Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i ka cilësuar si të papranueshme ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se ato përplasen me zotimet thelbësore që vendi ka ndaj Bashkimit Evropian.
None found
Në një deklaratë për mediat para se të niste takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg më 12 tetor, Kos kritikoi faktin që rregullat ligjore po ndryshohen ndërkohë që çështjet gjyqësore janë ende duke u shqyrtuar.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos.
Ajo shtoi se ndryshimi i rregullave në mes të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, deklaroi ajo.
Këto komente vijnë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi javën e kaluar një sërë ndryshimesh në ligjin që rregullon veprimtarinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale.
Propozimi për ndryshime erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës vetëm pesë ditë pas shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara i dënuan ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — me gjithsej 81 vjet burg për krime lufte.
Të katër ishin deklaruar të pafajshëm gjatë gjithë gjykimit.
Me ndryshimet e miratuara synohet ngushtimi i juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke kufizuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që ato mund të trajtojnë.
Parashikohet, mes tjerash, që dënimi maksimal me burgim të ulet në 15 vjet, të hapet mundësia e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtja e dënimeve të bëhet brenda Kosovës.
Bashkimi Evropian kërkon që pavarësia e Speciales të respektohet
Deklarata e Marta Kosit është paralajmërimi më i ri i bllokut evropian lidhur me këto ndryshime ligjore.
Më 8 tetor, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm kishte thënë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndaj BE-së.
Në reagimin e saj, BE-ja theksoi se Dhomat e Specializuara janë një institucion i pavarur gjyqësor, i ngritur me vendimet e Kuvendit të Kosovës të viteve 2014 dhe 2015, dhe se mandati e pavarësia e tyre duhet të respektohen në tërësi.
Blloku evropian i bëri thirrje Kosovës të përmbushë detyrimet ndërkombëtare, të sigurojë pavarësinë e gjykatës, drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet, si dhe mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë shprehu gjithashtu shqetësime të ngjashme, duke nënvizuar se pavarësia e Dhomave të Specializuara nuk mund të cenohet.
Nga ana tjetër, PDK-ja e kundërshtoi vlerësimin e BE-së.
Deputeti i PDK-së Përparim Gruda tha se ndryshimet nuk shkelin asnjë detyrim ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas kësaj partie, objektivi nuk është mbyllja e gjykatës, por ngushtimi i mandatit në përputhje me arsyen për të cilën ajo u krijua.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti i kishte përshkruar ndryshimet si të nxituara dhe jo mjaftueshëm të analizuara, megjithëse Lëvizja e tij Vetëvendosje i mbështeti ato gjatë shqyrtimit në Kuvend.
Dhomat e Specializuara bëjnë pjesë në sistemin gjyqësor të Kosovës, por ushtrojnë veprimtarinë në Hagë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Ato u ngritën për të trajtuar pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Themelimi i tyre lidhet edhe me marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës me BE-në, përfshirë shkëmbimin e letrave të vitit 2014, që parashihte konsultime për ndryshime ligjore që mund të preknin mandatin e gjykatës.
Marrëdhëniet Kosovë-BE përballen me edhe një pengesë
Kundërshtimi i BE-së ndaj këtyre ndryshimeve shton një çështje tjetër mospajtimi mes Brukselit dhe Prishtinës, në një kohë kur Kosova ende nuk ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.
Kosova aplikoi për anëtarësim në dhjetor 2022, por vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e kandidatit.
Avancimi i saj drejt BE-së varet, ndër të tjera, nga reformat në sundimin e ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Komisioni Evropian theksoi në raportin e tij të fundit për zgjerimin se afrimi me BE-në kushtëzohet nga përparimi në demokraci, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore.
Ai ritheksoi po ashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për perspektivën evropiane të Kosovës.
Rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit e vështirëson edhe qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së — Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja — që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Ai nuk ka aftësitë komunikuese të Benjamin Netanyahut dhe as reputacionin e një politikani që di të manovrojë në korridoret…
Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, i cili, sipas…
Nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës paralajmërojnë punësimin e 20 specializantëve të rinj, edhe atë deri në fund të këtij…
Shpërthimi i skandalit të rëndë mjedisor në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan ka sjellë lëvizje në piramidën drejtuese të kompanisë…
Një prej kroçerave më të pazakonta në botë pritet të nisë udhëtimin më 9 nëntor nga PortMiami, në Florida të…
Deputetët e opozitës edhe gjatë protestës së djeshme u përballën me refuzimin e studentëve. Por numri një i PD doktor…