NATO ka reaguar ndaj interesimit dhe debatit të krijuar në Kosovë për mungesën e vendit në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke sqaruar se agjenda e këtij takimi është përqendruar te 32 vendet anëtare dhe te një numër i kufizuar partnerësh.
Sipas një zyrtari të NATO-s, në qendër të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, zgjerimi i kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe vijimi i mbështetjes për Ukrainën.
None found
“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, zyrtari i Aleancës rikujtoi edhe një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili ka theksuar se vëmendja mbetet te zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.
“Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. E gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë ne”, kishte deklaruar Rutte.
NATO bëri të ditur se programi i samitit parasheh një takim të 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.
“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”, thuhet në përgjigje për telegrafin.
Megjithëse Kosova nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të samitit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një rajon me peshë strategjike për Aleancën dhe se përkushtimi për sigurinë në këtë pjesë të Evropës nuk ka ndryshuar.
“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.
Në të njëjtin reagim, Aleanca nënvizoi edhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it për ruajtjen e sigurisë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.
Ky sqarim i NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë për faktin se vendi nuk është në listën e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.
Ndryshe, Telegrafi do ta përcjellë samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara.
Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ka hyrë në një fazë tjetër,…
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se buxheti për mbrojtjen e Republikës së Kosovës për vitin 2027 është planifikuar…
Pas diskutimit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, deputetja e PD renditi shqetësimet për zgjedhjet, barazinë para…
MPB Maqedoni njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në lokacione të ndryshme në vend, nëpunës policorë kanë privuar nga…
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka mbështetur idenë e krijimit të një qeverie teknike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si…
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e quajti përpjekjen për shkarkimin e tij si një “spektakël politik” dhe një manifest…