Zyra e Kryeministrit ia përcolli sot Komisionit Hetimor Parlamentar raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për vrasjen e Arlinda Zekajt, pas kërkesave të vazhdueshme të komisionit. Dokumentet u dorëzuan tri ditë pas ndërprerjes së mbledhjes së së premtes, e cila ishte pezulluar pikërisht për shkak të tyre. Megjithatë, mbledhja e sotme u hap me përplasje ndërmjet opozitës dhe shumicës, përpara se të vijonte pa praninë e mediave.
Kryetari i komisionit, deputeti i AAK-së Burim Ramadani, tha se dorëzimi shënon fillimin e bashkëpunimit institucional për veprimet që duhen ndërmarrë lidhur me rastin. Ai u shpreh para mediave se procesi do të zhvillohet në mënyrë transparente, por pranoi se anëtarët nuk kanë të njëjtat qëndrime. “Kemi pasur qëndrime të kundërta, nuk jemi pajtuar”, tha Ramadani.
None found
Rrahmani: Dokumentet u dorëzuan vetëm një orë para mbledhjes
Eman Rrahmani, përfaqësues i PDK-së në komision, kritikoi vonesën në dorëzimin e raporteve. Ai tha se dokumentet mbërritën rreth një orë para nisjes së mbledhjes dhe nuk ishin të nënshkruara nga ministritë përkatëse, duke ngritur dyshime për vlefshmërinë e tyre. Rrahmani rikujtoi se Zyrës së Kryeministrit i ishte dhënë afat prej tri ditësh dhe pretendoi se ky afat nuk ishte respektuar. Ai kërkoi nga kryesuesi të shqyrtojë nëse mosdorëzimi me kohë i informacionit mund të përbëjë vepër penale.
Rrahmani akuzoi edhe shumicën parlamentare se në mbledhjen e kaluar kishte bllokuar propozimin e opozitës për ta përfshirë Zyrën e Kryeministrit në planin e punës si institucion prej të cilit do të kërkoheshin dokumente. Sipas tij, Zyra, në vend që të ndihmojë në zbardhjen e dështimeve të zinxhirit institucional, po e pengon punën e komisionit.
Rrustemi: Komisioni duhet të përqendrohet te e vërteta për Arlindën
Adnan Rrustemi, zëvendëskryesues i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi që puna të fokusohet në zbardhjen e së vërtetës për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe në vlerësimin profesional të përgjegjësisë së secilit institucion. Ai propozoi që rendi i ditës të votohej pa pikën e dytë dhe që anëtarët të kishin mundësi të propozonin aktivitete ose dëshmitarë të tjerë. Të premten, Rrustemi kishte thënë se komisioni nuk ka arsye të mos i marrë në shqyrtim dy raportet.
Pas diskutimeve, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Në rendin e ditës përfshiheshin plotësimi dhe ndryshimi i Planit të Punës dhe kalendarit të aktiviteteve, përgatitja e një liste paraprake të dokumenteve që do t’u kërkohen institucioneve, si dhe miratimi i buxhetit të komisionit.
Ndërprerja e mbledhjes së së premtes
Mospajtimet brenda komisionit ishin shfaqur edhe më herët. Të premten, mbledhja u ndërpre pasi, sipas Ramadanit, anëtarët e LVV-së kundërshtuan përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve prej të cilave do të kërkoheshin dokumente dhe dëshmi.
Raportet e dy ministrive, gjetjet e të cilave u bënë publike nga ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Xhelal Sveçla, kanë identifikuar disa mangësi institucionale. Ato përfshijnë vonesat e policisë në zbatimin e masave mbrojtëse, probleme në trajtimin e rastit nga prokuroria dhe zvarritje në procedurat gjyqësore. Gërvalla ka deklaruar se pret që komisioni hetimor të ndihmojë në zbardhjen e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve.
Vrasja që tronditi Kosovën
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra në mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili u arrestua pas dy ditësh në arrati dhe aktualisht ndodhet në paraburgim. Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje institucionale për shkak të dhunës në familje, përfshirë edhe disa orë para se të vritej. Ajo ishte gruaja e tetë e vrarë në Kosovë gjatë këtij viti.
Më 29 tetor, pas vrasjes, Këshilli Prokurorial i Kosovës pezulloi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri. Po ashtu, Policia e Kosovës, me rekomandim të Inspektoratit Policor, pezulloi 11 zyrtarë, përfshirë drejtues të lartë të policisë në rajonin e Pejës. Pezullimet janë të përkohshme dhe nuk nënkuptojnë përcaktim të fajësisë.
Kuvendi e krijoi komisionin hetimor më 29 tetor, me 90 vota pro dhe asnjë votë kundër. Trupi përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat deri në gjashtë muaj. Raporti i parë pritet të paraqitet në përfundim të 60 ditëve të para.
Një incident i rëndë dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, ku djali…
E ardhmja e Dayot Upamecanos te Bayern Munich mund të varet nga një detaj i kontratës së tij të re,…
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në seancë plenare kërkesën e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), që kundërshton rregulloren…
Partia Socialiste paralajmëron se do të vijojë me propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nëse Partia Demokratike nuk…
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, Elmi Reçica dhe Ariana Musliu Shoshi e kanë takuar të hënën me…
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.…