kosovë

Osmani: Data e zgjedhjeve lokale do të caktohet në ditët në vijim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur të mërkurën se në ditët në vijim do të caktojë datën për mbajtje të zgjedhjeve lokale.

Deklarata e Osmanit vjen pas takimit që ka zhvilluar me krerë të subjekteve politike të Kosovës.

Në takim nuk ka qenë i pranishëm Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, por partinë e ka përfaqësuar Albulena Haxhiu.

Në takim nuk janë parë as përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.

Albulena Haxhiu ka thënë se datat 5,12 apo 19 tetor janë datat që janë përmendur më së shumti gjatë takimit për mbajtje të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës pati dalë e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Diskutimet për zgjedhjet lokale bëhen në kohën kur Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti.

Më 4 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 26-n herë.

Gjatë prononcimit për media, Haxhiu ka thënë se në takim me presidenten Osmani është diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, ndonëse partia së cilës i takon ajo është për konstituim të Kuvendit, çka nuk ka ndodhur as katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

“Qëndrimi ynë është për. Pra, për neve është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi, të votohet Qeveria, por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë prej kur është bërë propozimi për Komisionin për votimin e fshehtë dhe nuk ka vullnet, atëherë ne nuk po shohim zgjidhje. Edhe Partia Demokratike e Kosovës u pajtua me këtë. Ideja ishte e imja. Kisha vullnet për të diskutuar këtë”.

Megjithatë, për të ndodhur kjo, pra mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që të konstituohet Kuvendi, dhe më pas me marrëveshje politike të shpërndahet ai dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

Kuvendi nuk po konstituohet pasi Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës./REL

të fundit

DRAFTI/ Propozohet organizimi i ri, institucionet e varësisë do bashkohen me agjencitë autonome

Qeveria ka propozuar ndryshime në organizimin e institucioneve të administratës publike, duke reduktuar kategorinë e institucioneve jo-ministrore nga 3 që…

27 minutes ago

Horoskopi 20 Gusht, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju

Dashi Mos jini shumë xheloz në raport me partnerin/en, pasi në këtë moment është e rëndësishme që të ruani hapësirat…

9 hours ago

Tragjedi në Afganistan/ Kamioni përplaset me autobusin dhe motoçikletën, humbin jetën 71 persona, mes tyre edhe 13 fëmijë

Një aksident tragjik ka ndodhur në Afganistan. Siç raportohet më shumë se 70 persona, përfshirë 17 fëmijë, u vranë në…

9 hours ago

Papa Leone XIV reagon pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë: Ka shpresë, por duhet të punojmë shumë

Pas zhvillimeve të fundit diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, Papa Leone…

9 hours ago

Makina e policisë në sens të kundërt në Pogradec, gjobë dhe heqje patente për efektivin

Një efektivi policie i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e…

10 hours ago

Zyra e OSBE-së për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Serbisë të mos përdorë forcë të tepruar policore në protesta

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, ODIHR, ka thënë të martën se Serbia e ka…

10 hours ago