Categories: kosovë

LIVE: PDK-ja bojkoton vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të caktuar për sot, më 13 shtator 2026.

Të lidhura

None found

Përmes një komunikate për media, PDK-ja bëri të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Vendimi u bë publik pasi Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se do të votojë për dy kandidatët e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja për postet e nënkryetarëve, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

PDK-ja deklaroi se procesi është shoqëruar me shkelje afatesh, bllokime të përsëritura dhe kushte të reja politike të vendosura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas PDK-së, Kuvendi duhej të konstituohej brenda afatit 30-ditor, përkatësisht më së largu deri më 7 gusht, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese. Kjo parti vlerëson se LVV-ja nuk e respektoi këtë afat dhe më pas caktoi një afat të ri, 6 shtatorin, i cili gjithashtu nuk u përmbush.

PDK-ja theksoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, kishte pranuar të merrte pjesë në seancat e Kuvendit edhe pas përfundimit të afateve, me qëllim që procesi të përmbyllej, veçanërisht duke pasur parasysh 16 shtatorin dhe vendimin e madh që pritet në Hagë.

Kjo parti mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, të thirrura me ftesë të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, sipas PDK-së, të dyja seancat u penguan nga LVV-ja përmes arsyetimeve të reja lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të opozitës.

PDK-ja tha se e kishte mbështetur kandidatin e LVV-së për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa LVV-ja nuk e votoi kandidaten e PDK-së, pavarësisht premtimit publik. Sipas saj, kjo dëshmon se qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje ndryshojnë në varësi të interesave politike.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme që votimi për nënkryetarët të lidhet me mënyrën se si opozita do të votojë për Presidentin e Republikës. Në qëndrimin e saj thuhet se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike.

PDK-ja njoftoi se nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën në një proces ku kushtet ndryshojnë vazhdimisht dhe shfaqen pengesa të reja. Ajo vlerëson se pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk garanton përfundimin e procesit dhe as mungesën e kërkesave të reja.

Ekspertët e PDK-së, sipas komunikatës, po përgatisin rastin që do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese dhe që do ta përfshijë procesin në tërësi. Deri në marrjen e vendimit nga kjo gjykatë, PDK-ja thotë se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Më herët, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kishte kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja që të ishin pjesë e seancës së sotme për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë.

Para hyrjes në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, Kryeziu-Hyseni shpjegoi se LVV-ja e kishte ndryshuar qëndrimin për votimin e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës pas diskutimeve brenda grupit parlamentar dhe vendimit të kryesisë së partisë për të mbështetur këta dy emra, me qëllim zhbllokimin e procesit.

Ajo tha se shpresonte që partitë opozitare ta ndryshonin qëndrimin dhe të merrnin pjesë në votim, duke iu referuar aktgjykimit që, sipas saj, e bën pjesëmarrjen e deputetëve obligative për konstituimin e Kuvendit dhe vijimin e proceseve të tjera.

Në orën 09:53, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, nuk kishte dhënë një përgjigje përfundimtare nëse deputetët e kësaj partie do të merrnin pjesë në seancë. Ai deklaroi se grupi parlamentar po zhvillonte një takim dhe se vendimi do të bëhej i ditur shumë shpejt përmes një komunikate.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ishte i pari që hyri në objektin e Kuvendit, ku pritej të mbahej seanca konstituive.

Seanca ishte caktuar të niste në orën 10:00, ndërsa në rendin e ditës ishte pika e katërt, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Mbledhja u thirr nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të votimit të Vlora Çitakut në seancën e së premtes. Deputetët e LVV-së abstenuan atëherë për kandidaten e PDK-së, e cila nuk arriti të siguronte votat e nevojshme për postin e nënkryetares.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi zgjodhi Ardian Golën nga LVV-ja si nënkryetar.

Pas dështimit të votimit të Çitakut, PDK-ja vendosi të mos merrte pjesë në seancat e mëtejshme konstituive. Disa orë më vonë u thirr edhe një seancë tjetër brenda së njëjtës ditë, por deputetët e PDK-së nuk morën pjesë.

LDK-ja kishte deklaruar se kandidatura e Kujtim Shalës nuk mund të hidhej në votim pa u votuar më parë kandidatura e PDK-së, duke kërkuar që procedura të ndiqte radhën përkatëse.

Të dielën në mbrëmje, LVV-ja njoftoi se do të mbështeste të dy kandidatët për nënkryetarë, Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së. Nga kjo parti u shpreh shpresë se zgjedhja e tyre do t’i hapte rrugë vazhdimit të procesit institucional dhe nuk do të pengonte zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Megjithatë, PDK-ja e mbylli qëndrimin e saj me kërkesën që çështjen ta trajtojë Gjykata Kushtetuese, duke kundërshtuar afatet e shkelura, kushtet e reja dhe pazaret politike.

të fundit

Thierry Henry në mbështetje të Harry Kane për Topin e Artë

Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Francës, Thierry Henry, ndau mendimet e tij mbi lojën e sulmuesit të Bayern Munich, Harry Kane,…

4 minutes ago

Students demand his resignation, Rama once again calls for dialogue and invites them to sit at a stone table

Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama, i ka ftuar sërish në dialog studentët që prej ditësh protestojnë kundër tij dhe…

7 minutes ago

Currency exchange October 24/ How much are the dollar and euro bought and sold for, and what is happening with other currencies

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan, do të blihet sot me 80.5 lekë dhe do shitet me…

7 minutes ago

Kim Jong Un calls for a stronger military and the launch of a “military revolution

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një “revolucion ushtarak” dhe forcimin e mëtejshëm të…

8 minutes ago

Tetë shtete amerikane padisin OpenAI-n për sigurinë e ChatGPT-së

Tetë shtete ngritën padi kundër OpenAI të mërkurën, duke pretenduar se kompania e inteligjencës artificiale i ka çorientuar përdoruesit lidhur…

14 minutes ago

Studentët kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama bën sërish thirrje për dialog dhe i fton të ulen në një tryezë guri

Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama, i ka ftuar sërish në dialog studentët që prej ditësh protestojnë kundër tij dhe…

15 minutes ago