Categories: kosovë

Qarri kërkon përgjegjësi për Serbinë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Të martën, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, përfaqësoi Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Në mbledhje ai paraqiti qëndrimet e Kosovës për zhvillimet politike e të sigurisë, krimet e luftës dhe raportin e UNMIK-ut.

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, e vlerësoi paraqitjen e Konjufcës si dinjitoze dhe tha se ai përcolli mesazhe për përgjegjësinë e Serbisë, të drejtat e viktimave dhe synimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e OKB-së.

Të lidhura

None found

“Sipas bindjes sime, në mbledhjen e fundit të OKB-së, Kosovën e përfaqësoi me dinjitet zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca. Ai ia rikujtoi botës së qytetëruar gjenocidin shtetëror dhe qindra masakrat e kryera nga Serbia gjatë luftës ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Njëkohësisht, paraqiti qëndrimet konstruktive të vendit për zhvillimet e tanishme politike dhe të sigurisë, si dhe foli për përparimin e arritur dhe sfidat me të cilat përballet Kosova, ndër të tjera për shkak të veprimeve të hapura të Serbisë kundër saj.

Paraqitja e z. Konjufca në OKB ishte e suksesshme dhe me përmbajtje të rëndësishme. Ai përcolli mesazhe të forta, të mbështetura në argumente e të dhëna të dokumentuara, duke rikujtuar para vendeve pjesëmarrëse vrasjen e më shumë se 12 mijë civilëve të pafajshëm dhe zhdukjen e 1577 personave, mes tyre 109 fëmijë. Trupat e tyre nuk janë gjetur dhe as sot nuk dihet gjë për gjurmët e tyre”, deklaroi Qarri.

Qarri përmendi edhe kërkesën për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë Milan Radoiçiqin dhe Serbinë.

Ai foli gjithashtu për kundërshtimin e raportit të UNMIK-ut për Kosovën, të cilin e cilësoi të ndikuar nga propaganda serbe, si dhe për kërkesën që Kosova të anëtarësohet në OKB.

“Mendoj se zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Konjufca, e përfaqësoi denjësisht Kosovën. Me të drejtë dhe në mënyrë të arsyeshme kërkoi që të mbajnë përgjegjësi autorët e sulmit terrorist ndaj vendit, përfshirë kryeterroristin Millan Radojçiq, i cili vazhdon të jetojë i lirë në Serbi, si dhe sponsorizuesi i tyre, Serbia hegjemoniste. Ata tentuan një invazion klasik në territorin e Kosovës dhe vranë policin në detyrë, tashmë heroin z. Afrim Bunjaku.

Z. Konjufca e kundërshtoi raportin e UNMIK-ut për Kosovën dhe e quajti të papranueshëm, pasi sipas tij është ndikuar nga propaganda serbe. Po ashtu, kërkoi që Republika e Kosovës të pranohet si shtet i pavarur dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota e familjes globale të shteteve në OKB”, theksoi ai.

Sipas Qarrisë, mesazhet e dhëna në mbledhje duhet të shoqërohen me veprime konkrete ndërkombëtare, veçanërisht me trysni ndaj Serbisë. Ai kërkoi kthimin e trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Argumentet që z. Konjufca paraqiti para bashkësisë ndërkombëtare duhej të mjaftonin që, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, OKB-ja të merrte masa urgjente dhe të ushtronte presion të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë. Kjo do të duhej ta detyronte të ndryshonte qasjen ndaj Kosovës, të kthente trupat e shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar dhe ta njihte shtetin e pavarur të Kosovës. Kështu do të garantohej qëndrueshmëria politike në rajon dhe paqja afatgjatë në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.

Për ngecjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare përgjegjësia nuk i takon vetëm Serbisë. Ndikim kanë edhe përplasjet partiake, bllokadat institucionale dhe ngërçet politike, të zbatuara aktivisht nga një opozitë e inkriminuar, që e lanë vendin për gati 2 vite pa institucione legjitime e qeverisje stabile. Kosova nuk arriti të shfrytëzonte as mundësitë që iu krijuan, sidomos pas nisjes së okupimit rus të Ukrainës dhe protestave masive studentore që prej më shumë se dy vitesh po zhvillohen në Serbi. Këto zhvillime mund t’i shërbenin Kosovës për ta mundur Serbinë edhe në politikën e jashtme dhe në rrafshin ndërkombëtar”, shtoi ai.

Qarri komentoi edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Sipas tij, kundërshtimi i Beogradit ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe zhvillimet politike të brendshme kanë penguar përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

“Serbia i është kundërvënë publikisht edhe vetë BE-së. Fillimisht refuzoi t’u bashkohej sanksioneve që Bashkimi vendosi kundër Rusisë, e më pas u dha shtetësi oligarkëve rusë të sanksionuar nga Ukraina e SHBA. Përfaqësuesit e BE-së i shohin këto veprime si kërcënim të hapur për migrimin e paligjshëm drejt Bashkimit dhe si rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e tij. Më vonë, përkeqësimi i sundimit të ligjit në Serbi e rëndoi situatën. Këto veprime bënë që Serbia, e cila dikur ishte ndër vendet kryesuese në procesin e integrimit evropian dhe hapi kapitullin e fundit në dhjetor të vitit 2021, të ngecë për afro pesë vite në negociatat e anëtarësimit.

Protestat që po vazhdojnë pa ndërprerje në Serbi prej gati dy vitesh mund ta çojnë Vuçiqin për herë të parë në opozitë, pas kaq vitesh në pushtet. Kjo mund të mos ndodhë nëse Rusia e ndihmon sërish me metodat e saj destruktive, të cilat mund të përcaktojnë edhe fituesin e zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi”, tha Qarri.

Ai kritikoi më tej partitë opozitare për bllokimin e institucioneve dhe mungesën e bashkëpunimit me Qeverinë. Sipas analistit, koordinimi më i mirë politik do të ndihmonte në forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe në përparimin drejt integrimit euroatlantik.

“Zhvillimet ndërkombëtare i ofruan Kosovës mundësi të mëdha përgjatë më shumë se 5 viteve për t’iu kundërvënë me sukses Serbisë dhe atyre që nuk ia duan të mirën vendit. Por partitë opozitare penguan çdo nismë e proces pozitiv, në vend që të ishin më largpamëse, të bashkuara dhe konstruktive. Një bashkëpunim me Qeverinë legjitime, me veprime të përbashkëta dhe të koordinuara, do t’i shërbente Kosovës, forcimit të shtetndërtimit, integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO.

Po të kishte pasur bashkëveprim të unifikuar në politikën vendore dhe shembuj pozitivë në praktikë, besoj se edhe qëndrimet e shteteve anëtare të OKB-së ndaj Kosovës do të ishin më të mira. Do të mund të vinin njohje të reja dhe anëtarësime në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, deri te përshpejtimi i pranimit të suksesshëm të vendit tonë në OKB, synimi më i madh i popullit dhe shtetit tonë të ri, Republikës së pavarur të Kosovës.

Megjithatë, disa elementë destruktivë po zgjedhin përçarjen në vend të bashkëpunimit mes partive dhe koordinimit mbarëshqiptar në të mirë të Kosovës. Vetëm pak ditë pas votimit të ligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjes së Presidentes me shumicën dërrmuese të votave të deputetëve, ata kërkojnë sërish që i njëjti ligj të kthehet në Kuvend dhe kërcënojnë me trazira për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës. Njerëz që për vite bashkëjetuan vëllazërisht me komunën paralele serbe në “kazanë” e tyre, për fat të keq duan ta shohin Kosovën sërish mes luftës e flakëve. Kjo ngjall frikë se mund të ketë të papritura të tjera nga duart e zgjatura të Serbisë, të cilat dëshmohet se janë ende aktive në Kosovë dhe mund të sulmojnë në çdo çast sigurinë e shtetit, qetësinë shoqërore, zhvillimin dhe të ardhmen e vendit”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

të fundit

Beogradi mbushet me mijëra protestues, studentët përballen me Vuçiçin në zgjedhjet e së dielës

Mijëra studentë dhe qytetarë kanë mbushur rrugët e Beogradit në një demonstrim masiv mbështetjeje për lëvizjen studentore, vetëm pak ditë…

6 minutes ago

Qarri calls for Serbia to be held accountable after UN Security Council meeting

Të martën, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e…

9 minutes ago

Who will return the stolen billions?” Korreshi responds to Rama over parents paying for damage caused by students

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi, i ftuar në Prime News24 komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama se prindërit e…

9 minutes ago

You are exploiting the protest,” Socialist MP tells analyst: We have taken measures

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi e ftuar këtë të enjte në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania…

10 minutes ago

Bournemouth mposht thellë Milanin në shtëpi

Bournemouth ka arkëtuar pikët e plota në shtëpi ndaj AC Milanit, në kuadër të xhiros së tretë në fazën e…

10 minutes ago

“Kush do t’i kthejë miliardat e vjedhura?”/ Korreshi i përgjigjet Ramës për pagesën e dëmeve nga prindërit e studentëve

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi, i ftuar në Prime News24 komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama se prindërit e…

29 minutes ago