Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) e ka quajtur të papranueshëm kthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Organizata paralajmëron se do të protestojë nëse Kuvendi e vonon miratimin e tij. Ndërkaq, Çlirim Haziri, organizues i protestave “Jo në emrin tim”, tha se përgjegjësia për gjendjen e krijuar u takon të gjithë deputetëve që e votuan ligjin më 6 tetor.
Reagimet pasuan vendimin e presidentes Justina Shiroka-Pula për ta kthyer ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte hartuar dhe sponsorizuar atë.
None found
Gazmend Syla, nënkryetar i OVL UÇK-së, i tha KosovaPress-it se ky vendim i ka kthyer përpjekjet për ndryshimin e ligjit pothuajse në pikën fillestare. Sipas tij, situata përbën fitore për Gjykatën Speciale.
Syla shprehu pakënaqësi për angazhimin e veteranëve në kundërshtim të Gjykatës Speciale, duke thënë se zhvillimet politike i kanë bërë të ndihen të ofenduar.
“Për ne është një akt politik tepër i ulët dhe i papranueshëm. Në njëfarë forme është ndërtuar një kauzë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, dhe në bazë të kësaj kauze ndodhën këto veprime. Ishte një lloj shprese për neve, se do të ndodhë diçka e mirë, pas plotësim-ndryshimit të ligjit. Tashmë, jemi kthyer pothuajse në pikën zero. Ligji tani është kërkuar të kthehet pas. Jam i bindur që çka do që vjen, çdo ndryshim do të jetë më i dobët sesa ky që ka qenë. Njëkohësisht, kjo është një fitore për Gjykatën Speciale, sepse tash mezi pret të thotë se ju e keni pasur gabim, ja çfarë ndodhi. Ju e dini se OVL UÇK në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në protesta, kemi pasur raste që është përgjakur në shesh, në konfrontime me policinë, ka pasur çarje në fytyrë e kokë dhe përfundimisht tash t’ju themi se ai aktivitet kundërshtues paska qenë i kot dhe ndjehem keq, të ofenduar për këtë lojë politike që është bërë”, tha Syla.
Nënkryetari i OVL UÇK-së paralajmëroi se protestat mund të rifillojnë, nëse partitë dhe Kuvendi nuk veprojnë me seriozitet për ta proceduar shpejt ligjin e kthyer nga Presidenca. Ai vuri në dukje se afatet për apelimin e vendimeve në Hagë po vazhdojnë të ecin.
Sipas Sylës, përgjegjësia kryesore i takon partisë që promovoi ndryshimet ligjore, ndërsa kërkesën për kthimin e ligjit e quajti të pakuptueshme.
“Tash afati për apel është duke ecur, po afrohen ditët. Nëse nuk do të shohim seriozitet nga ana e Parlamentit dhe partive politike që ta procedojë sa më shpejt ligjin, sigurisht ne do të jemi në rrugë që t’i bëjmë presion Kuvendit tonë që sa më shpejtë të nxirret ligji i ri. Nëse do të provojnë ta zvarrisin, ne do të dalim, më e rëndësishme është UÇK-ja sesa disa politika ditore. Përgjegjësia, barra kryesore i bie kësaj partie, kjo ka proklamuar, ka nxitur edhe reagim qytetarë e ka nxjerrë shpresë, kërkesa për tërheqjen është e pakuptueshme. Ne nuk mund ta testojmë as presidenten nëse do ta dekretonte atë ose jo”, tha Syla.
Çlirim Haziri, organizues i protestave “Jo në emrin tim”, kritikoi deputetët për trajtimin e ligjit. Ai tha se, ndonëse protestuesit kishin kërkuar vazhdimisht ndryshime, deputetët i lanë ato deri në çastet e fundit.
Haziri kundërshtoi politizimin e protestave dhe theksoi se përgjegjësia për përmbajtjen e ligjit bie mbi të gjithë ata që e votuan.
“Vazhdimisht ka qenë një tendencë për t’i politizua protestat, por realiteti ka qenë diçka tjetër. Presioni për votimin e ligjit për UÇK-në ka qenë për shkak të rrethanave në të cilat kemi qenë. Deputetët kanë pasur një afat kushtetues për shkak të obligimeve për zgjedhjen e presidentit. Duke parë këtë realitet, kemi pasur kërkesë që ta bëjmë ligjin, pastaj temat politike t’i rregullojnë mes vete. Ata e kanë lënë natën e fundit. Ligji gjithmonë ka qenë në një prioritet sekondar për ta. Ne kemi protestuar nga dita e parë, me dy kërkesa për ndryshimin e ligjit dhe fonde të mjaftueshme për ata në Hagë… Është përgjegjësi e të gjithë atyre që e kanë votuar këtë ligj nëse kanë pasur hapësirë dhe mundësi për ta ndryshuar është dashur qysh atëherë”, tha Haziri.
Presidenca ka sqaruar se kthimi i ligjit për rishqyrtim lidhet me dispozitat që përcaktojnë juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Speciale, si dhe me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
I miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, ligji parashikon që dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet burgim, ankesat të mund të paraqiten në Gjykatën Supreme të Kosovës, dënimet të vuajnë në Kosovë dhe të lejohet falja presidenciale.
GramshiKa përfunduar ndeshja hapëse e javës së 5-të në Kategorinë e Dytë, Grupi A, mes Eagle Football dhe Gramshit [...]Read…
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, në Shën Stefan të Malit…
Në kulmin e protestave masive që kanë përfshirë vendin, ku studentët dhe qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një…
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar dhënien e shtetësisë shqiptare për portierin e Cagliarit, italianin Elia Caprile,…
MPB Maqedoni njofton se në natën në mes 22 dhe 23 tetorit, në Shkup, në lokacione të ndryshme, nëpunësit policorë…
Kryeministri Hristijan Mickoski, në akademinë ceremoniale me rastin e 23 tetorit - Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, paralajmëroi se paqëndrueshmëria…