Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët apo pjesëtarë të familjes në mbarë botën gjatë vitit 2025, sipas raportit të publikuar më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.
Dokumenti u publikua një ditë para Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, që shënohet më 25 nëntor. Gjetjet nënvizojnë se, njësoj si në vitet e mëparshme, shtëpia vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.
None found
Gjatë vitit 2025, në nivel global u vranë rreth 78 mijë gra dhe vajza. Partnerët ose familjarët e tyre ishin përgjegjës për 60 për qind të vrasjeve.
Mesatarisht, kjo përkthehet në 129 gra dhe vajza të vrara çdo ditë nga persona të afërt.
Raporti evidenton se numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa në Evropë gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta.
Monica Juma, drejtoreshë e UNODC-së, tha se normat shoqërore dhe mosfunksionimi i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë kushte ku vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”. Ajo theksoi se ndryshimi i kësaj gjendjeje kërkon përpjekje të vazhdueshme në çdo nivel të shoqërisë.
Sima Bahous, drejtoreshë ekzekutive e UN Women, kërkoi veprim të menjëhershëm: shenjat paralajmëruese të dhunës të mos anashkalohen, të mbijetuarat të mos lihen pa mbrojtje dhe autorët të mbajnë përgjegjësi.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se, megjithëse vrasjet në tërësi janë në rënie në botë, femicidi — vrasja e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë — po ulet shumë më ngadalë.
Në Evropë, nga viti 2010 deri më 2025, shkalla e përgjithshme e vrasjeve u ul me 43 për qind, kurse ajo e femicidit ra vetëm me 28 për qind.
Tetë gra të vrara në Kosovë këtë vit
Në Kosovë, dhuna ndaj grave mbetet shqetësuese: deri në fund të tetorit të këtij viti janë vrarë tetë gra, shumica nga partnerët ose ish-partnerët.
Ky është numri më i madh i regjistruar brenda një viti që nga viti 2010.
Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor të këtij viti në Vitomiricë të Pejës, u pasua nga protesta dhe solli sërish në vëmendje dështimet institucionale për t’i mbrojtur gratë nga dhuna.
Për vrasjen e Zekajt dyshohet kunati i saj. Ajo kishte raportuar vazhdimisht dhunën në familje dhe i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun me të cilin përballej.
Një ditë pas vrasjes, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për hetimin parlamentar të rastit dhe për krijimin e mekanizmave që parandalojnë dhunën ndaj grave, fëmijëve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Në nëntë muajt e parë të këtij viti, Policia e Kosovës regjistroi mbi 2.000 raste të dhunës në familje, që përbëjnë mesatarisht shtatë deri në tetë raste në ditë.
Më shumë se 76 për qind e viktimave në këto raste ishin femra.
Gjatë viteve të fundit, Kosova ka ndërmarrë disa masa ligjore dhe institucionale për ta luftuar dhunën ndaj grave.
Konventa e Stambollit, dokumenti ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, u përfshi në Kushtetutën e Kosovës në vitin 2020.
Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore hyri në fuqi më 2023.
Nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, në dhjetor të vitit 2024 u vu në funksion sistemi i mbikëqyrjes elektronike. Ai mundëson përcjelljen e personave të cilëve gjykata ua ka kufizuar lëvizjen, me synim parandalimin e dhunës në familje.
Pavarësisht këtyre hapave, organizatat që mbrojnë të drejtat e grave vazhdojnë të raportojnë probleme në zbatimin e ligjeve.
Rrjeti i Grave të Kosovës shqyrtoi 155 raste të dhunës me bazë gjinore nga viti 2025 deri në maj të vitit 2026. Monitorimi evidentoi mangësi në vlerësimin e rrezikut për viktimat, koordinim të pamjaftueshëm mes institucioneve, vonesa në procedurat gjyqësore dhe dënime joproporcionale me peshën e veprave penale.
Më 25 nëntor, në Kosovë dhe në mbarë botën nis çdo vit fushata ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Ajo përmbyllet më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Fushata synon të ndërgjegjësojë për dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe të nxisë hapa konkretë për parandalimin e saj.
Gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, është lexuar deklarata e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka shpjeguar arsyet përse…
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ka votuar pro përjashtimit të Elisa Spiropalit, ndërsa mësohet se dy deputetët, Erion Braçe dhe…
Një turist amerikan 46-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti fizik me një ish-sportistin e arteve marciale mikse (MMA), në…
Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë…
Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit të sistemit të prokurimit publik, me përgatitjen e sistemit të…
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të…