Presheva dhe Lugina e Preshevës nuk janë vetëm pjesë e hartës shqiptare, por edhe pjesë e pandashme e kujdesit, përgjegjësisë dhe vëmendjes sonë të përbashkët kombëtare”, ka përfunduar Sinani.
Është arrestuar i dyshuari i cili përmes rrjeteve sociale kishte kanosur kryetarin e Vitisë, Sokol Halitin. Arrestimin e të dyshuarit…
Sulmuesi i ri i Kosovës, Enis Rexhepi, ka zbarkuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është mirëpritur nga…
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar, pas gjobës prej 5 milionë lekësh për aktivistin 17-vjeçar. Ky…
Interi ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Comos, në kuadër të xhiros së 11-të të Serie A, duke u…
Stilolapsat me adrenalinë, të cilët mund të shpëtojnë jetë në rastet e reaksioneve të rënda alergjike, nuk janë të disponueshëm…
Një aotobot që transportonte qumësht është përplasur me një motor këtë pasdite në Fier. Aksidenti ka ndodhur në aksin Fier-Libofshë,…