Të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, seanca fillestare për çështjen e barrikadave të vitit 2022 në Zveçan nuk u mbajt dot për shkak të mungesës së të pandehurit Nenad Orloviq dhe të mbrojtësve të Dushan Maksimoviq e Sërgjan Vuçiniq, përkatësisht avokatëve Millosh Nikoliq dhe Bogdan Llaziq. Për këtë arsye, dy avokatët u gjobitën me nga 500 euro secili.
None found
Kjo çështje ka në fokus gjashtë persona: Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq. Ata akuzohen për vepra penale kundër rendit kushtetues, konkretisht për pengimin e qarkullimit në rrugët e Zveçanit gjatë vitit 2022, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.
Më herët, në shqyrtimin e 31 gushtit të vitit 2026, procedura ishte ndarë për të pandehurit Radosavljeviq dhe Dobrac, pasi ata arritën një marrëveshje me Prokurorinë Speciale për të pranuar fajin. Gjykata e miratoi këtë marrëveshje, duke e dënuar Radosavljeviq me nëntë muaj burgim, ndërsa Dobrac me një vit heqje lirie.
Gjatë seancës së sotme, gjyqtari i çështjes, Rrahman Beqiri, nënvizoi se avokati Nikoliq ishte i pranishëm në shqyrtimin e kaluar dhe e kishte dëgjuar vetë datën e re, por mungesën e tij nuk e arsyetoi fare. I pandehuri Maksimoviq shtoi se e kishte takuar mbrojtësin të hënën dhe ishin marrë vesh që ai të paraqitej, por nuk e dinte pse nuk erdhi.
Po ashtu, edhe për avokatin Llaziq, gjyqtari theksoi se ishte njoftuar rregullisht me fletëthirrje elektronike, por nuk dha asnjë shpjegim për mungesën. I mbrojturi i tij, Vuçiniq, tregoi se një ditë më parë kishte komunikuar në telefon me Llaziq dhe ai i kishte konfirmuar pjesëmarrjen, prandaj nuk kishte informacion pse mungonte.
Lidhur me të pandehurin Orloviq, gjyqtari Beqiri kujtoi se vlejnë të njëjtat vlerësime të mëparshme – ai është shpërngulur në Serbi dhe nuk është i pranishëm.
Më pas, me një vendim të veçantë, gjykata ndëshkoi avokatët Nikoliq dhe Llaziq me 500 euro gjobë, për shkak se nuk e justifikuan mungesën e tyre. “Meqë mbrojtësit u thirrën siç duhet dhe nuk u paraqitën pa e arsyetuar, gjykata merr këtë aktvendim: Millosh Nikoliq gjobitet me 500 euro dhe po aq edhe avokati Bogdan Llaziq”, shpjegoi gjyqtari Beqiri.
Gjithashtu, ai paralajmëroi se nëse avokatët nuk paraqiten as në shqyrtimin e radhës dhe nuk japin shkaqe të vlefshme, atëherë Gjykata do të marrë masa për të ecur përpara me seancën fillestare, duke mos përjashtuar mundësinë e caktimit të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare për të pandehurit.
Për të ruajtur të drejtën e mbrojtjes me zgjedhje, seanca e shqyrtimit fillestar u ndërpre dhe do të vijojë në një datë tjetër. Për palët e pranishme, kjo datë shërben si njoftim i rregullt, ndërsa dy avokatët që munguan do të ftohen sërish me fletëthirrje formale.
Në këtë shqyrtim morën pjesë prokurori special Admir Shala, i pandehuri Dushan Maksimoviq, avokatja Donjeta Leka si mbrojtëse e Nenad Orloviq, i pandehuri Sërgjan Vuçiniq dhe i pandehuri Nemanja Joloviq bashkë me mbrojtësin e vet, avokatin Rastomir Petroviq.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën më 10 qershor 2026 ndaj gjashtë personave të sipërpërmendur për vepra kundër rendit kushtetues, duke specifikuar bllokimin e rrugëve në Zveçan gjatë dhjetorit të vitit 2022. Sipas dosjes, grupi kriminal drejtohej nga Milan Radoiçiq, i cili vijon të jetë i pakapshëm për drejtësinë, për pasojë hetimet ndaj tij janë pezulluar.
Aktakuza përshkruan se grupi me në krye Radoiçiq planifikoi strategjinë, koordinimin dhe logjistikën për të ndërtuar barrikada dhe për të hapur gropa në pika strategjike në veri të vendit. Në një njoftim, Prokuroria Speciale bëri me dije se për 11 të dyshuar të tjerë, përfshirë edhe Radoiçiq, hetimet janë pezulluar për shkak se ata janë të paaksesueshëm për organet e ndjekjes penale.
Në pikën e parë të aktakuzës, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq dhe Nemanja Joloviq përshkruhen si pjesëmarrës në një bashkim për të sulmuar rendin kushtetues me forcë, duke vendosur kamiona me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca dhe mjete të tjera në rrugë, si dhe duke gërmuar pozicione pranë barrikadave. Ata akuzohen për “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese” sipas Kodit Penal.
Dushan Dobrac, në pikën e dytë, akuzohet për të njëjtën vepër penale, si dhe për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës”. Sipas prokurorisë, pas ndalimit të Dejan Pantiq më 10 dhjetor 2022 në Jarinjë, strukturat ilegale dhe grupet kriminale u aktivizuan menjëherë për të bllokuar rrugën nga fshati Rudar drejt Jarinjës, në mënyrë që të pengonin dërgimin e Pantiq para organeve të drejtësisë.
Në pikën e tretë, Sërgjan Vuçiniq, në cilësinë e shefit të pastrimit në kompaninë “Standard”, akuzohet se së bashku me të tjerët përdori automjetet e kësaj kompanie për të ngritur barrikada, menjëherë pasi u përhap lajmi i ndalimit të Pantiq. Ai përballet me akuzën e “Bashkimit për veprimtari kundër kushtetuese” dhe “Pengim të personit zyrtar”, duke përfshirë bashkëveprimin me të pandehurin Nenad Orloviq.
Nenad Orloviq, si punëtor i së njëjtës kompani, i maskuar dhe në bashkëveprim me një person të paidentifikuar, akuzohet se mori pjesë aktivisht në bllokimin e rrugëve në fshatin Rudare dhe në udhëkryqin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut. Edhe ai ngarkohet me dy veprat penale të përmendura më sipër.
Dosja zbulon gjithashtu se më 28 dhjetor 2022, në një takim të mbajtur në Rashkë të Serbisë me praninë e Milan Radoiçiq, ish-kryetarëve të komunave veriore dhe ish-pjesëtarëve të policisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq u kërkoi heqjen e barrikadave pas lirimit të Dejan Pantiq. Ky takim përmendet si momenti kur u vendos përfundimi i bllokadave.
Për më tepër, hetimet treguan se të pandehurit komunikonin ndërmjet tyre dhe me persona të tjerë përmes aplikacioneve “Signal” dhe “Viber”. Dosja përfshin edhe zyrtarin e Listës Serbe dhe kandidatin për deputet, Igor Simiq, duke ilustruar rrjetin e koordinimit të veprimeve në veri.
Protestuesit janë mbledhur tek Xhamia, afër Parlamentit, ndërsa thonë se do të vazhdojnë të protestojnë sepse ndihen të vjedhur. Një…
Familja e veprimtarit të vrarë Haki Imeri ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë…
Romancierja, dramaturgia dhe komentatorja britaniko-amerikane Bonnie Greer ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare, pas një sëmundjeje. [...]Read More...
Një zarf që përmbante një plumb dhe një letër me fraza kërcënuese është dërguar në Ministrinë e Arsimit të Italisë,…
LAJM I FUNDIT/ Protestuesit “shkulin” gardhin metalik te Ministria e Brendshme, tentojnë të “çajnë” kordonin e policisë [...]Read More...
Ceremonia e varrimit të ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina do të bëhet të premten, më 18 shtator në…