Categories: kosovë

Publicisti Rexhep Shahu sulmon ashpër Edi Ramën: “Armiku je ti”

Për të 31-ën ditë radhazi, qytetarët kanë vijuar protestën duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe dorëheqjen e qeverisë shqiptare.

Të lidhura

None found

Në lidhje me këtë zhvillim, publicisti Rexhep Shahu, në një deklaratë për “Bota sot”, ka drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e fajësuar për lejimin e ndërtimeve në bregdet, shitjen e pasurisë publike dhe favorizimin e interesave të mëdha ekonomike.

Ai ka shprehur gjithashtu dyshime për korrupsion në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe përfitime personale nga projektet.

“Më vjen keq, Pasha. Je shumë plak për të na mahnitur me adoleshencë pleqërishte, stonon, plako, shndërrohesh në karikaturë. Ata që të mjelin të thonë se je lopë race dhe pjell nga dy viça. Të jesh i sigurt që nuk frymëzon më, nuk je trendi, Pasha, as për fansat e zjarrtë. Shqipëria nuk ka nevojë për hotele miliarderësh, por për hotele e ndërtesa të kapshme për çdo njeri që do detin e rërën tonë. Pasuritë tona dhe tokën tonë duam t’i shijojmë vetë së pari dhe gjithë njerëzit. Jemi mesi i Mesdheut, kërthizë. Miliarderët dhe arkitektët e tu, të shumëpaguar prej teje, se ti edhe lëvdatat që t’i bëjnë ua paguan rëndë, kanë mjaft vende të shkreta pa njerëz nëpër botë e brigje të tjera.

Ku e si e more guximin ta bësh truall ndërtimi brezin e rërës dhe të pishave në bregdetin e mrekullueshëm shqiptar? Sa u pagove për ta bërë këtë poshtërsi, për ta shitur këtë pasuri shtetërore që nuk e prekën as pushtuesit e huaj? Hisen time në brezin e rërës e të pishave pse ma preke, pse e shite? Nuk ta ka lënë baba ty. Kanë qenë burra më të mirë se ti ata kryeministra që e kanë mbrojtur. Do doja që protesta të urdhëronte anulimin brenda natës të këtij ligji kriminal.

Sa përqind të dollarëve ua merr ti arkitektëve të huaj që u jep punë ti në Shqipëri, duke urdhëruar kompanitë shqiptare të paguajnë me presione të huajt që bëjnë projektet? Studiot më të mira shqiptare marrin deri në 100 euro për metër katror, miku që të do mbret merr rreth 200 euro për metër katror. Ti merr gjysmën, se ti firmos lejen e ndërtimit dhe imponon arkitektin. Ti nuk merr pallate për lejet që jep, merr kilogramë valutë. Sa për qind të japin ty që hiqesh se je i ndershëm?”, ka thënë ai.

Më tej, Shahu ka akuzuar qeverinë edhe për mënyrën se si, sipas tij, nuk shpërndahen drejt përfitimet që vijnë nga pasuritë natyrore, si energjia, nafta dhe infrastruktura.

Ai ka ngritur pyetje mbi fitimin real të qytetarëve nga këto burime, duke pretenduar se të ardhurat nuk u kthehen sa duhet njerëzve, sidomos shtresave në nevojë.

“Ne duam të fitojmë të gjithë nga resurset tona, nga pasuritë tona e jo veç ti me sojin tënd zgrapës e të pangishëm. Ti nuk tregove kurrë çfarë fitojmë ne nga pasuritë tona si qytetarë të këtij vendi. Si nuk i the kurrë qytetarit shqiptar sa lekë fiton çdo individ nga energjia elektrike që prodhohet nga uji i shiut falas, uji i lumenjve falas, nga hidrocentralet që e kanë shlyer veten mijëra herë? Sa lekë fiton në muaj një shqiptar nga energjia elektrike e ujit të Zotit?

Sa lekë fiton një qytetar në muaj nga nafta e vendit? Sa lekë fiton një qytetar nga taksa e majme në Rrugën e Kombit, që është ndërtuar nga taksat tona dhe mirëmbahet me lekë të buxhetit të shtetit? Tetë milionë dollarë ia jep shteti në vit për mirëmbajtje një udhe që nuk dëmtohet nga pothuajse asgjë. Ku shkojnë lekët që vilen në traun e Kalimashit, te kufiri yt që ia vure Kosovës?

Shteti i Iranit, që ti e përgojon se e ke aftësi e zakon përgojimin, shtet që jeton nga nafta, çdo familjeje atje i jepen falas në muaj 60 litra naftë… Sa familjeve në nevojë ua jep ti falas energjinë elektrike për dy llamba, një frigorifer e një televizor?

Shite Shqipërinë krejt, se po të lejojmë ne. Lëre peng Shqipërinë, se të lejojmë ne. Ne që zihemi në sheshin e protestës kush me ta zërë vendin ty e ministrave të tu. Ne që gabojmë kur themi se sheshi cakton qeveri e parlament, apo asamble. Ne që në garën për dukje zerojmë gjithçka e gjithënd nga lakmia për pushtet. Ne që matemi me hijen e mëngjesit dhe trembim njerëzit kur bëjmë drejtësi në shesh, burgosim, akuzojmë, shpallim tradhtarë duke futur në burg këdo, kur populli nuk do ligjërimin e tillë, se u kujton ligjërimin tënd kur erdhe në pushtet me burg e pranga në gojë, duke ulëritur ‘burg, burg’ e duke burgosur njerëz që vdiqën në burg për fatura 30-dollarëshe të energjisë elektrike të papaguar”, ka shtuar ai.

Sipas Shahut, kritikat ndaj Ramës dhe qeverisë shkojnë edhe më tej, pasi ai i ka akuzuar për manipulim të protestave dhe për ndikim të strukturave të vjetra të sigurimit.

Në të njëjtën kohë, ai e ka lidhur pushtetin me korrupsionin, PPP-të dhe tenderët abuzivë, duke pretenduar se shteti është vënë në shërbim të interesave ekonomike dhe politike të ndërlidhura.

“Rinia ka energji, nuk ka faj që nuk di dhe kujton se shpik rrotën në shesh, por ka faj pse s’pyet dhe pse lejon të manipulohet nga sigurimsat, bijtë e nipat e sigurimsave, spiunët e bijtë e spiunëve.

Pasha, uji i gamiles tënde duket se po soset. Po të bëjë presion protesta për shembjen tënde kate-kate, ajo fiton shpejt, të shemb ty tullë pas tulle, të detyron të anulosh një nga një ligjet e liga, të anulosh gjithë PPP-të, gjithë tenderët abuzivë e kriminalë. Nëse protesta kërkon të të rrafshojë me themel, nuk mundet pa armë. Ti çmontohesh veç pjesë-pjesë, siç je montuar. Me armë nuk ka kush të largon dhe ne nuk duam armë, nuk ka në shesh njerëz armësh. As nuk duam pushtet nga gryka e armës…

Po të ishte për armë, ato duheshin përdorur më 21 Janar, kur ti, Pasha, erdhe në pushtet me armë. Atë ditë të 21 Janarit, të isha në fuqi unë, ti arrestoheshe për organizim dhune dhe çdo njeriu me hu në krah që godiste policët atë ditë i jepja si shpërblim një plumb për çdo goditje polici me hu. Që të mësonim njëherë e mirë se policët pa armë në turma të armatosura nuk janë kllounë cirku me u tallë njerëzit me ta, nuk janë qenie pa shpirt që mund t’i godasë verbëria e turmës, nuk i ka pjellë lopa, por nëna.

Pasha, edhe komunistët, ekstremistët socialistë po të stakojnë, po ta heqin spinotin se i ke braktisur njerëzit, po sillesh si sheik, si oligark, si kapo i oligarkëve. E rrëzove e shembe kufirin mes të pasurit, të fortit e politikanit. Kriminelin apo të fortin e bëre shef të të pasurit apo biznesmenit që punon me fonde e tenderë qeverie, politikanin anonim e bëre mbajtës çantash të dy të parëve dhe ai ngre dorën e voton ligjet që do ti, se urdhërohet nga kapot e krimit e nga ti, Pasha. Që je një hallkë zinxhiri në makinën e mafies, sipas letrave që të dërgojnë ata që ua mbush çantat me dollarë.

Vazhdoj të besoj e shpresoj te shpirti i paepur i protestës, te bashkimi i njerëzve të bukur që i dhanë shpirt e jetë sheshit të Tiranës, që duan të të largojnë ty, njerëz që nuk e urrejnë njëri-tjetrin”, ka cilësuar ai.

Po ashtu, Shahu u është drejtuar të rinjve dhe protestuesve me thirrjen për bashkim përtej ndarjeve politike, duke nënvizuar se ndryshimi duhet të vijë me votë dhe jo përmes dhunës apo urrejtjes në shesh.

Ai ka akuzuar qeverinë edhe për korrupsion, menaxhim të keq të projekteve publike, rritje kostosh dhe largim të të rinjve nga vendi, duke e konsideruar këtë si pasojë të dështimit të politikave shtetërore.

“Të rinjtë e protestës, të PD-së, të PS-së nuk kanë pse përtypin urrejtje të vjetër. Nëse është sistem i vjetër, rinia e PD-së dhe PS-së, e vjetër është edhe protesta dhe mitra e saj, aktorët, ushtarët e gjeneralët e saj.

Nëse bashkohen bashkë, nuk ka perandori krimi që nuk e rrëzojnë. Perandoritë e krimit nuk rrëzohen me lule, as duke u fshehur pas fëmijëve e grave në protestë, por duke u lidhur sup më sup për ta ngritur digën e qëndresës qytetare dhe pastaj me votë e zgjedhje të lira zgjidhet pushteti, jo me brohorima e urrejtje sheshesh. Askush më nuk do pushtet sheshesh, nuk ka kohë Shqipëria për eksperimente.

Pasha, edhe për ty ka vend, sepse do jetosh gjatë, por në fron nuk ka më vend për ty. Çdo ditë që rri në fron, e thellon humnerën.

Mos shpik armiq të jashtëm, nuk ka. Mos shpik armiq xhamiash, nuk janë armiq djemtë e xhamive. Mos shpik komplote ambasadash apo fondacionesh që mbështesin projekte të ndryshme për ndonjë protestues. Armiku je ti, janë ndezur gjithë projektorët ndaj teje, nuk i verbon dot të gjithë. Armiku je ti se ke lejuar e miratuar vjedhjen e këtij populli, ke lejuar që trotuari të vidhet përgjysmë në gjerësi, asfalti të vidhet dy e tre centimetra, ke lejuar çmime dy e tre herë më të shtrenjta për punime në krahasim me çdo vend në rajon. E ke çuar në 20 milionë dollarë një kilometër autostradë, ku gjysma është fitim në xhep për zyrtarët e tu.

E ke boshatisur Shqipërinë më keq se mund të iknin nga ndonjë luftë e rëndë. Iku rinia, ikën të shkolluarit se nuk u dhe punë, as mundësi, ndërkohë që punëson patronazhistë dhe vetëm socialistë të dëshmuar. Vetëm nga familja ime e ngushtë tre inxhinierë i largove nga Shqipëria. Tregove urrejtje ndaj popullit jososialist. E ndave popullin në demokrat e popull socialist.

Të thonë në shesh tradhtar. Unë nuk të them tradhtar, por di të them se më keq se sa i ke bërë ti vendit tonë nuk do t’ia bënte asnjë lloj pushtimi i huaj. Ti na ke pushtuar me shtetin e mafies që kur krijove 330 Lazarata dhe kanabizove Shqipërinë”, ka shtuar ai.

“Na u shitë kalë por dole gomar gërdallë”

Në përfundim, Shahu ka theksuar se protesta nuk është shpikur nga opozita, por se ajo ka rikthyer shpresën e qytetarëve.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu përpjekjet për ta lidhur protestën me UÇK-në apo enverizmin, duke nënvizuar se lufta e Kosovës u fitua me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe NATO-s.

“Në këtë lutje, protestës desha t’ua kujtoj se nuk e shpikët ju protestën, por e ngjallët si asnjëherë shpresën dhe besimin e njerëzve te protesta që kur u caktua në pushtet Edi Rama në Shkodër me bekimin e presidentit serb Tadiq.

Historitë me armiq të jashtëm nuk shkojnë, sepse ti, Pasha Rama, tani nuk ke armik më të madh se popullin e rininë e këtij vendi, që duket se po shpëton nga frika prej teje.

As historitë përçarëse me kosovarë e maqedonas nuk shkojnë, as historitë me UÇK e me enveristë nuk shkojnë në këtë protestë që nuk di asgjë për Enverin.

Për merakun e trimave të pasluftës, po qartësoj se UÇK-ja ka luftuar, por në Kosovë, jo në Shqipëri, dhe UÇK-ja nuk e ka çliruar Kosovën; ka luftuar, por Kosovën e ka çliruar Amerika dhe NATO-ja. Në Kumanovë, ku u nënshkrua fundi i luftës, nuk nënshkroi asnjë shqiptar, as komandant, as ushtar, por nënshkruan amerikanët fitues dhe serbët humbës.

Pa falsifikime, nga Shqipëria administrative në luftën e Kosovës kanë marrë pjesë rreth 30 persona. Tregti armësh kanë bërë shumë me shpinë, me kuaj e gomarë, veteranë janë shpallur edhe më shumë, por si çdo luftë, edhe kjo ka rrenat e veta në gjurmë të luftës sonë partizane. Ne nuk çuam dot në Kosovë Miladin e Dushan, por miladinë e dushanë të vegjël kemi çuar mjaft. Luftën që nuk e kanë bërë me armë ata që bëjnë luftë me fjalë sot, nuk e kompensojnë me llogje e kopalla lufte në Shqipëri e televizione që nuk kanë me se t’i mbushin ekranet”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

të fundit

Karamuço për protestën para Kuvendit: Vijat nuk duhen kapërcyer drejt destabilitetit të vendit

Ervin Karamuço ka komentuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” protestën e zhvilluar para Kuvendit këtë të martë, duke analizuar…

2 minutes ago

Koeman largohet nga stoli i Holandës pas daljes nga Botërori

Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Holandës. Vendimi vjen një ditë pas humbjes zhgënjyese…

3 minutes ago

PAMJE ME DRON/ Sheshi mbushet me flamuj kuq e zi e pankarta, qytetarët kërkojnë dorëheqjen pa kushte të Ramës

Magjike janë pamjet e protestës së 31-të me radhë para Kryeministrisë. Me flamuj dhe pankarta, sheshi ishte i mbushur edhe…

14 minutes ago

Rama i hapur për dialog me protestuesit, Klosi: Nuk negociohet dorëheqja e qeverisë

Blendi Klosi, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, ka folur për Now me Erla Mëhillin lidhur me aktualitetin në vend, konkretisht…

16 minutes ago

Eurostat: 2 050 shqiptarë u rikthyen nga vendet e BE-së në tremujorin e parë të 2026

Mbi 2 mijë shtetas shqiptarë u kthyen nga vendet e Bashkimit Evropian gjatë tre muajve të parë të vitit 2026.…

25 minutes ago

Statistikat e Botërorit 2026 zbulojnë lojtarët që përdorin më mirë të dyja këmbët

Një analizë e publikuar nga Gradient Sports ka nxjerrë në pah futbollistët më të aftë në përdorimin e të dyja…

27 minutes ago