Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se administrata amerikane ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, por theksoi se Beogradi paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.
Në një intervistë për Fox News, Osmani u pyet nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor. Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.
Ajo tha se Serbia në të kaluarën, kur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq ishte përgjegjës për një sërë konfliktesh, por edhe tani, sipas saj, në udhëheqjen e Serbisë ka ende njerëz “të cilët pëlqejnë të kapen pas së kaluarës dhe të na kthejnë të gjithëve në të kaluarën, teksa ne dëshiron të shohim nga e ardhmja”.
“Presidenti [amerikan, Donald] Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes, për ta ruajtur paqen dhe për të shpëtuar jetë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës tha se me Serbinë në vitet e fundit ka pasur një sërë tensionesh, përfshirë edhe sulmin në Banjskë më 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës duke e vrarë një rreshter. Kosova fajëson Serbinë për këtë rast, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
“Ne arritëm ta zmbrapsim atë me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s. Megjithatë, ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Në majin e kaluar, padyshim, pati një tjetër përpjekje tensioni, nëse mund ta quaj kështu, dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar që këto të përshkallëzohen”, tha Osmani.
Osmani tha se mbështet politikën e Trumpit “paqe përmes forcës”, pasi sipas saj, ky është mesazhi i vetëm që autokratët e kuptojnë. Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë. Osmani ka konfirmuar deklaratat e udhëheqësit amerikan, duke thënë se në maj kishte pasur informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën.
“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në korrik të këtij viti.
Serbia ka mohuar këto pretendime të Osmanit. Ndryshe, Osmani në SHBA po merr pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku po zhvillon takime të ndryshme. Trump pritet t’i drejtohet OKB-së më vonë gjatë 23 shtatorit./REL
Masakra e 8 shtatorit në Shkodër ka ngritur pikëpyetje para grupit hetimor që po merret me zbardhjen e krimit me…
Modelja shqiptare me famë ndërkombëtare, Angela Martini tregoi ditët e fundit sesi një kompani shqiptare përdori imazhin e saj për…
Hamasi hodhi poshtë sot akuzën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se grupi islamist palestinez po pengon përpjekjet për të…
Gjykata Supreme njoftoi se e ka refuzuar “si të pathemeltë” ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për…
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore gazetaren Klodiana Lala solli këtë të martë detaje të reja nga masakra e…
Një moment i pakëndshëm ka ndodhur gjatë takimit të Katerinës me tre djemtë konkurrentë të “Përputhen”. Kristi dhe Arlindi kanë…