Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se subjekti i tij tërhiqet nga të gjitha pretendimet për drejtimin e Kuvendit, postin e presidentit dhe përfshirjen në Qeveri, duke ia lënë Lëvizjes Vetëvendosje mundësinë që t’i mbajë të gjitha këto pozita. Analisti politik Artan Muhaxhiri, megjithatë, konsideron se propozimi i kreut të LDK-së nuk paraqet një rrugëdalje realiste dhe normale nga kriza politike.
None found
Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se, përderisa LVV-ja nuk e sheh LDK-në si partnere të nevojshme, nuk do ta ketë atë as si dekor të pushtetit. Sipas tij, LDK-ja do të mbetet në opozitë dhe do ta përmbushë me dinjitet këtë përgjegjësi.
Pavarësisht këtij qëndrimi, ai bëri të ditur se partia e tij do të angazhohet në procesin për presidentin, por ka vendosur kushte lidhur me kreun e ardhshëm të shtetit.
Abdixhiku theksoi se presidenti i ri duhet të jetë mbrojtës i Republikës dhe i rendit kushtetues.
Sipas tij, LVV-ja tashmë ka dy mundësi: ta sigurojë stabilitetin përmes zgjedhjes së përbashkët të presidentit ose ta drejtojë vendin drejt një krize tjetër. Ai e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit se nuk po pranon as një “kompromis minimal”.
Kreu i LDK-së tha se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, pasi mungesa e saj në votim do ta çonte vendin në zgjedhje. Ai argumentoi se presidenti “s’mund të zgjidhet” vetëm me 61 votat e LVV-së.
Abdixhiku kërkoi që në krye të shtetit të vendoset një figurë jopartiake, e cila i shërben Republikës, dhe jo një “president karate”. Ai paralajmëroi se kandidaturat partiake nuk do të pranohen.
Duke i cilësuar të papranueshme propozimet e njëanshme, ai tha se kandidati për president duhet të përcaktohet vetëm pas diskutimeve të hollësishme ndërmjet partive.
LDK-ja ishte i vetmi subjekt politik që pranoi të hynte në negociata me LVV-në, e cila doli fituese në zgjedhjet e qershorit.
Megjithatë, disa takime mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut nuk prodhuan marrëveshje.
Sipas Abdixhikut, Kurti i kishte propozuar atij pozitën e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta ishte refuzuar. Ai tha se kërkesat e LDK-së kishin përfshirë postin e presidentit dhe pjesëmarrjen në ekzekutiv.
Abdixhiku përsëriti se, nëse LVV-ja nuk e konsideron LDK-në të nevojshme si partnere, atëherë nuk mund ta përdorë atë as si dekor për pushtetin e vet.
Ai bëri thirrje që konstituimi i Kuvendit të kryhet menjëherë dhe që LVV-ja të procedojë me formimin e Qeverisë së re.
Pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, Kosova është përfshirë në një ngërç të ri institucional.
Procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar ende, megjithëse afati prej 30 ditësh skadoi më 7 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon një marrëveshje politike përpara vazhdimit të seancës, me theks të veçantë te zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kërkojnë që konstituimi i Kuvendit të mos lidhet me çështjen e kreut të shtetit.
Kurti ka këmbëngulur që presidenti i ardhshëm të jetë një personalitet jopartiak dhe i pranueshëm me konsensus.
Pikërisht mosmarrëveshjet për presidentin çuan në zgjedhjet e qershorit, pasi palët nuk arritën të gjenin konsensus kur Vjosa Osmanit i përfundoi në prill mandati pesëvjeçar si presidente.
LVV-ja e drejtuar nga Kurti ka siguruar mandate të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe votimin e Qeverisë së re, duke llogaritur gjithashtu mbështetjen e partive të minoriteteve joshumicë.
Për vlefshmërinë e votimit të presidentit të Kosovës, ndërkaq, kërkohet prania e 80 deputetëve në Kuvendin prej 120 vendesh.
Artan Muhaxhiri e cilësoi ofertën e Abdixhikut për presidentin si “të çuditshme” dhe “të vonuar”, duke vlerësuar se ajo nuk e afron vendin me zgjidhjen e krizës.
Sipas analistit, veprimi më i dobishëm i Abdixhikut do të ishte takimi me drejtuesit e tjerë opozitarë dhe ndërtimi i një fronti të përbashkët, i cili do të ishte pakrahasueshëm më i fuqishëm sesa veprimi i ndarë i secilës parti. Muhaxhiri vlerësoi se kreu i LDK-së është distancuar si nga subjektet e tjera opozitare, ashtu edhe nga Kurti, situatë që, sipas tij, “i shkon në favor” LVV-së.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Muhaxhiri tha se ideja për një president jopartiak ka ekzistuar edhe më herët. Për këtë arsye, ai ngriti pyetjen se përse ishte e nevojshme të zhvilloheshin takimet ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.
Ai vlerësoi se nuk kishte arsye të shpenzohej aq shumë kohë dhe të organizoheshin gjithë ato takime, nëse palët në fund do të riktheheshin sërish në pikën fillestare.
Muhaxhiri tha se kompromisi më i madh që Kurti mund të bëjë është t’ia japë palës tjetër postin e kryetarit të Parlamentit, mundësi që, sipas tij, është përmendur edhe gjatë këtyre ditëve. Ai parashikoi se propozimi i Abdixhikut do të jetë krejtësisht i papranueshëm për Kurtin dhe shtoi se, edhe në një skenar tjetër, do të ishte shumë e vështirë të gjendej një kandidaturë që i përmbush kërkesat. Për këtë arsye, ai e quajti ofertën të vonuar dhe tha se ajo nuk ndihmon në arritjen e një zgjidhjeje realiste dhe normale.
Analisti e konsideroi madje “gabim të madh” deklarimin se LDK-ja do të ndihmojë në zgjedhjen e presidentit vetëm nëse plotësohen kushtet e saj. Sipas tij, Abdixhiku “nuk është në pozitë që të diktojë kushte”, sepse përballet me probleme të mëdha brenda LDK-së dhe nuk mund t’i garantojë të 18 votat e deputetëve, edhe në rast të një pajtimi me LVV-në për kreun e shtetit.
Muhaxhiri tha se LDK-ja, Partia Demokratike dhe Aleanca paraqesin secila ide të ndryshme për kapërcimin e krizës. Sipas tij, zgjidhja më logjike do të ishte që të tria partitë të hartonin një qasje të përafërt bashkëpunimi, në mënyrë që Kurtit t’i kundërviheshin me alternativa ose opsione konkrete.
Nëse këto subjekte do të arrinin të identifikonin një kandidat të denjë për president, sipas Muhaxhirit, kjo do të krijonte presion politik dhe publik ndaj Kurtit.
Ai shpjegoi se në një rast të tillë do të ndryshonte si diskursi, ashtu edhe i gjithë rrëfimi për presidentin, ndërsa beteja rreth kësaj çështjeje do të merrte një drejtim tjetër dhe më të qartë. Muhaxhiri shtoi se një zhvillim i tillë mund ta detyronte Kurtin ta ndryshonte pozicionin.
Edhe nëse nuk arrijnë të bashkohen rreth çështjes së presidentit, Muhaxhiri beson se subjektet opozitare duhet të zhvillojnë takime dhe të ndërtojnë mirëbesim. Në të kundërtën, sipas tij, ato “vështirë se do të mund ta sfidojnë” Kurtin.
Përveç LDK-së, gatishmërinë për të mbetur në opozitë e kanë shprehur edhe PDK-ja dhe Aleanca.
Policia e Kosovës ka nisur marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndërsa përgjegjësi…
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përshëndetur qëndrimin e sotëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë…
Pas publikimit të dekrlatës së drejtorit të VITA-s në portalin TetovaSot se qumshti LAND është i dyshmitë. Inspektorati i Agjencisë…
Jules Kounde nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona, pavarësisht interesimit nga Bayern Munich, Arsenal, Paris Saint-Germain dhe Tottenham. Mbrojtësi…
Luigi Mangione pritet të deklarohet fajtor që të premten në çështjen federale që lidhet me ndjekjen dhe vrasjen e drejtuesit…
BDI heshti për dy vjet, ndërsa sot, kur Prokuroria ngriti aktakuzë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, kërkon mbikëqyrje ndërkombëtare. Pse…