Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht që nga vitet ’90, mbetet e ngushtë për shkak të rolit vendimtar që Amerika pati në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
Këtë e theksoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në hapje të veprimtarisë së mbajtur në kryeqytet për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, me titull “America and Kosovo: A Freedom Story for the Next 250 Years” (Amerika dhe Kosova: Një histori lirie për 250 vitet e ardhshme).
None found
Aktiviteti u zhvillua dy ditë para 250-vjetorit të pavarësisë amerikane dhe njëkohësisht në 36-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës.
Sipas Ramës, të dyja këto ngjarje lidhen mes vete, pasi shprehin vullnetin e popujve të të dy vendeve për liri, demokraci dhe vetëvendosje. Ai nënvizoi se Deklarata e 2 Korrikut 1990 mbart një rëndësi të jashtëzakonshme.
“Ajo deklaratë ishte një akt guximi. Ajo pasqyronte një besim të palëkundur se liria do të triumfonte. Ajo u bë themeli kushtetues dhe demokratik mbi të cilin vazhdoi rrugëtimi i Kosovës drejt shtetësisë. Sot, ndërsa kremtojmë 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, na kujtohet se historitë e kombeve tona janë të lidhura përmes idealeve të përhershme: lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, dhe mbi të gjitha, sundimit të ligjit dhe besimit se çdo popull ka të drejtë të formësojë të ardhmen e tij. Këto ideale frymëzuan lindjen e Shteteve të Bashkuara 250 vjet më parë. Ato frymëzojnë rrugëtimin demokratik të Kosovës. Ato vazhdojnë të udhëheqin të ardhmen tonë të përbashkët. Kur Kosova përballej me momentet më përcaktuese të historisë së saj, Shtetet e Bashkuara qëndruan pranë popullit tonë. Ato i dhanë forcë shpresës sonë. Ato mbrojtën parimet që ne i çmojmë. Ato ndihmuan në krijimin e kushteve në të cilat liria mund të lulëzonte. Për këtë, populli i Kosovës do të mbetet përjetësisht mirënjohës”, tha Rama, raporton KosovaPress.
Ai shtoi se në kohën kur bota po kalon ndryshime të thella gjeopolitike dhe demokracia po vihet në sprovë në shumë vende, Kosova mbetet e vendosur në orientimin e saj euroatlantik, si edhe në miqësinë dhe partneritetin me SHBA-në.
Në këtë kuadër, Rama njoftoi se në emër të qytetarëve të Prishtinës, 4 korriku, dita e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, do të shpallet si Dita e Miqësisë Amerikane në Prishtinë.
“Në një kohë kur bota përballet me ndryshime të thella gjeopolitike, kur demokracia sfidohet në shumë vende dhe kur liria kërkon përkushtim të ripërtërirë, aleancat e bazuara në besim, vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë bëhen më të rëndësishme se kurrë. Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj euroatlantike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj demokracisë, ndaj lirisë, ndaj paqes dhe ndaj qëndrimit krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komunitetin demokratik të botës. Dhe sot, më 2 korrik, një ditë që simbolizon zgjedhjen demokratike të Kosovës dhe përkushtimin e saj të palëkundur ndaj lirisë, kam nderin të shpall një vendim simbolik të kryeqytetit tonë: Në emër të qytetarëve të Prishtinës, shpallim zyrtarisht 4 korrikun 2026 si Ditën e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”, tha Rama, raporton KosovaPress.
Gjatë kësaj ngjarjeje, kryetari i Prishtinës i dorëzoi profesorit amerikan Daniel Serwer Çelësin e Prishtinës. Ndërkaq, profesorit tjetër amerikan, Eduard Josephit, Besa Pinchottit, shefes Ekzekutive të Shoqatës Kombëtare të Familjeve të Ushtarakëve me seli në Uashington, si dhe ish-pjesëtarit të Marinës Amerikane që ka shërbyer në Kosovë, Sg.t Maj. Mario Marquez, iu nda titulli “Goddes of the Throne” (Mbretëresha në Fron).
Në fjalën e tij, Daniel Serwer, i angazhuar me çështjen e Kosovës që nga vitet ’90-ta, dha mesazhe të forta politike. Ai tha se vendi duhet të dalë nga kriza politike që po vazhdon prej gati një viti e gjysmë, periudhë gjatë së cilës institucionet nuk kanë funksionuar me kapacitet të plotë. Sipas tij, një situatë e ngjashme po ndihet edhe në Shtetet e Bashkuara.
Serwer theksoi se Kosova duhet ta zgjedhë sa më shpejt presidentin ose presidenten e re, në mënyrë që të ecet përpara me çështjet e tjera.
“Ju jeni të vetëdijshëm se Kosova sot ka një krizë politike. Keni kaluar një vit, një vit e gjysmë në një situatë të vështirë ku institucionet nuk kanë funksionuar aq mirë sa do të dëshironit. Unë ndiej të njëjtën gjë për institucionet tona në Shtetet e Bashkuara. Ne po përjetojmë një krizë besimi pikërisht në ato ideale që ju i vlerësoni kaq shumë. Mendoj se do ta kalojmë këtë periudhë. Shpresoj që ju ta kaloni krizën tuaj më shpejt se ne tonën. E juaja është më pak një krizë vlerash dhe më shumë një krizë fragmentimi politik normal. Shpesh njerëzit më pyesin këtu në Kosovë, edhe kur erdha më herët këtë javë u përpoqa të mos përgjigjesha por tani jam më i sigurt në përgjigjen time, ndaj do ta them: Mendoj se duhet të zgjidhni një president. Mendoj se duhet të formoni një qeveri. Dhe të përfundoni këtë proces. Shpesh më pyesin cilat duhet të jenë prioritetet e Kosovës. Dhe nga bisedat tona këtu, edhe pse kemi folur me dhjetëra njerëz, jo me mijëra apo qindra mijëra, mendoj se ka një konsensus të qartë: NATO tani, BE së shpejti”, tha Serwer, raporton KosovaPress.
Megjithatë, sa i takon anëtarësimit në NATO, ai vlerësoi se Kosovën e pret një proces i vështirë diplomatik, jo vetëm për shkak të vendeve mosnjohëse, por edhe për shkak të vetë Shteteve të Bashkuara, të cilat, sipas tij, aktualisht nuk e kanë këtë çështje në agjendë. Ai i inkurajoi politikanët kosovarë që të punojnë fort për ta kthyer Kosovën në fokusin e administratës amerikane.
“Ju pret një rrugë e vështirë diplomatike drejt NATO-s, jo vetëm për shkak të shteteve mosnjohëse, por edhe për shkak të Shteteve të Bashkuara. E dëgjuat çfarë tha Sekretari Rubio kur u pyet për Kosovën, ai tha se ‘nuk është në agjendë tani’. Ju do të duhet ta vendosni në agjendë, dhe ta vendosni në mënyrë pozitive duke treguar se anëtarësimi i Kosovës në Aleancë shton siguri, nuk e zvogëlon atë. E njëjta gjë vlen edhe për Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur së fundmi një politikë për Ballkanin Perëndimor që nuk e përmend opinionin tuaj. Për mua kjo është e papranueshme, sepse e lë Evropën të paqartë. Evropa nuk duhet të jetë kurrë e shkëputur nga Shtetet e Bashkuara. Dhe sigurisht Kosova nuk duhet të jetë e shkëputur nga Evropa. Prandaj shpresoj që, ndërsa bëheni më seriozë për NATO-n, të bëheni po aq seriozë edhe për Bashkimin Evropian. Dhe kjo nuk nënkupton vetëm miratimin e ligjeve dhe përmbushjen e acquis-it, por edhe kriteret e Kopenhagës: demokraci, sundim i ligjit dhe liri ekonomike”, tha Serwer.
Edhe profesori amerikan Edëard Joseph, ndonëse ishte në Prishtinë, rikujtoi periudhën kur kishte shërbyer si zëvendës administrator i UNMIK-ut (OKB-së) në Mitrovicë, për të cilën u shpreh se ende nuk është 100 për qind e “rehatuar”.
Ai deklaroi se serbët e Kosovës në Mitrovicë të Veriut përballen me presion nga Beogradi, i mbështetur nga Moska dhe Pekini.
“Kam shërbyer si zëvendësadministrator në Mitrovicë për UNMIK-un, dhe aty kemi parë përplasje shumë të vështira dhe të dhimbshme. Dhe, sigurisht, situata në atë zonë ende nuk është 100% e zgjidhur. Ne e dimë gjithashtu, siç e thashë, situatën në Mitrovicë dhe vështirësitë atje përfshirë ndikimin e Beogradit përmes strukturave politike dhe tensioneve të vazhdueshme. E di gjithashtu për ndërhyrjet dhe presionet që vijnë nga Beogradi, të mbështetura edhe nga Moska dhe Pekini. Por kjo nuk është një qasje “nga lart-poshtë”. Nuk është që ne në Amerikë jemi më lart dhe ju themi çfarë të bëni. Ne jemi së bashku në këtë rrugëtim. Është një partneritet. Secili ka përgjegjësitë e veta ne në SHBA dhe ju këtu në Kosovë. Dhe ajo që duhet të bëjmë është të ecim bashkë si partnerë”, tha Joseph.
-Partia politike LSDM, në koalicion me partinë politike Levica, paraqitën 13 mijë amendamente për të penguar bashkatdhetarët tanë në diasporë…
Sistemi “Qytet i Sigurt” së shpejti do të mundësojë dërgimin e gjobave edhe për drejtuesit e automjeteve me targa të…
Para pak më shumë se tre dekada, një djalë i ri nga Gostivari mbërrin në Zvicër me një kontratë sezonale…
Pas mbledhjes së presidencës së VLEN-it të mbajtur sonte është marrë vendim që përfaqësuesit e saj në Qeveri të jenë…
Vera për të rinjtë do të thotë më shumë lëvizje, më shumë plan edhe më shumë momente për t’u shijuar,…
Dyzet e një punonjës të kompanisë "Mikrosam" me seli në Prilep kanë pasur simptoma të helmimit me ushqim pas vaktit…