kosovë

Qeveria e Kosovës për lirinë e shtypit: Ka rënie të standardit të mediave

Qeveria në detyrë e ka hedhur poshtë raportin vjetor për lirinë e shtypit në Kosovë të organizatës Reporterët pa Kufij, duke thënë të premten se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, por rënie të standardit të mediave.

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Të lidhura

None found

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se raporti i Reporterëve pa Kufij “nuk e pasqyron gjendjen e vërtetë” në Kosovë.

“Ajo çka shohim ndër vite është rënie e standardit të mediave. Kur ky standard në rënie ballafaqohet me kundërpërgjigje si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet që janë subjekte të raportimeve joprofesionale, ato cilësohen si sulme dhe kërcënime, që pastaj përfshihen në raporte ndërkombëtare si ky i Reporterëve pa Kufij”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie në raportin vjetor të kësaj organizate, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Kryeziu tha se “Kosova jo që nuk mund të jetë më keq se Serbia, por ajo gëzon dukshëm më shumë liri të mediave në rajon e gjetiu”.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij tw premten, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se është i “alarmuar me rënien e re, drastike” të Kosovës në renditjen e indeksit vjetor për lirinë e shtypit.

“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy vjetëve të fundit të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike, Vetëvendosje”, u tha në reagimin e AGK-së.

Raporti gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sa i përket ligjit për KPM-në – tashmë i shfuqizuar – nga Reporterët pa Kufij ai u cilësua si kundërthënës që “rrezikon edhe më tej të pengojë pavarësinë” e KPM-së.

Ndërkohë, në fillim të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua për bojkotimin e mediave.

Në janar, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i kërkuan Vetëvendosjes të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

Vetëvendosje kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

Ajo nuk përmendi emra, por në reagimet e mëhershme të organizatave mediatike thuhej se bëhej fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.

“Para zgjedhjeve të përgjithshme, disa media private u bojkotuan nga Qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim sa i përket qasjes në informacione publike, veçmas në gjuhën e tyre”, u tha në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Vetëm gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Më 2023, numri ishte më i lartë, 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”./REL

të fundit

Gjilan, Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit për vrasjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim ndaj B.D., i dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës 3-muajshe. Sipas njoftimit…

3 seconds ago

Milani synon Endrickun në janar, por Mourinho mbetet pengesë për transferimin

Milani po planifikon të bëjë një tjetër përpjekje për transferimin e sulmuesit të Real Madridit, Endrick, gjatë afatit kalimtar të…

5 minutes ago

Sam Altman: Inteligjenca artificiale ka tejkaluar shkencëtarët më të mirë në shumë fusha

Modelet e avancuara të inteligjencës artificiale kanë shënuar një përparim të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar në shumë fusha aftësitë e shkencëtarëve…

9 minutes ago

Para daljes në bursë, Anthropic paralajmëron për rreziqe katastrofike të IA-së për njerëzimin

Kompania Anthropic ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale (IA) mund të përbëjë “rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin”, teksa ka zbuluar…

10 minutes ago

Punëkryesi gjobitet me 1,000 euro për rrugën e hapur ilegalisht në Bjeshkën e Lybeniqit

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se punëkryesi që ka hapur ilegalisht një rrugë në Bjeshkën e Lybeniqit është…

11 minutes ago

Katër raste të konfirmuara me fruth në Maqedoni, MSH u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen me MMR

Në vend janë regjistruar katër raste të konfirmuara laboratorikisht me fruth, njëri prej të cilëve është rast i importuar, në…

16 minutes ago