Elvedin Peziq, predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, pritet të dëbohet gjatë ditës nga Kosova. Një burim me njohuri për organizimin dhe qëndrimin e tij në vend i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se Peziqi ishte shoqëruar një ditë më parë nga Policia e Kosovës, para një aktiviteti të paraparë në Vitomiricë të Pejës.
None found
Burimi bëri të ditur se, deri në këtë fazë, nuk ka hollësi të tjera mbi arsyet që çuan në shoqërimin e predikuesit.
REL-i i është drejtuar Policisë së Kosovës për konfirmimin e rastit dhe për informacione shtesë, por institucioni ende nuk ka kthyer përgjigje.
Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë, ndërkaq, deklaroi për REL-in se BIK-u nuk ishte njoftuar paraprakisht as për mbërritjen e Peziqit, as për aktivitetet e tij në Kosovë.
Sipas BIK-ut, Peziqi nuk kishte paraqitur kërkesë për leje ose pëlqim për aktivitetin. Po ashtu, institucioni theksoi se vizita e tij nuk kishte marrë mbështetje materiale apo logjistike prej tij.
BIK-u konfirmoi gjithashtu se për këtë çështje kishte komunikuar me Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës na është drejtuar me shkresë dhe ne jemi përgjigjur”, deklaroi Këshilli i BIK-ut në Pejë, pa zbuluar hollësi rreth përmbajtjes së këtij komunikimi.
Nga ky këshill u theksua se zhvillimi i çdo veprimtarie fetare, qoftë në objektet e kultit apo në hapësira të tjera, kërkon lejen ose miratimin e institucionit fetar.
Njoftimi për aktivitetin e planifikuar të Peziqit ishte publikuar në rrjetet sociale nga xhemati i një xhamie në Dobrushë.
Para se të merrte pjesë në aktivitetin e parashikuar në Vitomiricë, Peziqi u shoqërua të enjten për një intervistim informues.
Rexho Kojiq, përfaqësues i organizatës joqeveritare kosovare “Vullnetarët e Rinj”, e cila kishte organizuar aktivitetin, e kishte konfirmuar lajmin për REL-in.
Sipas Kojiqit, Peziqi ishte dërguar në një stacion policor në Prishtinë. Ai kishte hyrë në mënyrë të rregullt në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, duke përdorur dokumente të Bosnje e Hercegovinës.
Kojiq kishte treguar se Policia e kishte njoftuar që Peziqi do të qëndronte për gjashtë orë për verifikimin e identitetit dhe se nuk ishte i nevojshëm angazhimi i një avokati.
Ai kishte thënë po ashtu se autoritetet e kishin pyetur Peziqin nëse zotëronte leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për organizimin e aktivitetit.
“Ai nuk është hoxhë në ndonjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, kishte deklaruar Kojiq.
Për të mësuar nëse institucionet kishin dijeni për vizitën e Peziqit, nëse ishin përfshirë në organizimin e aktiviteteve dhe nëse vizita kishte përfituar ndonjë mbështetje ose financim institucional, REL-i kontaktoi edhe Komunat e Pejës dhe Prizrenit, si dhe Bashkësinë Islame të Kosovës.
Në të njëjtin aktivitet ishte parashikuar të merrte pjesë edhe predikuesi islamik Mithad Qeman. Kojiq tha se edhe ai ishte shoqëruar nga Policia, por ishte liruar menjëherë.
Peziq dhe Qeman kishin në plan të prezantonin një libër në Vitomiricë, për të vijuar më pas me një aktivitet në Dobrushë të Istogut. Një aktivitet tjetër ishte planifikuar për të premten në Reçan të Prizrenit.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me arrestimet e fundit nën dyshimet për spiunazh, duke thënë se këto…
Deri në këtë moment, gjithsej pesë familje nga Maqedonia kanë kërkuar ndihmë ose asistencë për evakuim nga zonat e përfshira…
Kanë kaluar 9 ditë nga sulmi ndaj aktivistëve të rinj në Novo Selo dhe deri më tani askush nuk është…
Kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, tha se beson që LDK-ja është dashur t’i bashkohet partisë së…
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet edhe për…
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti përsëriti qëndrimin e tij se partitë parlamentare shqiptare duhet të kenë marrëveshje për emrin kandidat…