Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se shefi i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, është shpallur person i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës. Sipas vendimit, atij i ndalohet përgjithmonë hyrja, qëndrimi dhe kalimi transit në territorin e Kosovës.
None found
Masa është marrë pas deklaratave të Luçiqit se Telekom Serbia synon të zgjerohet në të gjithë territorin e Kosovës, duke pretenduar se pengesa për këtë është qeveria aktuale në Prishtinë.
“Do të shtrihemi në tërë Kosovën, por po na pengon qeveria aktuale e saj”, ka deklaruar Luçiq.
Hulumtuesi i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, profesori doktor Gurakuç Kuçi, ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, duke paralajmëruar për intensifikimin e infiltrimit të Serbisë në jetën politike dhe institucionale të Kosovës.
Sipas Kuçit, deklarata e drejtorit të Telekom Serbisë përbën një tregues të qartë të asaj që ai e cilëson si pjesë të luftës hibride të Beogradit kundër Kosovës.
“Në Kosovë pritet që të rritet infiltrimi i Serbisë në jetën politike dhe institucionale. Kjo veprimtari, si pjesë e luftës hibride, është shprehur qartë nga drejtori i Telekom Serbisë, Vladimir Luçiq. Në një intervistë për mediat serbe, pas kthimit nga SHBA-ja, ai deklaroi se zgjerimi i kompanisë në gjithë Kosovën do të bëhet pasi të rrëzohet qeveria aktuale. Objektivi i tyre i hapur është që Telekom Serbia të shndërrohet në operatorin kryesor telefonik në Kosovë dhe të përfshijë edhe klientelën shqiptare”, ka thënë Kuçi.
Ai ka rikujtuar se një vit më parë kishte paralajmëruar për rolin e Telekom Serbisë si strukturë shtetërore që mund të përdoret për kontroll, manipulim, frikësim dhe ndërhyrje në institucionet e Kosovës dhe të rajonit.
“Tashmë kjo nuk është vetëm një analizë. Vetë drejtori i Telekom Serbisë po e shpreh publikisht synimin për shtrirje në të gjithë Kosovën dhe po e lidh realizimin e këtij plani me ndryshimet politike në Prishtinë”, është shprehur ai.
Kuçi e lidh zgjerimin rajonal të Telekom Serbisë me një strategji më të gjerë të Beogradit, të cilën e sheh si pjesë të projektit të “Botës Serbe”.
“Përmes telekomunikacionit synohet kontrolli dhe zgjerimi në hapësirat ku Serbia ka tashmë prani ose kërkon ta krijojë atë. Kjo është pjesë e pandashme e shtrirjes së “Botës Serbe””, ka deklaruar Kuçi.
Ai ka përmendur edhe aktivitetin e kompanisë në Mal të Zi, ku Telekom Serbia hyri menjëherë pas pavarësisë së këtij shteti, në vitin 2007. Aktualisht, përmes MTEL Podgorica, ajo zotëron drejtpërdrejt 51 për qind të aksioneve, ndërsa 49 për qind janë në pronësi të MTEL Banja Lukës, e cila kontrollohet po nga Telekom Serbia.
Në Bosnjë e Hercegovinë, kompania kontrollon rreth 65 për qind të Telekom Srpske/MTEL Banja Luka. Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut, Telekom Serbia mori licencën në korrik 2021 përmes MTEL-it, fillimisht duke ofruar shërbime televizive dhe më pas, në vitin 2022, duke u zgjeruar në telefoninë mobile.
Sipas Kuçit, edhe rastet kur planet e kompanisë nuk janë realizuar tregojnë të njëjtin orientim ekspansionist. Në vitin 2018, oferta prej rreth 60 milionë eurosh për blerjen e Telekom Albania-s u bllokua nga qeveria shqiptare për shkak të shqetësimeve që lidhej me sigurinë kombëtare. Në Kosovë, në vitin 2020, dështoi edhe oferta prej 155 milionë eurosh për blerjen e IPKO-s.
Brenda Kosovës, Telekom Serbia është zgjeruar përmes MTS d.o.o., kompani që është 100 për qind në pronësi të saj. Kjo strukturë ka blerë operatorë kabllorë, përfshirë VGN Net dhe HERC International, duke forcuar praninë në zonat me shumicë serbe.
Kuçi ka përmendur gjithashtu marrëveshjen prej 652 milionë eurosh me United Group për blerjen e NetTV Plus, biznesit satelitor EON Sat/Total TV në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe disa aseteve të Sport Klub në rajon. Sipas tij, ky transaksion e ka forcuar më tej pozitën e Telekom Serbisë në tregun rajonal.
Telekom Serbia, ka shtuar Kuçi, e ka paraqitur këtë zhvillim si pjesë të planit për t’u bërë kompania kryesore në Ballkanin Perëndimor, me objektiv arritjen e 3 miliardë eurove të ardhura deri në vitin 2030.
Paralelisht, kompania është shtrirë edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, duke synuar fillimisht diasporën dhe më pas përdorimin e saj si bazë për një depërtim më të gjerë.
Në pjesën përfundimtare të reagimit të tij, Kuçi ka ngritur akuza ndaj Telekom Serbisë dhe MTS d.o.o. për veprimtari në kundërshtim me marrëveshjet dhe institucionet e Kosovës.
“Kjo kompani ka shkelur drejtpërdrejt Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, duke zgjeruar rrjetin në mënyrë ilegale, duke punësuar persona pa dokumente të Kosovës dhe duke sabotuar institucionet e sigurisë”, ka deklaruar ai.
Kuçi ka pretenduar se MTS d.o.o. është përdorur si instrument i inteligjencës serbe, duke thënë se nga databazat e saj janë fshirë prova që lidhen me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, janë fshehur të dhëna për sulmin terrorist në Banjskë dhe janë mbuluar gjurmë të sulmit tjetër terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
“Natyra subversive e kësaj strukture u rikonfirmua në vitin 2025, kur kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës u bë nga një numër i MTS-it. Gjithashtu, në mars të vitit 2025, gazetarët e BIRN Serbia u sulmuan me softuerin spiun Pegasus përmes numrave të MTS-it, ndërsa BIA dhe policia serbe përdorën pajisje Cellebrite për instalimin e NoviSpy në telefonat e gazetarëve të ndaluar”, ka thënë ai.
Sipas Kuçit, një tjetër zhvillim shqetësues është përpjekja e Telekom Serbisë për t’u paraqitur si “investitor perëndimor”. Ai ka vlerësuar se Luçiq ka krijuar një mburojë diplomatike përmes bisedimeve në Uashington lidhur me rrjetin 5G, inteligjencën artificiale dhe financimin nga Exim Bank.
“Synimi është realizimi i “Botës Serbe” duke përdorur mbështetjen amerikane për avancimin e interesave të Serbisë. Çdo ndalesë ose masë rregullative që Prishtina do të ndërmerrte ndaj kësaj strategjie, nga Beogradi paraqitet menjëherë si pengesë për investimet amerikane dhe si përpjekje për të dëmtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së”, ka deklaruar Kuçi.
Ai e ka cilësuar Telekom Serbinë si një “Kali të Trojës” digjital për zbatimin e projektit të “Botës Serbe” në Ballkanin Perëndimor.
“Për ta realizuar këtë projekt në Kosovë, siç ka thënë edhe vetë Luçiq, nevojiten hapa të koordinuar politikë që do t’i mundësonin infiltrimin në jetën politike dhe institucionale të Kosovës”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.
Sipas tij, në epokën digjitale çdo investim duhet të vlerësohet edhe nga perspektiva e sigurisë, çka shërben si mësim për reagimin ndaj luftës hibride.
Teksa sezoni veror dhe periudha e pushimeve janë në kulmin e tyre, bashkitë janë detyruar të nisin punën brenda një…
Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës ka rikthyer në vëmendje disa përgjime të publikuara ditë më parë, të cilat lidhen…
Shumë njerëz supozojnë se një makinë e re është gjithmonë më e mirë. Megjithatë, mekaniku i makinave Juan Jose Ebenezer…
Mercedes-AMG ka publikuar pamjet e para zyrtare të SUV-it të saj të ri elektrik, duke dhënë sinjalet e para për…
Motorët elektrikë konvencionalë kërkojnë magnetë të fuqishëm, të integruar përgjithmonë, të prodhuar nga metale të rralla dhe të kushtueshme. Kompania…
Pensionimi shpesh shihet si një qëllim. Vite të tëra pune të palodhshme, orare të ngjeshura, vendime të rëndësishme, përgjegjësi gjithnjë…