Pal Shtufi ka ndarë rrëfimin e tij për një prej episodeve që e ka prekur më rëndë në marrëdhënien me Riza Salihun, pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
None found
Duke folur në ciklin “Dosjet”, pjesë e emisionit “Debat Plus”, Shtufi tha se lajmin për vrasjen e tre veprimtarëve e kishte marrë vesh në mbrëmje, përmes televizionit. Disa ditë më vonë, Riza Salihu ishte paraqitur në shtëpinë e tij, rreth 700 kilometra larg.
Fillimisht, Shtufi kishte besuar se vizita e Salihut kishte të bënte me shprehjen e ngushëllimeve. Megjithatë, gjatë bisedës ai kishte kuptuar se qëllimi i vizitës ishte tjetër.
“Pas dy-tre ditëve, se besoj që e katërta ditë ka qenë, kur Rizahu vjen te ne. Edhe një befasi e dorës së parë. Nja 700 kilometra po vjen. Ne mendja na shkon që për ngushëllim se s’ka tjetër. Edhe, siç e përshkruaj edhe në libër, ai jo, ka ardhur për diçka tjetër. Policia e kanë kërkuar, edhe thotë, s’kam alibi”, rrëfeu Shtufi.
Ai tregoi se në atë periudhë nuk e dinte as kuptimin e fjalës “alibi” dhe i kishte kërkuar Salihut t’ia sqaronte.
Sipas rrëfimit të Shtufit, Salihu kishte deklaruar se kishte qëndruar në banesën e tij, por nuk kishte mundësi ta provonte këtë. Për këtë arsye, vizita te Shtufi do t’i shërbente si dëshmi se ai kishte qenë në shtëpinë e tyre.
“Vetë kam qenë në banesë, nuk mund me dhënë dëshmi që kam qenë në banesë. Edhe, domethënë, me u shpreh se këtu kam qenë te ju. Ne duhet me thënë, me dëshmu që jo, ka qenë këtu”, tha Shtufi.
Shtufi u shpreh se nuk pranoi të përfshihej në këtë kërkesë, ndërsa situata brenda shtëpisë u bë e tensionuar.
Gjatë bisedës, sipas tij, Riza Salihu dha edhe deklarata të ndryshme për atë që kishte ndodhur me Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.
“Tha, jo s’është i vrarë. Gestapo-ja, këto domethënë Shërbimi sekret i Hitlerit, thotë, ka mbaruar një skenë asisoj, sikur këta janë vrarë, po në fakt këta i kanë çuar në shërbime të tjera, ua ndërrojnë identitetin, kështu gjëra, nuk janë vrarë”, rrëfeu ai.
Por më pas, sipas Shtufit, Salihu e kishte ndryshuar versionin, duke thënë se tre veprimtarët ishin vrarë.
“Tha, po ata janë të vrarë se UDB-ja i ka vrarë vetë”, tha Shtufi, duke përcjellë deklaratën që ia atribuoi Salihut.
Kjo mospërputhje e kishte shtyrë Shtufin ta pyeste pse Salihut i nevojitej një alibi nëse tre personat nuk ishin vrarë.
“Po pse thashë vetë? Tha, po e kanë kryer punën ata, s’ju duhen më. Thashë, po çfarë kanë kryer bre vëlla?”, rrëfeu Shtufi.
Sot, Shtufi mendon se Salihu mund të kishte frikë se ai dhe personat e tjerë do ta raportonin në polici. Megjithatë, ai theksoi se në atë kohë nuk e kuptonte peshën e kërkesës për alibi.
“Unë as ia dija rëndësinë asaj alibie. As s’e kam shkuar në mendja me e thirr”, tha ai.
Pas kësaj, Salihu ishte larguar nga shtëpia. Shtufi tregoi se e kishte shoqëruar deri te një stacion i vogël i trenit.
“Bile e përcolla deri te një stacion i vogël të trenit, edhe shkoi”, tregoi Shtufi.
Ai shtoi se Salihu ishte arrestuar po atë ditë ose të nesërmen. Rreth një vit më pas, Salihu e kishte telefonuar sërish.
“Pas një viti ai telefonon prapë dhe thotë: ‘Ju dogjën Gestapos letrat në dorë. Dola nga burgu’”, rrëfeu Shtufi.
Shtufi tha se kjo ngjarje kishte ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si e kishte vlerësuar më vonë Riza Salihun.
Në të njëjtën intervistë, Shtufi deklaroi gjithashtu se Salihu e kishte cilësuar Jusuf Gërvallën si bashkëpunëtor të UDB-së. Sipas pretendimit të Salihut, shërbimi sekret jugosllav e kishte dërguar Gërvallën në Perëndim me qëllim që të shkatërronte lëvizjen ilegale shqiptare.
Sidoqoftë, Shtufi tha se nuk është i bindur që Riza Salihu ka qenë vetë në shërbim të UDB-së dhe shtoi se nuk dëshiron të japë një përfundim të prerë për këtë çështje.
Një skandal i rrallë ka tronditur futbollin irakian, ku ndeshja mes Zakhos dhe Karbalasë është ndërprerë pas vetëm 14 minutash…
Analisti politik Xhevdet Pozhari ka reaguar pas sekuestrimit të rreth 136 kilogramëve marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku tre persona…
Dashi Jeta juaj ne çift do jete shume here me e mire sot. Shfrytëzojeni sa te mundni çdo moment sepse…
Në Prime-in e sotëm të BBVK5, Anjeza u akuzua se po bën lojë me Sharrin dhe se e ka inskenuar…
Pas performancës në studion e “Big Brother VIP Kosova”, Akili ka falënderuar Antonetën për tekstin e këngës. Ai sqaroi se…
Akili dhe Bejta kanë kënduar në studion e BBVK këngën “Për ty pyeta hanën”, e cila u krijua nga dyshja…