Categories: kosovë

Ngjarjet me armë në Kosovë shtojnë alarmin, ekspertët bëjnë thirrje për masa të menjëhershme ndaj armëve ilegale

Gjatë kësaj jave, në komuna të ndryshme të Kosovës janë regjistruar disa ngjarje të rënda që kanë lënë pas viktima dhe persona të plagosur.

Të lidhura

None found

Në Ferizaj, një person humbi jetën nga arma e zjarrit pas një përleshjeje brenda një banese, ndërsa si e dyshuar për rastin raportohet partnerja e tij.

Një rast tjetër me armë zjarri është raportuar edhe në Podujevë, ku u plagosën tre persona të dyshuar si dhe një kalimtar i rastit. Në vendin e ngjarjes, policia ka konfiskuar armë dhe municion.

Këto raste kanë shtuar shqetësimin për gjendjen e sigurisë dhe përdorimin e armëve në vend.

Sipas ekspertëve të sigurisë, pjesa më e madhe e krimeve me armë zjarri ndërlidhen me armë ilegale dhe me konflikte të natyrave të ndryshme, përfshirë ato personale, familjare, pronësore apo që lidhen me krimin e organizuar.

Po ashtu, ata kërkojnë rritje të kontrolleve policore, luftim më të fortë të armëve pa leje dhe masa ndëshkuese më të rënda për posedim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se vetëm parandalimi dhe bashkërendimi institucional mund të ndikojnë në uljen e dhunës në vend.

Dashevci: Duhet strategji urgjente kundër armëve ilegale

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci, në një deklaratë për “Bota sot”, është shprehur se shumica e krimeve kryhen me armë ilegale, teksa ka renditur edhe disa prej shkaqeve kryesore.

“Viteve të fundit vendi ynë është tronditur nga shumë vrasje me armë, të cilat kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët. Vrasjet, sipas statistikave, janë kryer kryesisht me armë ilegale.

Motivet e kësaj dukurie janë të ndryshme:

Motive të ulëta ose konflikte ndërpersonale, borxhe etj.

Dhuna në familje, alkooli, droga.

Konflikte pronësore.

Konflikte mes grupeve rivale, krim i organizuar.

Fajdet”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar shtim të kontrollit ndaj armëve ilegale, përmes patrullimeve dhe kontrolleve më të shpeshta nga Policia.

Dashevci ka paraqitur edhe disa masa parandaluese, duke përmendur si shembull edhe rastin e amnistimit të Londrës.

“Mendoj se duhet të ashpërsohet kontrolli mbi armët ilegale dhe posedimin e tyre, përmes patrullimeve dhe kontrolleve të shpeshta e efikase.

Masat konkrete që duhet të ndërmarrin Policia, organet e akuzës dhe drejtësia për të parandaluar raste të tilla, duhet të jenë të koordinuara, me qëllim që të ulet numri i rasteve të vrasjeve. Sipas mendimit tim, nevojitet një kombinim masash parandaluese (preventive):

Luftimi i armëve ilegale: kontrolle edhe më të shpeshta nga Policia në çdo vend ku ka dyshime, hetime efektive ndaj rrjeteve të kontrabandës me armë ilegale, si dhe fushata të vazhdueshme për dorëzimin e armëve ilegale, siç është shembulli i amnistisë (modeli i Londrës).

Dënime të zbatueshme, të shpejta dhe efektive, pra ashpërsim i masave kundrejt personave që posedojnë armë ilegale. Ashpërsimi i këtyre masave ndëshkuese duhet të shërbejë si parandalim primar”, ka shtuar ai.

Më tej, ai ka nënvizuar se asnjë masë e vetme nuk mund ta zgjidhë plotësisht këtë problem, por mund të ndikojë në uljen e numrit të rasteve.

Sipas Dashevcit, në qarkullim ka rreth 260 mijë armë ilegale, çka sipas tij kërkon reagim të menjëhershëm nga shteti dhe shoqëria.

“Asnjë masë nuk e zgjidh problemin në tërësi, por mund të zvogëlojë numrin e rasteve, që sipas statistikave sillet rreth 260 mijë armë ilegale, gjë që është shqetësuese dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga të gjitha instancat shtetërore dhe shoqëria civile.

Rajoni i Ballkanit njihet si vend me shumë armë ilegale, si pasojë e luftërave, por ne kemi institucione të konsoliduara dhe nuk duhet të lejojmë assesi që pasiguria të dominojë mbi sigurinë.

Andaj, nevojitet bashkëpunim, bashkëveprim dhe koordinim i organeve ligjzbatuese për hartimin e një strategjie urgjente për luftimin e kësaj dukurie të rrezikshme dhe shqetësuese”, ka deklaruar Dashevci për “Bota sot”.

Berisha kërkon kontrolle më të rrepta mbi armët

Edhe njohësi i sigurisë Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehur shqetësim të madh për ngjarjet e fundit, duke theksuar se humbja e çdo jete mbetet një plagë e rëndë për familjet dhe për gjithë shoqërinë.

“Së fundmi, ngjarjet tragjike me armë që kanë ndodhur në vend më kanë shqetësuar thellësisht. Besoj se çdo humbje jete është një plagë e rëndë për familjet, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi. Mendoj se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje për konfliktet apo mosmarrëveshjet. Për këtë arsye, konsideroj se kontrolli mbi armët duhet të jetë më i rreptë dhe zbatimi i ligjit të zbatohet në përpikmëri”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar më tej se mbajtja e armëve duhet të kufizohet vetëm te personat që i përmbushin në mënyrë rigoroze kriteret ligjore.

Sipas Berishës, edhe dënimet duhet të jenë të drejta dhe të zbatohen pa vonesë, në mënyrë që të japin efekt real në parandalimin e rasteve të tilla.

“Patjetër kërkohet që posedimi i armëve duhet të monitorohet me kujdes dhe vetëm personat që plotësojnë të gjitha kriteret ligjore duhet të kenë të drejtë t’i mbajnë ato. Po ashtu, besoj se kontrollet periodike dhe verifikimet e vazhdueshme do të ndihmonin në parandalimin e keqpërdorimit të armëve. Mendoj se Policia duhet të intensifikojë kontrollet në terren, të luftojë fuqishëm armët pa leje dhe të reagojë shpejt ndaj çdo informacioni që sinjalizon rrezik”, ka theksuar eksperti.

Në fund, Berisha ka vlerësuar se bashkëpunimi mes policisë, prokurorisë, gjykatave dhe qytetarëve është vendimtar për të parandaluar ngjarje të tilla.

“Nga ana tjetër, drejtësia duhet të veprojë me efikasitet, duke trajtuar me prioritet të gjitha rastet që kanë të bëjnë me armët dhe dhunën. Besoj se dënimet duhet të jenë të drejta dhe të zbatohen pa vonesa, në mënyrë që të kenë efekt parandalues. Gjithashtu, konsideroj se institucionet duhet të investojnë më shumë në edukimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Bashkëpunimi mes policisë, prokurorisë, gjykatave dhe qytetarëve është thelbësor për të parandaluar ngjarje të tilla. Vetëm përmes zbatimit të ligjit, përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtojmë një mjedis më të sigurt për të gjithë. Ky duhet të jetë një prioritet i përhershëm për institucionet dhe për shoqërinë në tërësi”, ka shtuar Berisha për “Bota sot”.


të fundit

Arianit Koci jep hollësi për Avdi Memçajn, i ndaluar në Serbi që nga 20 maji

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Avdi Memçaj ndodhet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, pasi…

7 minutes ago

Putin dhe Trump diskutojnë me telefon për Ukrainën, Kremlini flet për rrugë diplomatike, reagon edhe Zelensky

Një bisedë telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump është zhvilluar me në fokus luftën në…

10 minutes ago

“Safe City” cameras in Ohrid are undergoing final tests, full activation across the city expected soon

Në pritje të pjesës më intensive të sezonit turistik veror, sistemi "Qytet i Sigurt" në rajonin e Ohrit po hyn…

12 minutes ago

Jordan Bardella draws attention as a contender for the Elysee while Marine Le Pen remains out of the race

Marine Le Pen e ka synuar prej vitesh postin e presidentes së Francës, por në momentin kur ky objektiv dukej…

12 minutes ago

Experts: Without the return of inspections, Iran’s nuclear program remains impossible to fully verify

Marrëveshja mes Iranit dhe SHBA-së synon t’i hapë rrugë mbikëqyrjes ndërkombëtare të programit bërthamor iranian. Specialistët vlerësojnë se, nga ana…

13 minutes ago

Scientists warn about heat in Europe: summers are expected to become increasingly extreme

Shkencëtarët po e cilësojnë valën e fortë të të nxehtit që goditi Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë majit dhe…

13 minutes ago