Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, deklaroi se Lumir Abdixhiku, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet të sigurojë që Grupi Parlamentar i LDK-së ta zbatojë çdo marrëveshje eventuale për zgjedhjen e presidentit.
None found
Gjatë emisionit “Intervista e javës” në KosovaPress, Rrustemi tha se LVV-ja nuk mund të marrë përgjegjësi për qëndrimet individuale të deputetëve të LDK-së. Sipas tij, menaxhimi i grupit parlamentar i takon Abdixhikut, i cili e përfaqëson partinë e tij, ndërsa Albin Kurti përfaqëson Vetëvendosjen.
Rrustemi sqaroi se LVV-ja nuk i ka kërkuar Abdixhikut garanci për sjelljen e secilit deputet, pasi atë e trajton në mënyrë formale si kryetar të LDK-së. Megjithatë, nëse palët bien dakord për një emër, Abdixhiku duhet të garantojë zbatimin e marrëveshjes nga ana e LDK-së.
Të shtunën, Kurti, kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë, zhvilloi një tjetër takim me Abdixhikun, por edhe kësaj here nuk u arrit marrëveshje për kandidatin presidencial.
Megjithëse në takimet e mëparshme është bërë e ditur se janë hedhur në diskutim emra konkretë, Rrustemi vlerësoi se publikimi i tyre mund ta dëmtojë procesin. Ai tha se emrat duhet të ruhen për të mbrojtur integritetin e figurave që mund të shërbejnë si kandidatë konsensualë.
Sipas deputetit të LVV-së, propozime për president kanë ardhur si nga Vetëvendosje, ashtu edhe nga LDK-ja. Këta kandidatë duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara më herët: të jenë figura konsensuale, jashtëpartiake, mbi palët dhe të palidhura me polemikat e përditshme politike.
Rrustemi tha se nuk disponon informacion për numrin e propozimeve dhe u rezervua të përmendte emra konkretë. Ai shtoi se diskutimi i tyre brenda grupeve duhet të bëhet vetëm pasi të ketë përafrim dhe pajtim mes dy palëve, pasi procesi është i ndjeshëm.
I pyetur për kandidaturën e Faton Bislimit, të mbështetur nga ish-ambasadori Ëilliam Ëalker dhe ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi, Rrustemi tha se nuk e di nëse emri i tij është diskutuar në takimet Kurti-Abdixhiku.
Ai vlerësoi kontributin e Bislimit në marrëdhëniet e Kosovës dhe të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përshkruar atë si ish-deputet dhe figurë politike të LDK-së, por edhe si aktivist politik përtej partive dhe pjesëmarrës në aktivitetet lobuese.
Rrustemi theksoi se nuk dëshiron të mbajë qëndrim subjektiv për këtë emër dhe përsëriti se diskutimi publik për kandidaturat, përpara arritjes së një pajtueshmërie mes palëve, mund ta dëmtojë procesin.
Duke folur për seancën konstituive të Kuvendit, deputeti tha se qëndrimi politik i LVV-së është që ajo të mos zhvillohet pa u arritur paraprakisht një marrëveshje për presidentin.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit do të niste edhe afatin 60-ditor, duke krijuar presion shtesë mbi partitë dhe duke e vështirësuar dialogun. Rrustemi argumentoi se një situatë e tillë do t’i shtynte palët të silleshin sikur ndodheshin në prag të zgjedhjeve, pasi në fund të kësaj periudhe do të hapej procesi zgjedhor.
Ai sqaroi se nuk mund ta dijë se kur do ta thërrasë seancën kryesuesi, por politikisht vlerëson se Kuvendi duhet të konstituohet vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja për presidentin. Në atë moment, sipas tij, nuk do të kishte arsye për vonesa: fillimisht do të duhej të konstituohej Kuvendi dhe më pas të zgjidhej presidenti.
Mos-thirrja e seancës konstituive ka nxitur PDK-në dhe Aleancën të zhvillojnë aksione e aktivitete politike, me kërkesën për funksionalizimin e Kuvendit.
Rrustemi foli edhe për incidentin me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai tha se nuk ka pasur më pas kontakt apo komunikim me të, por pretendoi se gjatë një deklarimi për mediat në Kuvend, Lushtaku kishte tentuar ta pengonte fizikisht.
Deputeti tregoi se atë ditë kishte planifikuar t’u komunikonte gazetarëve qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Për shkak të zhvillimeve në sallë, gazetarët fillimisht e kishin vëmendjen te seanca, ndërsa më vonë, bashkë me deputetin Gola, ai nisi të fliste para tyre. Sipas Rrustemit, Lushtaku tentoi të ndërhynte me veprime fizike për t’ia pamundësuar deklarimin.
Rrustemi e cilësoi të papranueshme çdo cenim personal apo fizik të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se dallimet në qëndrime dhe deklarime janë të natyrshme, por nuk duhet të shoqërohen me veprime të tilla, duke shtuar se incidenti nuk ndikon në veprimtarinë e tij politike dhe publike.
Deputeti i LVV-së komentoi edhe zhvillimet në Gjykatën Speciale lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e përshkroi luftën e UÇK-së si të drejtë dhe çlirimtare, ndërsa Gjykatën Speciale e cilësoi si të padrejtë si në krijimin e saj, ashtu edhe në procesin e shoqëruar, sipas tij, me padrejtësi e shkelshmëri.
Rrustemi tha se pret dhe shpreson në lirimin e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen në Hagë.
Sa i përket marshit të paralajmëruar për 12 shtator në mbështetje të krerëve të UÇK-së, ai tha se nuk sheh arsye që përfaqësues të Vetëvendosjes të mos marrin pjesë. Rrustemi kujtoi se edhe në aktivitetet e mëparshme për këtë çështje kanë marrë pjesë votues, mbështetës, deputetë, aktivistë dhe funksionarë të LVV-së.
I pyetur nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të jetë pjesë e marshit, Rrustemi tha se nuk mund të japë informacion për pjesëmarrjen individuale të secilit. Ai vuri në dukje se drejtues të shoqatave të veteranëve kanë kërkuar që Kurti të mos marrë pjesë dhe e kanë kundërshtuar vetë ftesën drejtuar atij.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Zhitom të Poliçanit, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën gjatë punimeve për…
Një operacion i gjerë shpëtimi është duke u zhvilluar në Mesdhe, pasi një anije pasagjerësh që po udhëtonte nga Qiproja…
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po…
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se në rast të dakordimit për kandidatin për president, kryetari i Lidhjes…
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, profesori Bajram Binaku, ka reaguar lidhur me të ashtuquajturën “Lëvizja e Deçanit”,…
Një autobus dykatësh i NTP “Shkupi” është përfshirë nga zjarri në Vodno. Bëhet fjalë për autobusin e linjës 25, e…