Categories: kosovë

Paga milionëshe për punonjësit që munguan nga puna, kërkohet hetim për ish-anëtarët e “Mbrojtjes Civile”

Njëzet zyrtarëve serbë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të njohur edhe si ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, u janë ndërprerë kontratat e punës. Ata kishin marrë paga që nga viti 2016, ndonëse nuk paraqiteshin në vendin e punës.

Të lidhura

None found

Vendimin e ka bërë publik ministrja në detyrë e MMPH-së, Fitore Pacolli. Ajo ka sqaruar se kontratat janë shkëputur për shkak të mungesave të vazhdueshme dhe në zbatim të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Pacolli ka deklaruar se dokumentacioni zyrtar dëshmon se këta persona, të punësuar më 5 janar 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk i kanë zbatuar detyrimet që burojnë nga marrëdhënia e punës. Sipas saj, përveçse kanë munguar vazhdimisht, ata nuk kanë respektuar as detyrat e përcaktuara të punës.

Ministrja në detyrë ka thënë se në administratën publike do të vendosen ligjshmëri e plotë dhe kritere të barabarta për të gjithë.

Ajo ka paralajmëruar se institucionet nuk do të bëjnë kompromis gjatë zbatimit të ligjit. Sipas Pacollit, askush nuk mund ta ruajë statusin e të punësuarit pa i kryer obligimet përkatëse, pavarësisht përkatësisë apo pozitës, pasi shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe duke respektuar plotësisht detyrën zyrtare.

Ekspertët e çështjeve politike e konsiderojnë problem serioz mbajtjen në institucionet e Kosovës të punonjësve që nuk i përmbushin detyrimet. Ata kanë kërkuar llogaridhënie dhe hetim për pagesat që janë bërë gjatë viteve.

Sipas tyre, nuk mund të tolerohet që persona të administratës publike të mos e respektojnë marrëdhënien e punës, ndërkohë që vazhdojnë të paguhen nga buxheti shtetëror.

Njohësit kanë vlerësuar gjithashtu se punësimet duhet të zhvillohen mbi bazën e ligjit, integritetit dhe përgjegjësisë, ndërsa dyshimet për keqpërdorimin e parave publike duhet t’u kalojnë organeve kompetente.

Burjani: Punësimi i personave që veprojnë kundër Kosovës ishte gabim i rëndë

Juristi dhe analisti politik Blerim Burjani, duke folur për “Bota sot” rreth shkëputjes së kontratave të zyrtarëve serbë që kishin munguar për vite në institucionet e Kosovës, e ka quajtur të papranueshme punësimin e njerëzve që veprojnë kundër shtetit.

Ai ka deklaruar se ishte gabim i madh investimi te persona që punojnë kundër Kosovës, nuk e njohin shtetin dhe mendojnë keq për të. Burjani ka ngritur pyetjen se kush i kishte punësuar me pagë nga shteti i Kosovës persona që vepronin kundër tij.

Sipas tij, një praktikë e tillë nuk duhet të përsëritet. Ai ka kërkuar vëmendje të shtuar edhe gjatë punësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti serb.

Burjani ka thënë për “Bota sot” se konkurset duhet të hapen dhe, nëse është e mundur, të mos pranohen persona që nuk e njohin shtetin. Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët serbë duhet fillimisht të nënshkruajnë një deklaratë për shtetësinë, duke treguar nëse e pranojnë ose jo, e vetëm më pas të bëhet punësimi apo ripunësimi i tyre. Ai ka theksuar se largimi nga marrëdhënia e punës sjell pasoja serioze juridike, ndaj rregullat ligjore duhet të ndiqen dhe të zbatohen me përkushtim të plotë.

Qarri: Pagesat për zyrtarët fiktivë të hetohen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë

Analisti politik Gani Qarri, në një deklaratë për “Bota sot”, e ka lidhur këtë situatë me veprimet e kundërligjshme të ish-qeverive.

Ai ka thënë se dokumentet zyrtare tregojnë se vetëm gjatë vitit 2025 për këta punonjës janë shpenzuar qindra mijëra euro.

Sipas Qarrit, Kosova vazhdon edhe sot t’i bartë pasojat e veprimeve të paligjshme të ish-qeverive të inkriminuara. Ai ka pohuar se evidencat publike dëshmojnë se në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte zyrtarë serbë të punësuar që nga 5 janari 2016, por asnjëri prej tyre nuk i kishte respektuar kontratat që nga dita e parë. Gjatë gjithë periudhës, sipas tij, ata kishin munguar nga puna dhe nuk kishin kryer asnjëherë detyrimet ligjore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, megjithëse së fundmi secili kishte marrë mbi 2000 euro pagë mujore.

Qarri ka deklaruar se statistikat zyrtare tregojnë pagesa prej 469.885 euro vetëm gjatë vitit 2025 për këta të punësuar fiktivë serbë dhe pjesëtarë të organizatave terroriste serbe të ndaluara me ligj në Kosovë. Shuma ishte rreth 2000 euro në muaj për secilin, ndonëse nuk ishte dëshmuar asnjëherë paraqitja e tyre në punë apo vijueshmëria e angazhimit praktik. Ai ka nënvizuar se kjo çështje ishte evidentuar edhe gjatë viteve të mëparshme në raportin e ZKA-së, por nuk ishin marrë masat e nevojshme për ta ndalur këtë keqpërdorim të rëndë dhe pagesën e pagave nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Ai ka thënë se, nga 61 pjesëtarët e pakicës serbe të punësuar në MMPHI në janar të vitit 2016, të paktën 20 njiheshin publikisht si anëtarë të së ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” serbe. Sipas Qarrit, ata vepronin hapur që nga viti 2012 brenda komunave paralele serbe dhe strukturave të organizuara ilegale të Serbisë në Kosovë.

Qarri ka shtuar se mungesat e pandërprera që nga dita e punësimit dhe moszbatimi i detyrave e shtynë ministren e MMPHI-së, Fitore Pacolli, që, pas rekomandimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, t’ua ndërpriste përfundimisht kontratat të paktën 20 zyrtarëve. Ai i ka përshkruar ata si ish-pjesëtarë të organizatave të ndaluara terroriste serbe, përfshirë të ashtuquajturën “Mbrojtje Civile”, dhe ka thënë se shkëputja ndodhi pas më tepër se 11 vitesh, për shkak se nuk ishin paraqitur në punë që nga dita e parë, më 5 janar 2016.

Analisti ka kërkuar sqarime se përse institucionet e Kosovës vepruan vetëm tani, kur mungesat dhe pagesat e këtyre zyrtarëve kishin vazhduar për më shumë se një dekadë.

Ai ka deklaruar se këta persona ishin punësuar në ministri më 2016 në emër të Marrëveshjes së Brukselit, por gjatë një periudhe mbi 11-vjeçare nuk kishin kaluar asnjë minutë në punë. Megjithatë, sipas Qarrit, ata kishin vazhduar të merrnin paga pa bazë dhe në mënyrë tërësisht të kundërligjshme nga shteti i Kosovës. Për këtë arsye, ai ka pyetur pse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vendosi vetëm tani, në zbatim të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, t’i shkëpuste kontratat e personave që ishin privilegjuar në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë kësaj kohe.

Qarri ka vlerësuar se vendimi është plotësisht i arsyeshëm dhe i duhur, pasi synon të ndalë pagat për njerëz që figurojnë vetëm formalisht si të punësuar, por nuk kanë punuar asnjëherë, nuk kanë dhënë kontribut efektiv dhe e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Ai ka kërkuar publikisht që institucionet e Kosovës, duke ndjekur rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të rishikojnë edhe rastet e tjera të ish-pjesëtarëve të strukturave paralele të Serbisë që rezultojnë “me letra” si punonjës të administratës publike të Kosovës.

Sipas tij, disa prej këtyre personave jo vetëm që nuk kanë punuar asnjëherë, por kanë qenë aktivë në institucionet ilegale dhe strukturat paralele të Serbisë, si dhe kanë marrë pjesë në aktet më të rënda kriminale e terroriste kundër Kosovës. Pavarësisht kësaj, ata kanë marrë dhe ndoshta vazhdojnë të marrin ende paga nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Qarri ka kërkuar që këto raste të trajtohen pa vonesë dhe të ndalen pagesat për të gjithë personat që nuk i kanë përmbushur obligimet e punës.

Ai ka thënë se kontrata të tilla duhet të pezullohen urgjentisht dhe pagesat e kundërligjshme të ndërpriten menjëherë. Sipas tij, që nga viti 2016 ka pasur edhe raste drastike të punësimit të ish-pjesëtarëve të organizatave të ndaluara terroriste serbe, si e ashtuquajtura “Mbrojtje Civile” dhe e ashtuquajtura “Brigada e Veriut”. Qarri ka ngritur dyshimin se pjesëtarë të tyre, ndërsa vazhdojnë të enden nëpër Serbi, mund të marrin ende paga nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Analisti ka theksuar se veprime të tilla janë të padrejta, kanë dëmtuar rëndë transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë dhe përbëjnë vepër penale. Ai ka kërkuar që të gjithë personat përgjegjës, përfshirë ata që e lejuan ose e anashkaluan në heshtje këtë çështje gjatë viteve, të nxirren urgjentisht para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Në përfundim, Qarri ka kërkuar një hetim të plotë të pagesave të kryera për personat që figuronin të punësuar vetëm në dokumente, pa dhënë asnjë kontribut në institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se këta zyrtarë fiktivë serbë nuk janë parë kurrë në vendet e tyre të punës dhe nuk kanë kontribuuar asnjëherë për Kosovën. Sipas tij, në mesin e tyre kishte pjesëtarë të organizatave terroriste si e ashtuquajtura “Mbrojtje Civile” dhe e ashtuquajtura “Brigada e Veriut”, të cilat ishin ngritur kundër vendit.

Qarri ka rikujtuar se në qershor të vitit 2023, për këtë arsye, Qeveria e Kosovës i shpalli ato organizata terroriste dhe ua ndaloi me ligj veprimtarinë në vend. Meqë ndalimi hyri menjëherë në fuqi, sipas tij, jo vetëm pagesat, por çdo veprimtari e mëtejshme e tyre duhej të sillte pasoja të rënda ligjore.

Ai ka përfunduar për “Bota sot” se, pavarësisht këtij obligimi, ndalimi i pagesave nuk kishte ndodhur deri tani. Për këtë arsye, Qarri ka kërkuar që dikush të vendoset urgjentisht në bankën e të akuzuarve dhe të dënohet sipas ligjit për papërgjegjësitë e paprecedenta që ishin lejuar të ndodhnin për të gjitha këto vite në Kosovë.

të fundit

Buzhala pas shembjes së vilave në Ujman: Dikur objektet e Radojçiqëve vetëm zgjeroheshin

Analisti Viktor Buzhala ka reaguar pas rrënimit të vilave të ndërtuara pa leje përreth Liqenit të Ujmanit, duke e lidhur…

2 minutes ago

LAJMI I FUNDIT: Vihet në pranga Artana Asani, drejtoresha e ujësjellësit në Gostivar

Policia para disa minutave ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani. Bashkë me të sipas informacioneve të…

6 minutes ago

Dalin pamjet e aksidentit fatal në Komoran ku ndërroi jetë 24-vjeçarja

Janë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë që hedhin dritë mbi aksidentin tragjik të ndodhur të martën në Komoran, ku…

11 minutes ago

Hajrullahu kërkon kthimin e objektit në Mitrovicën e Veriut: Pronat e Universitetit të Prishtinës të mos preken

Pas skadimit të afatit të vendosur për lirimin e hapësirave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nga Fakulteti i Shkencave…

11 minutes ago

Barcelona nuk ndalet pas Adeyemit, siguron edhe një tjetër sulmues

Barcelona nuk po jep asnjë shenjë se do të ngadalësojë ritmin në afatin kalimtar veror. Vetëm pak ditë pasi iu…

12 minutes ago

Aksident në Kukës, makina del nga rruga dhe godet murin e një subjekti, plagosen dy fëmijë

Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në qytetin e Kukësit, ku dy fëmijë kanë mbetur të dëmtuar lehtë.…

20 minutes ago