Senatorë republikanë dhe demokratë i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump të rikthejë sanksionet ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilat ishin hequr në tetor të vitit 2025.
None found
Reagimi i tyre pason marrjen në pyetje nga autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë të punonjësve dhe ish-punonjësve të Qendrës Përkujtimore Potoçari, të përfshirë në hartimin e një raporti mbi mohimin e gjenocidit.
Në një deklaratë të publikuar më 6 gusht, senatorët shprehën shqetësim të thellë për faktin se 26 punonjës, ish-punonjës dhe bashkëpunëtorë ishin marrë në pyetje gjatë javës së kaluar në Drejtorinë e Policisë në Zvornik, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Sipas tyre, përmasat dhe momenti i ndërmarrjes së këtyre veprimeve ngrenë shqetësim, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e punës së Qendrës Përkujtimore për ruajtjen e së vërtetës, nderimin e viktimave dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ata u kërkuan autoriteteve kompetente të respektojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, si dhe të garantojnë që Qendra Përkujtimore ta vazhdojë misionin e saj thelbësor pa frikësim.
Deklarata u bë nga një grup senatorësh që përfaqësojnë komitete të ndryshme të Senatit, mes tyre Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë, Komitetin e Drejtësisë, nënkomitetin për Marrëdhënie me Evropën, atë për Siguri dhe Mbrojtje të Asamblesë Parlamentare, si dhe nga anëtarë të Komisionit të Helsinkit.
Senatorët kërkuan gjithashtu që administrata amerikane të zbatojë sanksionet e miratuara përmes Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare. Ata theksuan se qëndrimi i Dhomës së Përfaqësuesve dhe i Senatit amerikan ka qenë i qartë se masakra e Srebrenicës ishte gjenocid.
Sipas tyre, edhe më shumë se 30 vjet më vonë ekziston përgjegjësia për të kujtuar viktimat, për të mbështetur familjet e tyre dhe për të mos lejuar mohimin apo fshirjen e kësaj historie tragjike. Senatorët paralajmëruan se shtrembërimi i historisë për interesa politike i thellon ndarjet, ushqen tensionet etnike dhe rrezikon paqen e stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë.
Në deklaratë iu kërkua administratës të vërë në zbatim sanksionet e detyrueshme të miratuara në kuadër të Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, me qëllim që personat përgjegjës për veprime destabilizuese dhe dëmtim të institucioneve demokratike të japin llogari.
Prokuroria Publike e Qarkut në Bielinës kishte konfirmuar më herët për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ishte hapur një rast për të verifikuar informacionet dhe kallëzimin lidhur me veprimtarinë e Institucionit Publik Qendra Përkujtimore e Srebrenicës gjatë vitit 2022.
Prokuroria ka bërë të ditur se çështja ndodhet ende në fazën e verifikimit, për shkak të dyshimeve mbi veprën penale të shmangies së tatimeve dhe kontributeve. Ndërkohë, institucionet e tjera po punojnë për sigurimin e dokumentacionit dhe provave të tjera.
Prokuroria në Republikën Sërpska deklaroi se deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër për nisjen e hetimeve dhe se personat po merren në pyetje vetëm në cilësinë e dëshmitarëve. Vendimi për hapat e mëtejshëm do të merret nga prokurori pasi të jenë grumbulluar dokumentet dhe provat e nevojshme.
Emir Sulagiq, drejtor i Qendrës Përkujtimore, ka paralajmëruar vazhdimisht se institucioni po përballet me presion nga strukturat e Republikës Sërpska për shkak të punës së tij, veçanërisht për aktivitetet që lidhen me dokumentimin e gjenocidit dhe të mohimit të tij.
Prej vitesh, autoritetet e Republikës Sërpska, përfshirë zyrtarët më të lartë politikë, mohojnë dhe kundërshtojnë vendimet e gjykatave vendore dhe ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë.
Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është një institucion shtetëror i hapur në vitin 2003 në ish-bazën e Kombeve të Bashkuara. Veprimtaria e saj përqendrohet në ruajtjen e kujtimit të më shumë se 8.000 boshnjakëve të vrarë gjatë gjenocidit të korrikut të vitit 1995.
OBRM-PDUKM ka drejtuar kritika ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar për mosmarrjen e masave të nevojshme gjatë…
Temperaturat e larta të verës dhe rritja e numrit të turistëve kanë sjellë një fluks të shtuar vizitash në Pediatrinë…
Trajneri i Sopotit, Rrahman Hallaçi dhe kryetari i bashkisë, Mariglen DishaSopoti vijon të jetë aktiv në merkaton e verës pas…
Ariana Grande ka reaguar për herë të parë pas njoftimit se do të tërhiqet përkohësisht nga jeta publike pas përfundimit…
Charlize Theron ka tërhequr vëmendjen gjatë ndalesës së fundit të turneut promovues për filmin “The Odyssey”, me një paraqitje të…
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk dëshiron ta humbasë lehtë pozicionin e tij dhe ka filluar të mbledhë vota për…