Categories: kosovë

Nga të arrestuarit te kërkimet për një varrezë të dyshuar masive në Zubin Potok: Të dhënat e deritanishme

Një hetim i zhvilluar për rreth dy vjet nga autoritetet e Kosovës nisi me ndalimin e dy personave të dyshuar për krime lufte dhe vijoi me gërmime në Zubin Potok, ku besohej se mund të ndodhej një varrezë masive. Brenda pak ditësh, në terren u gjetën mbetje mortore me origjinë njerëzore, u arrestua edhe një person tjetër i dyshuar për krime lufte dhe u evidentua një lokacion i dytë ku mund të ketë mbetje njerëzore. Ndërkohë, në Serbi u arrestua një shtetas i Kosovës, i dyshuar për spiunazh.

Të lidhura

None found

Gërmimet në Kalludër të Vogël, një fshat malor në komunën veriore të Zubin Potokut, nisën më 28 korrik, pas dyshimeve për ekzistencën e një varreze masive.

Sipas autoriteteve, operacioni në këtë zonë ishte rezultat i një hetimi rreth dyvjeçar të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Pak ditë përpara fillimit të punimeve, u arrestuan dy persona, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Prokuroria ka bërë të ditur se rasti i tyre lidhet me gërmimet e zhvilluara në Kalludër të Vogël.

Detajet mbi veprimet për të cilat dyshohen të arrestuarit nuk janë bërë publike. Megjithatë, Policia deklaroi se për njërin prej tyre kishte siguruar prova se ai ishte “i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish-armatën jugosllave”.

M.J. dhe M.B. ndodhen aktualisht në paraburgim.

Më 2 gusht, Policia e Kosovës arrestoi edhe J.R., në kuadër të të njëjtit hetim.

Prokuroria Speciale sqaroi se ndalimi i tij erdhi pas veprimeve të mëtejshme hetimore, por nuk dha informacion mbi rolin që dyshohet se ka pasur.

Dejan Vasiq, avokati i M.B., i tha Radios Evropa e Lirë se në kërkesën për caktimin e paraburgimit klienti i tij akuzohet se ka qenë ndër personat që kanë varrosur viktimat e lidhura me ngjarjet në fjalë.

“Ai është i bindur se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, pasi nuk ka qenë fare në vendin që përmend prokurori”, deklaroi Vasiq.

Millosh Deleviq, mbrojtësi i M.J., nuk pranoi të jepte hollësi mbi dyshimet konkrete ndaj klientit të tij. Ai tha vetëm se vepra penale është cilësuar si krim lufte kundër popullsisë civile.

Gjatë vijimit të kërkimeve, autoritetet konfirmuan se mbetjet e zbuluara në Kalludër të Vogël janë të origjinës njerëzore.

Që në ditët e para të gërmimeve u ngritën dyshime se ato mund t’u përkisnin një grupi shqiptarësh të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit. Lokacioni vazhdon të jetë nën gërmime.

Grupi civil, i njohur si “grupi i intelektualëve”, rezulton i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në përbërje të tij kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe persona me profesione të tjera.

Më 29 korrik, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u tha gazetarëve se dyshimi fillestar ishte që mbetjet mund t’i përkisnin këtij grupi.

“Ne nuk mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje”, tha Kurti.

Instituti i Mjekësisë Ligjore po merret me procesin e identifikimit. Autoritetet kanë theksuar se vetëm ekzaminimet forenzike dhe analizat e ADN-së mund të përcaktojnë identitetin e viktimave.

Prokuroria Speciale u ka kërkuar mediave, qytetarëve dhe zyrtarëve që të shmangin çdo spekulim lidhur me identitetin e mbetjeve.

“…Ende gjithçka është herët, dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Më 2 gusht, Prokuroria dhe Policia njoftuan për gjetjen e një lokacioni tjetër në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.

Institucionet deklaruan se do t’i drejtohen Gjykatës Themelore në Prishtinë për të marrë autorizimin e nevojshëm për gërmime edhe në këtë zonë.

Një ditë përpara njoftimit për lokacionin e dytë, Kurti vizitoi vendin ku po kryheshin kërkimet në Kalludër të Vogël.

Sipas tij, puna në terren mund të vazhdojë për “shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj”, pasi mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara përgjatë një përroi.

Kurti përsëriti edhe kërkesën që Serbia të hapë arkivat shtetërore dhe ushtarake, duke argumentuar se ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Pas njoftimit për lokacionin e dytë reagoi edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi atë “një rikujtim të rëndë të krimeve të kryera gjatë luftës”.

Ndërsa në Zubin Potok vijonin hetimet për varrezën e dyshuar masive, autoritetet serbe arrestuan një shtetas të Kosovës me dyshimin për “spiunazh”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë bëri të ditur se R.T., nga Istogu, u arrestua më 30 korrik në Kralevë. Gjykata e Lartë në këtë qytet i caktoi atij 30 ditë paraburgim.

Autoritetet serbe nuk publikuan të dhëna mbi veprimet që i atribuohen R.T.-së, përveç faktit se ai dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

Megjithatë, disa burime në Kosovë i thanë Radios Evropa e Lirë se arrestimi mund të lidhet me dyshimet se R.T. kishte dhënë informacione që çuan te lokacioni ku po zhvillohen gërmimet për mbetje mortore në Zubin Potok.

Andin Hoti, ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, e cilësoi arrestimin e personit që, sipas tij, kishte ndihmuar në zbulimin e një varreze të dyshuar masive në Kosovë si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës”.

“Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet”, shkroi Hoti në Facebook.

Hoti nuk ka sqaruar se mbi cilat informacione mbështetet pretendimi i tij se arrestimi lidhet me ndihmën e supozuar për zbulimin e varrezës masive. Ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment të mëtejshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.579 persona vazhdojnë të jenë të regjistruar si të zhdukur nga lufta e viteve 1998-99.

të fundit

De Bruyne dhe Lukaku në provën e madhe: e ardhme e ndritur apo zhgënjim te Napoli?

Romelu Lukaku dhe Kevin De Bruyne do t'i bashkohen së shpejti Napolit për pjesën e dytë të përgatitjeve para sezonit…

6 minutes ago

MSH-Maqedoni: Rasti i nënës së re që nuk mundi t’i nënshtrohej prerjes cezariane do të hetohet deri në fund

Lidhur me rastin që ditët e fundit është në qendër të interesimit publik dhe që ka të bëjë me trajtimin…

16 minutes ago

Albin Kurti zhvilloi takim me Zijadin Selën, kryetarin e Lidhjes Shqiptare

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në…

21 minutes ago

Arman Durmishi fiton besimin e Spallettit, Juventusi e përfshin në fazën përgatitore

Juventusi ka publikuar listën e plotë të yjeve që do të udhëtojnë për në Hong Kong, aty ku skuadra do…

30 minutes ago

Kurti zhvillon takim me kreun e Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në…

32 minutes ago

Rritja e çmimit të hidrokarbureve e paarsyeshme, qeveria të ndërhyjë menjëherë/ Konfindustria: Ngrini Bordin e Transparencës, SPAK të hetojë kontrabandën

Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë menjëherë në tregun e karburanteve, pas asaj që e cilëson si…

34 minutes ago