Kanë kaluar tetë ditë që kur Dhomat e Specializuara në Hagë shqiptuan 81 vite burgim për katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga ai moment, protestat kundër këtij vendimi të shkallës së parë janë shtuar, bashkë me kërkesat për një qasje shtetërore të mirëorganizuar në përballjen me të në fazën e apelit.
None found
Qeveria e Kosovës ka premtuar një strategji të tillë, por sipas analistëve politikë që folën për Radion Evropa e Lirë, ajo nuk duhet të mbetet thjesht te pagesa e avokatëve mbrojtës. Plani duhet të mobilizojë ekspertizë vendase e ndërkombëtare dhe të përfshijë një ofensivë diplomatike të mirëkoordinuar.
Ekzekutivi i kryeministrit Albin Kurti nuk e ka zbërthyer ende se çfarë forme konkrete do të marrë kjo strategji për të kontestuar në Apel vendimin e Gjykatës Speciale, që i shpalli fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Pyetjeve të REL-it për detaje shtesë, zyra e Kurtit nuk u është përgjigjur. Megjithatë, më 19 shtator, vetë kryeministri u shpreh se duhet unitet për një reagim sa më të goditur dhe efektiv ndaj aktgjykimit, si në aspektin e ndihmës për skuadrat mbrojtëse në apel, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Donika Emini nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë dhe ish-parlamentari Ilir Deda mendojnë se në këtë strategji duhet të angazhohen të gjitha hallkat e shtetit, përfshirë edhe partitë opozitare, ndërsa barrën kryesore ta mbajë Ministria e Drejtësisë.
Ministria në fjalë nuk ka reaguar ende publikisht, as për vendimin gjyqësor e as për ndonjë plan veprimi. Kreu i saj, Donika Gërvalla, është vënë në shënjestër të kritikave, me thirrje për shkarkimin e saj që dëgjohen vazhdimisht në tubimet e mbrëmjes në sheshet e Prishtinës.
Këto protesta janë kthyer në një dukuri të përditshme që prej shpalljes së dënimeve.
Përtej angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë, Emini dhe Deda rekomandojnë ngritjen e një strukture të mirëfilltë bashkërenduese ndërmjet institucioneve shtetërore, ekipeve mbrojtëse, specialistëve të fushave të ndryshme dhe përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës.
Sipas tyre, kjo do të parandalonte iniciativat e copëzuara dhe do të saktësonte detyrat: kush merret me grumbullimin e provave dokumentare, kush koordinon ekspertizën dhe kush e mban peshën e komunikimit diplomatik.
Deda sugjeron që Kosova të angazhojë një gamë të gjerë specialistësh – nga juristë me përvojë globale e historianë, deri te arkivistë, ekspertë ushtarakë dhe kërkues të dokumenteve – për të fuqizuar mbrojtjen e secilit prej të dënuarve drejt një rezultati të favorshëm në instancën e apelit.
Ai saktëson se qëllimi i tyre s’është rishkrimi i historisë apo sajimi i fakteve të reja, por orientimi i ekipeve mbrojtëse në gjetjen dhe interpretimin e saktë të materialeve që tashmë ekzistojnë.
Sipas tij, përparësi duhet t’u jepet avokatëve me përvojë konkrete në proceset e apelimit pranë gjykatave penale ndërkombëtare.
Ai nënvizon se faza e apelit nuk përbën një rigjykim të çështjes. Ajo duhet të evidentojë me përpikëri gabimet ligjore që e bëjnë vendimin të pasigurt, pasaktësitë faktike që kanë shkaktuar padrejtësi dhe defektet në llogaritjen e masës së dënimit.
Kjo do të thotë, shpjegon Deda, se asistenca shtetërore duhet t’iu përshtatet nevojave të avokatëve mbrojtës dhe rregullave procedurale të apelit, ndërsa përgjegjësia për argumentimin dhe linjën juridike i takon ekskluzivisht mbrojtjes.
Ndërkohë, Emini thekson se krahas përkrahjes direkte për mbrojtjen, njohuritë e ekspertëve të huaj janë jetike për një dimension tjetër: diplomacinë dhe komunikimin me botën e jashtme.
Ajo argumenton se ndihma e tyre shërben për ta vendosur procesin në një kuadër më të gjerë dhe për të nxitur diskutime rreth mënyrës se si është trajtuar kjo çështje, pa e kufizuar debatin vetëm në përplasjet politike të brendshme.
Njohësit e zhvillimeve këmbëngulin se, nëpërmjet kanaleve diplomatike, Kosova duhet të përcjellë mesazhin se fajësia individuale penale nuk mund të shndërrohet në një barrë faji për gjithë UÇK-në.
Trupi gjykues në Hagë i shpalli katër të akuzuarit përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalime arbitrare, trajtime mizore dhe torturë ndaj qindra personave, si dhe vrasjen e 96 njerëzve.
Deda nënvizon se është e domosdoshme që përmes diplomacisë të kuptohet qartë se vendimi i shkallës së parë s’është i prerë dhe se faji i individëve s’mund të bartet mbi UÇK-në, luftën çlirimtare apo shtetin e Kosovës. Por njëkohësisht, insiston ai, mbështetja për apelin nuk guxon të kthehet në injorim të dhimbjes së viktimave.
Ai thekson se nderimi për vuajtjet e viktimave nuk e cenon mbrojtjen – përkundrazi, i forcon besueshmërinë asaj.
Edhe pse e sheh diplomacinë si pjesë të pandashme të çdo strategjie të ardhshme, Emini këshillon se Qeveria duhet të tregohet shumë më e matur dhe më e llogaritur në mënyrën e veprimit.
Ajo sqaron se diplomacia nuk konsiston thjesht në pjesëmarrje takimesh ku shprehet mospajtimi me aktgjykimin dhe ku pretendohet se gjykata ka dështuar.
Emini vë në dukje pasivitetin e ekzekutivit në këtë drejtim, duke thënë se duhej angazhuar shumë më parë për të nxitur një debat ndërkombëtar për këtë proces gjyqësor që mori hov me arrestimin e katër ish-krerëve në vitin 2020.
Objektivi, sipas saj, nuk do të duhej të ishte presion i drejtpërdrejtë mbi gjykatën, por një përcjellje, studim dhe diskutim serioz i këtij procesi në rrethet ligjore, akademike dhe politike ndërkombëtare.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk…
Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, NATO ka përsëritur kërkesën që përgjegjësit për dhunën e ushtruar në Kosovë…
Me shumicë votash, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka shprehur sot qëndrimin e tij pozitiv ndaj nismës për riorganizimin administrativo-territorial, e…
Tetë ditë nga dënimi me burgim të përgjithshëm prej 81 vjetësh i katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat…
Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në Jonufër të Vlorës. Sipas raportimeve, dy makina janë përplasur…
Më shumë se 700 emigrantë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar dje, numri më i lartë në një ditë të vetme…