Categories: kosovë

Rama replikon ashpër me kritikët e Ukrainës për Kosovën, analistët shprehin rezerva të thella

Një valë debatesh të ashpra politike është shkaktuar pas deklaratës së presidentit Volodymyr Zelensky se Ukraina nuk ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Edi Rama reagoi duke sulmuar ata që, sipas tij, e kanë shndërruar solidaritetin me Ukrainën në një çështje përfitimi dhe përllogaritjeje gjeopolitike.

Të lidhura

None found

“Miku im i shtrenjtë, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe deklaroi se Ukraina kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm në Tiranë e Prishtinë nxorën kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të heqim dorë nga brohoritjet për të lirët dhe vajtimi për të bombarduarit. Më të pakujdesshmit na akuzuan pse nuk i kthyem shpinën Ukrainës. Disa madje brohoritën për Rusinë!”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se qëndrimi i Kievit ndaj Kosovës nuk duhet të kushtëzojë përkrahjen për të, duke nënvizuar se Shqipëria ka për detyrë të mbrojë të drejtën e ukrainasve për pavarësi dhe vetëmbrojtje kundër agresionit rus.

“Ukraina mund të gabojë, dhe po gabon, për Kosovën, por e drejta e saj për liri është e patjetërsueshme dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për ne vetë. Këto të vërteta qëndrojnë fare mirë bashkë. Shqipëria është mjaft e pjekur t’i mbajë të dyja dhe do t’i mbajë. Prandaj, po: UKRAINA E LIRË. Sot, nesër dhe përgjithmonë.”

Megjithatë, lind pyetja nëse kjo qasje është e mjaftueshme përballë interesave të Kosovës. A duhet Tirana ta mbështesë Ukrainën pavarësisht mohimit të njohjes, apo politika e jashtme e Shqipërisë duhet të peshojë edhe interesat e Prishtinës?

A përbën shqetësimi për mosnjohjen e Kosovës një reagim të natyrshëm kombëtar, apo, siç e përshkruan Rama, një manifestim të “nacionalizmit folklorik”? Dhe sa e qëndrueshme është diplomatikisht linja e kryeministrit, kur kritikat ndaj Kievit për Kosovën vihen në të njëjtin rrafsh me qëndrimet pro-ruse?

Për këtë temë, për “Bota sot” dhanë mendimet e tyre opinionisti Skënder Kapiti dhe publicisti Llesh Ndoj.

Kapiti: “Derisa Rama të jetë kryeministër, Kosova të mos shpresojë për mbështetje”

Opinionisti Skënder Kapiti mban një qëndrim të prere kundrejt kryeministrit Rama, duke theksuar se Kosova nuk duhet të llogarisë në një përkrahje të sinqertë nga Tirana gjatë mandatit të tij.

“Për sa kohë që Edi Rama drejton qeverinë shqiptare, Kosova të mos presë asnjëherë ndihmë, përkrahje apo sinqeritet. Deklarata e Zelenskit se Ukraina s’do ta njohë Kosovën vjen në një moment kur Kosova dhe Shqipëria, megjithëse dy shtete të dobëta politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nuk duhet të dalin në ballë të ngjarjeve ndërkombëtare, sepse askush nuk ua vë veshin.

Të mos përsërisin gabimin e Enver Hoxhës, regjimi i të cilit shante Perëndimin gjithë ditën, aq sa edhe Stalini i kishte këshilluar të ndalonte, sepse nuk i kishte fuqitë të mbante mbi supe rolin e armikut kryesor të imperializmit.

Më tregoni ju në Kosovë një rast kur Edi Rama i ka dashur të mirën Kosovës, pasi ai përherë ka mbajtur qëndrime kundër saj, si me fjalë ashtu edhe me vepra. Mos ju habitni pse Rama qëndron me Ukrainën, sepse ai historikisht ka qenë më pranë Beogradit sesa Prishtinës. Deklaratat e tij janë në sinkron me Beogradin”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Më tej, Kapiti e ndërlidh qëndrimin e tij me marrëdhëniet ukrainase-kosovare dhe zhvillime të tjera rajonale, duke hedhur kritika edhe ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani për vendimmarrjet e saj lidhur me Ukrainën dhe UÇK-në.

“Por, me këtë rast, kujtoj edhe mënyrën se si ish-Presidentja Osmani dekoroi ushtarë ukrainas, ndërkohë që nuk nderoi asnjë luftëtar të UÇK-së nga Shqipëria, kur dihet se Ukraina e ka përkrahur ushtarakisht Maqedoninë kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Dhe si është e mundur që kjo ish-presidente, me ndihmën e Edi Ramës dhe koalicionit me PDK, LDK e AAK, ndërmori një dekret antikushtetues për një puç institucional parlamentar, duke e shtyrë Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Dhe ajo synonte të rizgjidhej presidente, por anëtarësia e LDK-së e bëri zgjedhjen e duhur, pasi pavarësisht se ishte në krye të listës, i dhanë vota që e diskualifikuan si figurë të rëndësishme politike, një pozicion që ia kishte dhënë gabimisht Albin Kurti. Dhe çfarë pret Kosova nga Rama?”

Opinionisti përmend gjithashtu një varg pohimesh dhe qëndrimesh të mëparshme të Ramës, për të argumentuar se ai nuk ka zhvilluar një politikë në favor të Kosovës.

“A nuk deklaroi ai se Mitrovica e Veriut është tokë e askujt; se janë gomarë ata që kundërshtojnë ndarjen e Kosovës; a nuk anuloi mbledhjet e dy qeverive sepse Kosova shtriu autoritetin shtetëror mbi gjithë territorin; a nuk ishte ai që propozoi një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe vendosjen e Veriut nën pushtetin e NATO-s për të mbrojtur minoritetin serb, me synim përçarjen e Kosovës. Të pohosh se ky e do Kosovën, duke u shprehur hileqar se Serbia e ka humbur Kosovën, këtë vetëm Beogradi e ka thënë, pasi kjo nënkupton se Kosova i përkiste Serbisë, por tani e ka humbur. Pra, Rama nuk thotë se Kosova e ka fituar lirinë dhe shtetin e saj, se Kosova është shqiptare.”

Kapiti e interpreton qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës si një përllogaritje diplomatike të Kievit dhe vë në dyshim përfitimin që kanë shqiptarët nga mbështetja për një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nëse Ukraina nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën, çfarë interesi kanë shqiptarët ta mbrojnë atë? Kush nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës, politika e jashtme e atyre vendeve është e njëjtë me atë të Kinës, Rusisë e të tjerëve.

Diplomacia, në fund të fundit, bazohet në llogari dhe Ukraina e bën këtë llogari mirë, duke menduar se është më e leverdishme të mos e njohë Kosovën për t’i bërë qejfin Serbisë, e cila është aleatja kryesore e Rusisë dhe Kinës në Ballkan. Politika e Tiranës ka ushtruar gjithmonë një diplomaci të pabesë ndaj Kosovës, por Edi Rama këtë pabesi e shfaq gjithmonë hapur.”

Si përfundim, Kapiti i bën thirrje Kosovës që të ndjekë një politikë më të kujdesshme dhe pragmatike, duke paralajmëruar se Prishtina nuk duhet të marrë përsipër detyrime që i tejkalojnë kapacitetet e saj politike e diplomatike.

“Edhe Kosova të mos i marrë mbi vete barrë që s’i përballon dot, të mos imitojë diktaturën e Enver Hoxhës, e cila e shndërroi Shqipërinë në të vetmin vend ateist të botës dhe e vendosi atë në kundërshtim me botën demokratike. Kosova ka nevojë për një politikë të urtë, të peshuar, reale dhe proporcionale me fuqitë e veta, jo emocionale dhe të nxituar. Nuk mund të shpresosh ndihmë nga një kryeministër, gjysma e qeverisë së të cilit gjendet në burg për korrupsion.”

Ndoj: Reagimet qytetare në Kosovë e Shqipëri ndaj Zelenskit janë të pranuara dhe plotësisht të justifikuara

Nga ana tjetër, publicisti Llesh Ndoj vlerëson se deklaratat e Zelenskit mund të shihen edhe në dritën e konfliktit në Ukrainë dhe nevojës së Kievit për të siguruar aleatë ndërkombëtarë.

Në bisedën me “Bota sot”, Ndoj rrëfen se reagimi i tij fillestar si shqiptar ishte negativ, por më pas, duke marrë parasysh rrethanat dramatike të Ukrainës, e rishikoi analizën e tij.

“Politika e jashtme dhe diplomacia nuk mund të jenë terrene ku vepron folklori, as ara ku secili mund të mbjellë domate, speca, trëndafila apo ferrëza. Edhe fjalët e mia që vijojnë të tilla konsiderojini, sepse fusha për të cilën doni mendimin tim nuk bën pjesë në ato ‘ara’ ku unë zotëroj kompetencë për të lëvruar me mendimet e mia modeste.

Megjithatë, kam mendimin tim, të cilin, me modesti dhe në respekt të kërkesës suaj, po e ndaj me ju.

Si çdo shqiptar, kur dëgjova shprehjen e Zelenskit në Beograd dhe qëndrimin e tij për çështjen e Kosovës, u indinjova dhe thashë ‘djall vafsh’ me politikën tuaj. Por shpejt u përmblodha dhe mendova: a t’i hedhim një vështrim kushteve ku gjenden Ukraina dhe Presidenti Zelensky?! Logjika më drejtoi të mendoj se ata ndodhen përballë një rreziku ekzistencial dhe po përpiqen të sigurojnë armë e municione kundër Rusisë së Putinit, në kushte krejtësisht të pabarabarta numerike, ushtarake dhe diplomatike. Mendoj se mendimi i Zelenskit shkon atje ku i dhemb më shumë: të shkëpusë ç’të mundet nga një sferë proruse në këtë luftë rraskapitëse mbi katërvjeçare.”

Ndoj e quan të kuptueshëm revoltën e qytetarëve në Kosovë dhe Shqipëri, por bën dallimin midis reagimit publik dhe përgjegjësisë institucionale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Reagimet popullore në Kosovë e Shqipëri ndaj Zelenskit janë të pranueshme dhe krejtësisht të motivuara, ndërsa politikat qeveritare shfaqin mangësi të dukshme. Kosova, me sa di unë, për arsye të gjendjes së saj në procesin e shtetformimit, nuk ka pasur një reagim. Kjo, sipas meje, është shumë e dëmshme. Qeveria shqiptare reagoi përmes Ministrit përgjegjës dhe Kryeministrit. Ajo përmbushi thjesht një pjesë të detyrës. Si shqiptarë, reagimi m’u duk i vakët, por si shtetar që i duhet të ruajë ekuilibrin në ujërat e trazuara të politikës ndërkombëtare, reagimi i tyre m’u duk i saktë. Rasti i Kosovës është i pakrahasueshëm, ajo nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë çështje e brendshme e askujt përveç shqiptarëve, dhe kjo ishte diplomatikisht e mjaftueshme.”

Sidoqoftë, Ndoj kritikon disa nga shprehjet e përdorura nga Rama në planin e brendshëm kombëtar, duke argumentuar se politika duhet të jetë më e ndjeshme ndaj çështjeve që prekin identitetin dhe unitetin shqiptar.

“Ndërsa në planin diplomatik të jashtëm gjuha e Ramës m’u duk e drejtë, në planin e brendshëm kombëtar disa cilësime të tij meritojnë kritika. Për arsye subjektive dhe fajesh të dy liderëve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, prej kohësh forcat që duhej të garantonin kohezionin e brendshëm proshqiptar po lëvizin në drejtim të kundërt. Sado folklorizma, ato që përbëjnë boshtin e të qënit shqiptarë duhet të mbrohen me më shumë kujdes nga politika, andej e këtej. Përçarjen tonë e do vetëm Serbia me idetë e saj hegjemoniste.”

Publicisti vlerëson se Rama, pavarësisht kufizimeve, ka një performancë më të mirë në politikën e jashtme sesa në atë brendashqiptare dhe se përkrahja për Ukrainën duhet të vijojë.

“Rama, megjithë kufizimet, në politikën e jashtme performon më mirë se në atë brendashqiptare. Nuk e përkrahu Zelenskin, por konfirmoi vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Pse? Ne gjithmonë duhet t’i mbështetim vendet që janë ose rrezikojnë të bien pre e politikave nacionaliste-gllabëruese të të tjerëve, pasi kështu mbrojmë veten. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë: mbështetja jonë mbetet thjesht simbolike. Prandaj kam bindjen se në kushte paqeje (shpresoj të vijë edhe për Ukrainën!), Rama do t’ia kishte përplasur në fytyrë Zelenskit qëndrimin e tij kundërshtues.

Diplomacia kërkon mendje të ftohta, ndërsa armët po vringëllojnë rreth nesh, jo si koncept, por si realitet”, përmbylli Llesh Ndoj për “Bota sot”.

të fundit

Arsenali mund ta transferojë Osimhenin përmes një shkëmbimi gjigant prej 155 milionë eurosh

Kampioni i Anglisë, Arsenali dhe ai i Turqisë, Galatasaray, mund ta bëjnë një nga shkëmbimet më të mëdha në histori…

3 minutes ago

Zhernovski accuses Mucunski of contradictory statements: Government has no results on European integration

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Andrej Zhernovski, akuzoi Ministrin e Jashtëm dhe zv. kryeministrin, Timço Mucunski për dhënien e…

4 minutes ago

Ibrahimi: The Ohrid Agreement Stopped the Conflict, but Albanians Remained a Minority

Vërtet Marrëveshja e Ohrit ka merita, sepse e ndali konfliktin, e korrigjoi pabarazinë në Maqedoni, e ngriti përfaqësimin e qytetarëve…

4 minutes ago

DPHM warns of storms across most of Macedonia this afternoon

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) paralajmëroi se këtë pasdite ka kushte për stuhi me shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta,…

4 minutes ago

Shërbimi Korrektues i Kosovës përforcohet me 100 zyrtarë të rinj

Të premten është organizuar ceremonia e diplomimit të 100 zyrtarëve të rinj korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në Akademinë…

5 minutes ago

Spasovski calls for institutional accountability over the poisoning of thousands of citizens in Gostivar

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski theksoi se institucionet kompetente shëndetësore duhet të jenë përgjegjëse për katastrofën e…

5 minutes ago