Kosova mund të përballet sërish me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike gjatë dimrit që po vjen. Prodhimi i brendshëm nuk arrin të plotësojë kërkesën, ndërsa çmimet e larta të importeve e bëjnë edhe më të vështirë sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm.
Më 16 nëntor, Qeveria shpalli masa emergjente 60-ditore, duke përmendur si arsye kryesore çmimet e importit dhe pasigurinë lidhur me kthimin në funksion të njësisë B1 të termocentralit “Kosova B”. Këto masa përfshijnë vënien në punë të hidrocentralit të Ujmanit, veçanërisht gjatë orëve të pikut, reduktimin e konsumit të energjisë në ndërtesat publike dhe ngritjen e një komiteti teknik për mbikëqyrjen e furnizimit.
None found
Në të njëjtën seancë, Qeveria mori dy vendime të tjera që lidhen me tregtinë dhe importin e energjisë. U ndalua tregtimi me kompanitë që kanë lidhje me Serbinë, me përjashtim të transaksioneve që dalin nga marrëveshjet e dialogut për energjinë. Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u ngarkua të sigurojë kapacitete ndërkufitare për import gjatë muajit dhjetor.
Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave, paralajmëron se ndërprerjet e energjisë elektrike në dimër do të godasin në veçanti ndërmarrjet prodhuese, të cilat detyrohen të përdorin gjeneratorë dhe të mbajnë kosto shtesë.
“Fatkeqësisht, do të ketë ndërprerje të rrymës… ndërprerje që do të krijojnë kosto në ekonominë e vendit”, deklaroi Çeku në podkastin “5 Pyetje” të Radios Evropa e Lirë.
Sipas Çekut, politikat energjetike të deritanishme janë fokusuar kryesisht te riparimet e përkohshme të blloqeve të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ai thekson se investimet në kapacitete të reja prodhuese, duke përfshirë ato diellore dhe të erës, kanë qenë të pamjaftueshme.
“Kemi rreth 5.000 megavat hapësirë për të instaluar energji të pastër, por kemi shfrytëzuar vetëm diku 2-3 për qind”, u shpreh ai.
Çeku e lidh mungesën e investimeve në prodhimin vendor me shpenzimet e mëdha për import. Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri me kapacitet 300 deri në 400 megavat në termocentralin “Kosova A” do të kishte ulur ndjeshëm nevojën për blerje të energjisë nga jashtë.
Lidhur me vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me firmat serbe, Çeku tha se nuk pret që ky veprim të ndikojë në çmimin e energjisë.
“Nuk shoh ndonjë hap të mençur në këtë veprim. Energjia nuk i duron mekanizmat apo kornizat politike, është treg i hapur. Ne kemi nevojë të blejmë energji me kosto sa më të ulët për qytetarët dhe bizneset tona”, tha ai.
Ai kërkoi gjithashtu bashkëpunim më të thellë me Shqipërinë në sektorin energjetik, në veçanti për shkëmbimin e energjisë elektrike, duke shfrytëzuar burimet e ripërtëritshme të të dyja vendeve.
“Është e papranueshme dhe e pakuptueshme që kryeministri ynë [Albin Kurti] nuk ulet të bisedojë me kryeministrin e Shqipërisë [Edi Rama] për të zgjedhur bashkëpunimin afatgjatë me KESH-in”, tha ai, duke iu referuar Korporatës Energjetike të Shqipërisë.
Si një alternativë tjetër për diversifikimin e burimeve energjetike, Çeku përmendi gazin amerikan, i cili mund të arrijë përmes Maqedonisë së Veriut, duke sugjeruar ndërtimin e kapaciteteve prodhuese pranë kufirit me këtë vend.
“Masat emergjente nuk e zgjidhin krizën”
Duke folur për masat emergjente të Qeverisë, të parapara për 60 ditë, Çeku shprehu dyshime për efektin e tyre në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
“Nuk besoj se kanë fare efekt”, tha ai për REL, duke iu referuar edhe mundësisë së rritjes së prodhimit nga Ibër-Lepenci në orët e pikut, si një nga masat emergjente, por që sipas tij varet kryesisht nga reshjet dhe sasia e ujit të akumuluar.
Si zgjidhje, Çeku sugjeron rehabilitimin e plotë të blloqeve të Kosovës A dhe Kosovës B, ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe krijimin e kushteve për investime private në energjinë diellore.
Për sa i përket kohës së nevojshme për të ndryshuar gjendjen në sektorin energjetik, Çeku tha se Kosova nuk mund të bëhet e pavarur nga importi brenda një ose dy vjetësh.
“Nuk ka shans që para katër vjetësh të zgjidhet problemi me prodhime të brendshme që mund të krijohen”, tha ai.
Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri kërkon të paktën katër deri në pesë vjet, ndërsa zhvillimi i kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme mund të zgjasë dy deri në tre vjet.
Në kuadër të Ditës së Alfabetit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj nga treva të…
Qytetarët mund të regjistrojnë fletobligacione nga emetimi i katërt deri më 1 dhjetor, në filialet dhe ekspoziturat e bankave afariste…
Në përfundim të Asamblesë së PS në Tiranë, kryeministri teksa ka dalë nga ambientet e Akademisë së Arteve është pritur…
Nesër regjim i posaçëm i komunikacionit në Strugë dhe Ohër, bllokime nga ora 06:00 deri në 17:00.SPB Ohër njofton se…
Nga fillimi i dhjetorit, sistemi i sofistikuar i videokontrollit „Qyteti i Sigurt“ (Safe City) zyrtarisht do të ketë një funksion…
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një qëndrim të ashpër ndaj Iranit dhe kufizime të reja për kompanitë amerikane të…