Categories: kosovë

Letra e kongresmenëve amerikanë për Shqipërinë/ A po përgatit Uashingtoni masa ndaj zyrtarëve të dyshuar për korrupsion?

Letra që kongresmenët republikanë amerikanë Joe Wilson dhe Keith Self i kanë dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ka rikthyer në qendër të debatit situatën e demokracisë, korrupsionin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Wilson, përfaqësues republikan nga Karolina e Jugut, dhe Self, republikan nga Teksasi e kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, i kanë kërkuar administratës së SHBA-së të shqyrtojë mundësinë e kufizimit të vizave për zyrtarët shqiptarë që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.

Të lidhura

None found

Në dokument, dy ligjvënësit kanë shprehur shqetësim edhe për vazhdimësinë e reformës në drejtësi. Ata argumentojnë se, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme financiare dhe politike të Shteteve të Bashkuara, rezultatet e arritura deri më tani mbeten të brishta dhe mund të zhbëhen.

Wilson dhe Self kanë kërkuar që të shqyrtohet zbatimi i nenit 7031(c) të legjislacionit amerikan. Ky nen i jep mundësi Sekretarit amerikan të Shtetit t’u ndalojë hyrjen në SHBA zyrtarëve të huaj për të cilët ka informacion të besueshëm mbi përfshirjen në korrupsion të rëndësishëm. Në rrethana të caktuara, masa mund të shtrihet edhe te familjarët e tyre të afërt.

Një pjesë e veçantë e letrës lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndaj së cilës janë zhvilluar hetime për dyshime mbi ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik. Kërkesa e prokurorëve për heqjen e imunitetit të saj, në mënyrë që të mundësohej arrestimi, nuk u miratua nga Kuvendi. Kryeministri Edi Rama e kishte kundërshtuar këtë kërkesë, duke e cilësuar atë antikushtetuese.

Kongresmenët kanë kërkuar të dhëna edhe për ndihmën amerikane ndaj reformës në drejtësi, si dhe për bashkëpunimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë me institucionet shqiptare në mbrojtje të protestuesve dhe gazetarëve. Administratës amerikane i është kërkuar që përgjigjet t’i japë deri më 5 nëntor.

Nisma ka ngritur pikëpyetje nëse Uashingtoni po përgatitet të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj zyrtarëve shqiptarë të dyshuar për korrupsion dhe nëse kufizimet e mundshme të vizave mund të ndikojnë në zhvillimet politike në vend.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse shqetësimet e shprehura nga Wilson dhe Self do të shoqërohen me masa konkrete dhe çfarë pasojash mund të kenë ato në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Për “Bota sot”, publicistët Ilir Çumani dhe Llesh Ndoj kanë komentuar mesazhet e ardhura nga Kongresi amerikan, mundësinë e kufizimit të vizave dhe ndikimin që një vendim i tillë mund të ketë në politikën shqiptare.

Çumani: Vizat amerikane nuk mund të shërbejnë si privilegj për zyrtarët e korruptuar

Publicisti Ilir Çumani e sheh letrën e dy kongresmenëve amerikanë jo vetëm si një zhvillim diplomatik, por edhe si një sinjal të fortë për përgjegjësinë e zyrtarëve publikë dhe respektimin e ligjit.

Sipas tij, korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit përbën kërcënim për demokracinë, interesin e qytetarëve dhe besimin te institucionet.

Çumani deklaroi se letra e Joe Wilson dhe Keith Self drejtuar Marco Rubios nuk duhet të trajtohet si një deklaratë e zakonshme që do të harrohet pa ndikuar në politikën shqiptare. Ai tha se dokumenti sjell sërish në vëmendje parimin se askush, pavarësisht postit, pushtetit apo ndikimit politik, nuk mund të jetë mbi ligjin.

Publicisti e konsideron të rëndësishme nismën për kufizimin e vizave amerikane ndaj zyrtarëve të lartë shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Sipas tij, një korrupsion i tillë në nivelet e larta nuk është vetëm shkelje ligjore, por rrezikon funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Çumani u shpreh se korrupsioni i zyrtarëve të lartë duhet të ndëshkohet me forcën më të madhe të ligjit, pasi përbën një goditje ndaj interesit publik, varfëron qytetarët, dëmton pasurinë e përbashkët, dobëson besimin te institucionet dhe cenon themelet e demokracisë.

Duke folur për reformën në drejtësi, ai tha se pritshmëritë e qytetarëve nuk mund të mbeten te premtimet për luftën kundër pandëshkueshmërisë. Sipas tij, këto premtime duhet të shoqërohen me rezultate reale, sidomos kur hetimet përfshijnë zyrtarë të niveleve më të larta të pushtetit.

Çumani kritikoi standardet e dyfishta dhe theksoi se drejtësia duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Ai shtoi se nuk mund të kërkohet drejtësi për qytetarët e zakonshëm, ndërsa zyrtarët e fuqishëm tolerohen ose mbrohen nga ndikimi politik.

“Premtimi se askush nuk do të jetë i paprekshëm nuk duhet të mbetet slogan politik. Ai duhet të provohet me veprime dhe rezultate konkrete. Në një shtet të së drejtës, asnjë zyrtar nuk duhet të jetë mbi ligjin”, u shpreh publicisti.

Sipas tij, marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara nuk mund të kufizohen te deklaratat e miqësisë, fotografitë diplomatike apo retorika politike. Ato duhet të mbështeten te demokracia, transparenca, shteti i së drejtës dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit.

Çumani nënvizoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për të, këto nuk janë dekorata që përdoren për konsum politik, por angazhime që kërkojnë institucione të pavarura dhe standarde të larta demokratike.

Ai theksoi se nuk mund të pretendohet integrimi evropian ndërsa korrupsioni në nivelet më të larta të administratës dhe politikës vazhdon të mbetet problem serioz.

Lidhur me nenin 7031(c), Çumani tha se mekanizmi amerikan u jep mundësi autoriteteve që t’u ndalojnë hyrjen në SHBA zyrtarëve të huaj dhe, në rastet e përcaktuara, familjarëve të tyre të afërt, kur ka informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Ai sqaroi se një masë e tillë nuk duhet parë si ndëshkim ndaj Shqipërisë apo qytetarëve shqiptarë, por si instrument që synon individë të caktuar. Në të njëjtën kohë, Çumani theksoi se një zyrtar i hetuar nuk është automatikisht fajtor, një person i akuzuar nuk konsiderohet i dënuar dhe çdo vendim duhet të mbështetet në prova, kritere ligjore dhe procedura të drejta.

Megjithatë, sipas tij, funksioni publik, pasaporta diplomatike, pushteti apo lidhjet politike nuk mund të shërbejnë si mburojë ndaj përgjegjësisë. Nëse një zyrtar shqiptar përballet me kufizime për të hyrë në Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit të dokumentuar, kjo do të ishte një dëshmi se përgjegjësia publike nuk përfundon në kufijtë e vendit ku ushtrohet pushteti.

Publicisti e lidh rëndësinë e kësaj nisme edhe me mbrojtjen e SPAK-ut dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Ai tha se reforma nuk mund të konsiderohet e suksesshme vetëm sepse janë krijuar struktura të reja, por duhet të vlerësohet nga aftësia e tyre për të hetuar pa presion politik dhe pa dallime mes zyrtarëve.

Sipas Çumanit, nëse drejtësia godet vetëm të dobëtit dhe të fuqishmit vazhdojnë të mbrohen përmes ndikimit politik, besimi i qytetarëve te shteti do të vijojë të dobësohet.

Ai pranoi se përgjegjësia kryesore për ndërtimin e një shteti të së drejtës i takon Shqipërisë dhe se vendi nuk mund t’ua delegojë Uashingtonit apo Brukselit detyrën për të pastruar politikën e tij. Megjithatë, shtoi se partnerët ndërkombëtarë kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie, veçanërisht pasi kanë investuar politikisht dhe financiarisht në reformën institucionale shqiptare.

Çumani vlerësoi se pesha e letrës nuk lidhet vetëm me mundësinë e kufizimeve të vizave. Sipas tij, fakti që korrupsioni, pavarësia e drejtësisë dhe funksionimi i demokracisë shqiptare po diskutohen në nivele të rëndësishme të politikëbërjes amerikane është në vetvete një sinjal i rëndësishëm.

Ai tha se përgjigjja e administratës amerikane do të tregojë nëse kjo qasje do të pasohet nga hapa konkretë. Sipas tij, vendimi nuk duhet paragjykuar, por çdo vlerësim duhet të bazohet në fakte dhe në standarde të njëjta për të gjithë, pa dallim të përkatësisë politike.

“Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që shqetësohen për humbjen e privilegjit të udhëtimit drejt Amerikës. Ajo ka nevojë për zyrtarë të ndershëm, me integritet dhe dinjitet, që mendojnë për qytetarët, paratë publike, drejtësinë dhe besimin e humbur te shteti”, deklaroi Çumani.

Ai shtoi se një demokraci nuk matet nga numri i zyrtarëve që kanë viza amerikane, por nga numri i atyre që japin llogari përpara ligjit. Sipas tij, Amerika nuk duhet të jetë vendi ku zyrtarët që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve shkojnë për të gëzuar privilegje të përfituara përmes abuzimit me detyrën.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Çumani e lidhi nismën amerikane me përplasjen mes mazhorancës dhe SPAK-ut për çështjen e Belinda Ballukut dhe me mosmiratimin në Kuvend të kërkesës për heqjen e imunitetit të saj.

Ai paralajmëroi se një reagim konkret nga Uashingtoni, qoftë përmes kufizimeve të vizave apo mekanizmave të tjerë ligjorë, mund të ndryshojë raportet me zyrtarë të caktuar të qeverisë shqiptare. Sipas tij, mënyra se si mazhoranca do të sillet më tej ndaj drejtësisë mund të ndikojë edhe në besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Shqipëria mund të hyjë në një fazë të re të vëmendjes dhe presionit ndërkombëtar për korrupsionin dhe pavarësinë e drejtësisë. Letra e Joe Wilson dhe Keith Self nuk duhet nënvlerësuar, sidomos në kontekstin e përplasjes me SPAK-un për çështjen e Belinda Ballukut”, u shpreh ai.

Çumani theksoi se çështja kryesore nuk është privilegji për të udhëtuar drejt Amerikës, por respektimi i shtetit të së drejtës. Sipas tij, një qeveri që kërkon të jetë partnere strategjike e SHBA-së dhe kandidate serioze për Bashkimin Evropian duhet të tregojë se drejtësia nuk kushtëzohet nga interesat e pushtetit dhe se askush nuk qëndron mbi ligjin.

Ai vlerësoi se përgjigjja e Uashingtonit dhe qëndrimi i mazhorancës ndaj SPAK-ut mund të ndikojnë si në klimën politike të muajve të ardhshëm, ashtu edhe në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në përfundim, Çumani tha se debati i hapur nga kongresmenët amerikanë duhet parë si çështje kombëtare dhe jo si një përplasje mes partive. Sipas tij, ligji dhe përgjegjësia e zyrtarëve publikë duhet të jenë parime të panegociueshme.

“Është e papranueshme që personat e dyshuar për cenimin e interesave të vendit të vazhdojnë të gëzojnë privilegje jashtë tij, ndërsa qytetarët presin drejtësi dhe llogaridhënie në atdhe. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, as në Tiranë, as në Uashington dhe askund tjetër”, përfundoi Ilir Çumani për “Bota sot”.

Ndoj: Sinjalet e SHBA-së duhen marrë seriozisht, por marrëdhëniet strategjike nuk varen nga raste të veçanta

Publicisti Llesh Ndoj vlerëson se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara kanë rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet politike të vendit.

Sipas tij, mesazhet që vijnë nga Uashingtoni duhet të lexohen me kujdes dhe jo të interpretohen vetëm në funksion të interesave të politikës së brendshme shqiptare.

Ndoj tha se kërkesa e dy kongresmenëve drejtuar Sekretarit të Shtetit, Rubio, ku shprehet shqetësimi për demokracinë në Shqipëri dhe kërkohet ndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar përmes pamundësimit të udhëtimit drejt SHBA-së, duhet ndjekur në vijimësi.

Ai u shpreh se qëndrimet amerikane ndaj zhvillimeve panshqiptare kanë rëndësi të posaçme, ndërsa për Shqipërinë zyrtare pesha e tyre është edhe më e madhe për shkak të orientimit mbarëpopullor filoamerikan.

Publicisti sugjeroi që të pritet zbërthimi i mëtejshëm i gjuhës diplomatike dhe qëndrimet më konkrete të përcillen përmes ambasadorit amerikan në Shqipëri. Sipas tij, shqiptarët shpesh i interpretojnë mesazhet diplomatike në përputhje me interesat dhe pritshmëritë e tyre.

Lidhur me mundësinë e një ndryshimi të politikës amerikane ndaj qeverisë shqiptare, Ndoj shprehet skeptik. Ai mendon se SHBA-ja mund të kërkojë respektim më të madh të standardeve demokratike, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Uashingtoni do të ndryshojë qëndrimin ndaj qeverisë së Shqipërisë.

“Nuk besoj se do të ketë një qëndrim krejt tjetër të SHBA-së ndaj qeverisë shqiptare. Mund të ketë një tërheqje veshi për më shumë demokraci, por amerikanët kanë qenë të pranishëm prej vitesh dhe qeveritë e periudhës Rama 1–4 nuk kanë vepruar ndryshe nga këshillat e tyre”, deklaroi ai.

Për mundësinë e kufizimit të vizave, Ndoj tha se sinjalet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara duhet të konsiderohen gjithmonë serioze, të analizohen me shpejtësi dhe të vlerësohen drejt. Megjithatë, ai nuk mendon se masat ndaj një ose disa zyrtarëve do të ndryshonin thelbin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Nuk e di nëse do të sanksionohet një apo disa zyrtarë, por edhe nëse kjo ndodh, marrëdhëniet nuk do të ndryshojnë. Mjafton të shihet rasti i Berishës, fakti që dy ish-zëvendëskryeministra janë për burg dhe se ministra të tjerë vuajnë ose mund të kenë si destinacion të pashmangshëm burgun. Marrëdhënia Shqipëri-SHBA qëndron përtej rasteve individuale”, theksoi Ndoj.

Në mbyllje, publicisti ritheksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht zhvillimeve politike dhe masave të mundshme ndaj zyrtarëve të veçantë.

Sipas Llesh Ndojt, marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve kanë një rëndësi shumë më të madhe se rastet individuale dhe nuk pritet të dëmtohen nga zhvillime të tilla.

“Marrëdhëniet me SHBA-në, edhe nëse pësojnë lëkundje, mbeten strategjike dhe të paprekshme nga pala shqiptare. Besoj se edhe pala amerikane e sheh në këtë mënyrë”, përfundoi Llesh Ndoj për “Bota sot”.

të fundit

Maqedonia e Veriut paraqet projektbuxhetin e vitit 2027 me shpenzime prej 7 miliardë e 219 milionë eurosh

“Propozim buxheti për vitin 2027, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 395,4 miliardë denarë, që është 5,7…

5 seconds ago

Meta settles 18-year-old’s lawsuit over the impact of Instagram and Facebook

Meta Platforms, kompania mëmë e Instagram dhe Facebook, ka arritur një marrëveshje jashtë gjykatës me një 18-vjeçare, e cila e…

4 minutes ago

Rubio opens G20 summit in Atlanta as Lavrov attends and Europeans shun group photo

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka hapur samitin e G20 në Atlanta të SHBA-së, ku pjesëmarrës është edhe ministri…

4 minutes ago

Artan Hoxha: Rama used the State Police to serve his own interests; recordings are expected to reveal orders harsher than “show no mercy

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në studion e News24 protestat e studentëve, duke ngritur akuza për dhunën e ushtruar nga…

5 minutes ago

Rama announces that starting next year, students will stay at school until 5:00 p.m.

Gjatë fjalës së tij këtë pasdite, kryeministri Edi Rama njoftoi se duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të…

5 minutes ago

Artan Hoxha: Rama was caught unprepared, organized crime does not attack with stones; RENEA deployed at protest

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimin e protestës së studentëve dhe reagimin e Policisë së Shtetit, gjatë një interviste në…

6 minutes ago