Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vijon seanca ku paraqiten deklaratat përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Të gjithë ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
None found
Gjatë seancës së së mërkurës, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi që trupi gjykues ta shpallë atë të pafajshëm dhe ta lirojë nga të gjitha akuzat.
Avokatja Sophie Menegon tha se vendimi duhet të mbështetet vetëm në prova dhe jo në ato që ajo i përshkroi si spekulime të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). “Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, deklaroi Menegon.
Sipas mbrojtjes, dëshmitarët e përmendur nga prokuroria, mes tyre Rrustem Mustafa, Bislim Zyrapi dhe një dëshmitar i mbrojtur, kanë mohuar gjatë marrjes në pyetje se janë ndikuar nga Thaçi apo nga persona të tjerë.
Mbrojtja pretendoi se gjatë procesit nuk është provuar asnjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë. Ajo argumentoi gjithashtu se ZPS-ja nuk ka arritur ta dëshmojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Menegon kritikoi edhe mënyrën e trajtimit të formave të përgjegjësisë penale nga prokuroria. Sipas saj, aktakuza nuk është koherente në këtë drejtim dhe akuzat nuk janë mbështetur me prova të mjaftueshme.
Mbrojtja kundërshtoi edhe dëshminë e ekspertit të prokurorisë, Koen Herlaar, duke e vlerësuar si problematike metodologjinë e përdorur prej tij.
ZPS-ja, ndërkohë, kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen. Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.
Prokurori Joshua Hafetz deklaroi se, sipas ZPS-së, veprimet e të akuzuarve janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe përbëjnë ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Sipas aktakuzës dhe argumenteve të prokurorisë, gjatë qëndrimit në paraburgim në Hagë, Thaçi kishte komunikuar me persona të tjerë dhe kishte diskutuar për dëshmitë e dëshmitarëve në procesin e tij kryesor, që lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
ZPS-ja pretendon se nëntë vizita në qendrën e paraburgimit, të zhvilluara brenda një periudhe katërmujore, kanë prodhuar rreth 28 orë incizime. Sipas prokurorisë, në këto incizime dëgjohen biseda që lidhen me dëshmitarët dhe procesin gjyqësor.
Kryeprokurorja Kimberly West ka thënë se, sipas pretendimeve të ZPS-së, Thaçi kishte krijuar grupe me persona që njihnin dëshmitarë të caktuar, me synim ndikimin në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon se gjatë këtyre kontakteve janë diskutuar, ndër të tjera, dëshmitë e Rrustem Mustafës, Bislim Zyrapit, Sylejman Selimit dhe një dëshmitari të mbrojtur.
Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi akuzohet për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Forcat ruse kanë goditur një qendër tregtare në qendër të Pavlohradit, në rajonin e Dnipros në Ukrainë, duke shkaktuar të…
Situata e sigurisë në qytetet fqinje të Kramatorskut dhe Slavianskut, dy qendrat më të mëdha që ndodhen ende nën kontrollin…
Shqipëria po humbet popullsi dhe veçanërisht të rinj, por tkurrja e kësaj grup-moshe nuk po shoqërohet me një lehtësim të…
Këtë të premte, vijon protesta e 104-të në Tiranë, në kuadër të protestave të njëpasnjëshme të qytetarëve kundër qeverisë. Tubimi…
Edhe për ditën e premte vendi ynë do të mbetet në ndikim të masave ajrore relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet…
Institucionet dhe partitë politike në Kosovë do të nderojnë sot viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA,…