Ndërsa më 16 shtator pritet vendimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në Kosovë janë shtuar paralajmërimet për pasojat që mund të sjellë një aktgjykim dënues. Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, duke iu referuar protestave të mëdha të paralajmëruara në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës.
None found
Ambasada ka bërë të ditur se protestat mund të shoqërohen me turma të mëdha, bllokim rrugësh dhe vështirësi të konsiderueshme në qarkullim. Për këtë arsye, qytetarëve u është rekomanduar të shmangin zonat ku pritet të zhvillohen demonstratat.
Ndërkohë, përfaqësues të PDK-së dhe të veteranëve të luftës kanë paralajmëruar zhvillime të rënda në rast të një vendimi të pafavorshëm. Deputetja Ganimete Musliu ka folur për “pasoja jashtëzakonisht të mëdha zinxhirore” që mund të prekin Kosovën dhe faktorët ndërkombëtarë. Deputeti Mërgim Lushtaku ka deklaruar se do të përdoren të gjitha mjetet juridike, por ka përmendur edhe mundësinë e lejimit të armatosjes së qytetarëve, duke e lidhur këtë me rrezikun e mundshëm nga Serbia.
Edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte paralajmëruar javë më parë për përshkallëzim të situatës. Në rast të një dënimi, ai kishte thënë se “do të digjet flakë” jo vetëm Kosova, por edhe pjesë të tjera të rajonit.
Publicisti Fadil Lepaja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien në atë që e konsideron kurth të Serbisë. Sipas tij, Beogradi synon të rikthejë skenarin e vitit 2004 dhe ta drejtojë shoqërinë kosovare kundër Perëndimit.
“Jam i bindur se qytetarët e Kosovës nuk do të bien në grackën e ngritur nga Serbia, duke u rebeluar dhe duke e djegur Kosovën në emër të mbrojtjes së UÇK-së. UÇK-ja mund të mbrohet vetëm duke mbrojtur Kosovën. Serbia nuk mund ta mashtrojë më askënd me përpjekjen për ta përsëritur vitin 2004, kur arriti t’i paraqiste kriminelët e luftës si viktima. Synimi i saj është t’i kthejë qytetarët e Kosovës kundër Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, ndërsa Perëndimin kundër Kosovës”, ka deklaruar Lepaja për “Bota sot”.
Ai ka shtuar se nxitja e protestave të dhunshme do të mund të përdorej për t’i vënë protestuesit përballë shumicës së qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sipas tij, çdo protestë duhet të jetë dinjitoze dhe të dëshmojë besimin në Perëndim dhe në drejtësi.
Lepaja ka theksuar se, pavarësisht rezultatit të procesit, pakënaqësia nuk duhet të drejtohet kundër vendit. “Ne shpresojmë dhe besojmë se verdikti i Gjykatës do të jetë shfajësues, rast në të cilin të gjithë do të festojmë së bashku, si ata që e votuan, ashtu edhe ata që nuk e votuan Gjykatën Speciale. Megjithatë, edhe nëse vendimi nuk është ai që dëshirojmë, zemërimi ynë nuk do të kthehet kundër Kosovës”, është shprehur publicisti.
Në përmbyllje, ai ka thënë se qytetarët duhet të ruajnë të sigurt drejtimin euroatlantik të vendit. “Ne nuk do ta djegim dhe as do ta destabilizojmë Kosovën. Përkundrazi, do ta kundërshtojmë çdo përpjekje të Serbisë për t’u kthyer në Kosovë apo për ta njollosur luftën tonë të drejtë për liri. Çlirimtarët luftuan që ky popull të jetojë në liri e demokraci, të ketë të sigurt rrugën euroatlantike dhe të zgjedhë vetë qeverisjen, duke respektuar mendimet e ndryshme dhe pakicat. Ky është zotimi, trashëgimia dhe rruga jonë e pandalshme”, ka përfunduar Lepaja.
Gjykata Speciale, e vendosur në Hagë, u themelua si pjesë e një mekanizmi të veçantë juridik për shqyrtimin e pretendimeve për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese dhe bazën ligjore që mundësuan krijimin e Dhomave të Specializuara. Ato funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës, ndërsa selinë e kanë në Hagë.
Veprimtaria e kësaj gjykate është shoqëruar me përplasje të forta politike dhe shoqërore në Kosovë. Përkrahësit e saj e shohin si një mekanizëm për trajtimin e pretendimeve individuale për krime, ndërsa kundërshtarët kanë shprehur shqetësime për mënyrën se si trajtohet UÇK-ja dhe për ndikimin e proceseve në perceptimin ndërkombëtar të luftës së Kosovës.
Në kontekstin e ri gjeopolitik, zgjerimi i BE-së nuk duhet të shihet vetëm si një projekt ekonomik, por edhe si…
Banorët e Divjakës vijojnë protestën në shesh kundër projektit të propozuar nga Partia Socialiste, duke deklaruar se do ta vazhdojnë…
Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka reaguar lidhur me debatin e krijuar rreth pagave të magjistratëve shqiptarë duke e…
NATO ka rikonfirmuar se angazhiimi për sigurinë në Kosovë mbetet “i palëkundur”, duke theksuar se misioni paqeruajtës i saj, KFOR…
Katër persona u plagosën të hënën në mëngjes në lagjen Brickell të Miamit, pasi një vinç në një kantier ndërtimi…
Po mbahet sot në 15 shtator protesta e 108 në kryeqytet kundër qeverisë. Sapo janë mbyllur edhe fjalimet e aktivistëve,…