Disa ditë më parë, Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, bëri me dije se seanca për themelimin e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit, si rezultat i zgjedhjeve të 7 qershorit, parashikohet të mbahet në javët e para të gushtit.
None found
Sidoqoftë, për shkak të mungesës së treguesve konkretë për një marrëveshje mes partive, mbetet e paqartë nëse vendi do të mund t’i krijojë institucionet brenda afateve apo do të përballet me një bllokadë të re politike dhe pasojat që ajo sjell për funksionimin shtetëror.
Për këtë çështje, Agim Aliçkaj, veprimtar shqiptar nga Shtetet e Bashkuara, ka folur për “Bota sot”, duke e cilësuar ngritjen e institucioneve të freskëta si një emergjencë dhe duke theksuar se forcat politike duhet të arrijnë një zgjidhje pa humbur kohë.
Në këtë kontekst, ai i referohet edhe thirrjeve të kryeministrit në detyrë për takime me krerët e opozitës.
“Përpjekjet për të konstituuar organet shtetërore, pas tri palë zgjedhjeve krejtësisht të panevojshme, janë kthyer në një domosdoshmëri imediate, e cila tani duhet medoemos të japë rezultate të shpejta. Në të kundërt, rrezikohet funksionimi dhe vetë ekzistenca e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti duket se ka kuptuar peshën e rolit të tij, duke ftuar me nderim udhëheqësit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në bisedime të rregullta dhe serioze për formimin e institucioneve qeverisëse. Deklaratat dhe qëndrimet e krerëve opozitarë gjatë kontakteve të para nuk tregojnë se ata janë në lartësinë e duhur për të perceptuar seriozitetin e kësaj gjendjeje emergjente”, u shpreh ai.
Përveç kësaj, Aliçkaj ka komentuar reagimet e partive opozitare ndaj ftesës së Kurtit, duke i kritikuar ato për mungesë gatishmërie për kompromis. Ai tha se AAK-ja po i kundërvihet dialogut, kurse PDK-ja, sipas tij, ka për synim të mbetet në opozitë dhe llogarit në zgjedhje të reja.
Për LDK-në, Aliçkaj theksoi se ajo po kalon një periudhë konfuzioni të brendshëm, që sipas tij, ka çuar edhe në ndërprerjen e negociatave për një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kreu i AAK-së, Ardian Gjini, i ka kundërshtuar bisedimet, duke paraqitur gjashtë kushte, për të cilat thotë se nuk janë kushte. Ai duket se është i qetë, sepse mendon se partia e tij nuk ka më çfarë të humbasë dhe se ka një elektorat të qëndrueshëm për të siguruar praninë në Parlament. Për të, është më me rëndësi që fituesi të mos udhëheqë, edhe nëse shteti dobësohet. Një subjekt i tillë nuk e meriton të kalojë pragun zgjedhor.
Kreu i PDK-së vetëm sa ka bërë publike vendimin e drejtuesve të vërtetë të partisë që ajo të qëndrojë në opozitë. Kjo nënkupton bojkotimin e procesit të krijimit të institucioneve, me shpresën se LVV-ja, bashkë me LDK-në e përçarë, nuk do të arrijë të sigurojë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit dhe vendi do të drejtohet drejt zgjedhjeve të reja.
Interesi i PDK-së për zgjedhje të reja mbështetet në manipulimet e lobistit serb, ish-ambasadorit amerikan Richard Grenell, për lirimin e Thaçit dhe Veselit nga Gjykata e Hagës. Ata nuk po kuptojnë se, edhe nëse lirohen, ndikimi i tyre në vota do të jetë i papërfillshëm. Problemi i tyre thelbësor është korrupsioni, nënshtrimi ndaj të huajve dhe koncesionet ndaj Serbisë. Nëse nuk kërkojnë falje për gabimet e së kaluarës dhe nuk transformohen, nuk kanë se si të marrin vota të reja.
LDK-ja është kthyer në një kaos të plotë dhe nuk dihet se kush e kontrollon. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish-Presidenten Vjosa Osmani, i filluan mirë diskutimet me Kryeministrin Kurti për një koalicion të mundshëm. Por shumë shpejt iu desh t’i pezullonte bisedimet, sepse pozita e tij u rrezikua. Tani ai duhet të merret me fraksionet e brendshme të partisë, disa prej të cilëve kanë simpati për Listën Serbe, disa për klerikët e Patriarkanës së Pejës dhe disa për PDK-në”, nënvizoi ai.
Më tej, aktivisti shqiptar theksoi se bllokadat politike po dëmtojnë rëndë shtetin, ndërsa shtoi se të gjitha partitë mbajnë përgjegjësi për krijimin e institucioneve të reja.
“Kriza e tejzgjatur politike po shndërrohet në një situatë kërcënuese për shtetin e Kosovës. Nuk ka mbetur më asnjë hapësirë për bojkotime, bllokada dhe as për justifikime të tyre. Fajësimi i të tjerëve nuk i sjell dobi askujt.
Fajtorët i përcakton vetëm populli i Kosovës, dhe ky popull shumë i vuajtur e i duruar nuk mund të mashtrohet. Përgjegjësinë për ngritjen e institucioneve e kanë të gjitha partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje, sidomos deputetët e zgjedhur nga populli, pavarësisht se kush ka fituar dhe kush ka humbur”.
Po ashtu, ai i bëri thirrje opozitës të pranojë rezultatin dhe të bashkëpunojë me forcën fituese, pasi qytetarët me votën e tyre e zgjodhën Kurtin si udhëheqës.
Sa i takon çështjes së presidentit, sipas tij, duhet të parashtrohen tre kandidatura të afta, të pavarura dhe jopartiake.
“Humbësit e zgjedhjeve kanë vetëm një rrugë të ndershme: të bëhen opozitë konstruktive, të ndryshojnë dhe të punojnë fort për një fitore të mundshme në zgjedhjet e rregullta pas katër vjetësh.
Të gjithë duhet ta respektojnë vullnetin e popullit të shprehur me votë dhe ta kuptojnë njëherë e mirë se, pa shtet, ata janë askush. Për të tretën herë radhazi, me një votë të theksuar, populli po shpreh dëshirën e tij që shteti të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti dhe koalicioni i tij.
Nëse deputetët e zgjedhur nga populli janë në rrugën e Zotit dhe jo të dreqit, zgjidhja është e lehtë. Qeveria dhe Parlamenti mund të krijohen nga z. Kurti, me ndonjë koalicion të lehtë sipas nevojës. Për president të propozohen tre kandidatë të aftë, të pavarur dhe jopartiakë. Deputetët duhet të qëndrojnë në sallë për votim, ashtu siç e kërkon detyrimi ndaj punës për të cilën janë zgjedhur. Presidenti të zgjidhet me shumicë votash”, shtjelloi ai.
Në fund, ai shtoi se Kushtetuta e Kosovës ka dispozita që, sipas tij, lejojnë bllokimin e institucioneve dhe se ato duhet të rishikohen për të parandaluar krizat politike.
Aliçkaj theksoi se krijimi i institucioneve është detyrim shtetëror dhe kombëtar, duke vlerësuar se bojkoti dhe bllokadat e zgjatura dëmtojnë funksionimin e shtetit.
“Kushtetuta e Kosovës është tejet e ndërlikuar dhe është hartuar për njerëz të ngritur e të ndërgjegjshëm, por u ka dhënë edhe privilegje të tepruara minoriteteve. Lista Serbe e shfrytëzon atë me qëllim të shkatërrimit të shtetit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka komplikuar zgjedhjen e Presidentit me vendimin për kushtin e panevojshëm të kuorumit prej dy të tretave të deputetëve. Duhet të gjenden mënyra për t’i ndryshuar këto rregulla dhe për të krijuar një situatë normale, e cila nuk e mundëson bllokimin e shtetit.
Krijimi i institucioneve është detyrim shtetëror dhe kombëtar. Bojkoti dhe bllokimi i tejzgjatur i tyre, pa marrë parasysh arsyet, mund të shndërrohet në armiqësi dhe tradhti ndaj shtetit dhe kombit”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
Një 10-vjeçare ka rrezikuar të mbytet në Ujin e Zi në qytetin e Këlcyrës. Situata është parandaluar nga një banor…
Në ditën e 51 qytetarët nuk janë ndalur, por protestojnë kundër kastës së korruptuar politike. Shqiptarët kërkojnë largimin e kryeministrit…
E ardhmja e Rodrit te Manchester City vazhdon të mbetet e paqartë, teksa mesfushori spanjoll po shqyrton ofertën për rinovimin…
Ngërçi institucional në Kosovë po vazhdon të ngrejë shqetësime për funksionimin e shtetit dhe për raportet e vendit me partnerët…
Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me të shtënat me armë zjarri të regjistruara mbrëmjen e…
Pas rikthimit të shumëpritur në Superligën e Kosovës, Vushtrria ka nisur zyrtarisht përgatitjet për edicionin e ri, me objektiva të…