Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të publicistit dhe shkrimtarit Ben Blushi për Kosovën, identitetin e saj dhe lidhjet me Shqipërinë.
None found
Në një postim në Facebook, Qorrolli ka hedhur poshtë pretendimin se Kosova po distancohet nga Shqipëria dhe se bashkimi me të përbën “e vetmja zgjidhje” për të ardhmen e saj.
Sipas tij, Kosova ka historinë, kujtesën, institucionet dhe përvojën e vet, ndërsa shoqëria kosovare vijon të përcaktojë në mënyrë të pavarur identitetin dhe orientimin e saj.
Qorrolli ka publikuar edhe reagimin e plotë ndaj Blushit:
“Blushi dhe Kosova që nuk lejon të përkufizohet prej tij!
Në debatin e fundit për Kosovën, Ben Blushi ka ngritur një tezë që duhet shqyrtuar seriozisht për shkak të përfundimeve ku çon. Sipas tij, Kosova po largohet nga Shqipëria, një prirje që po vërehet si në politikë, ashtu edhe në mënyrën se si shprehet identiteti i saj. Nga kjo gjendje, ai nxjerr përfundimin se po krijohet një “dëshpërim kombëtar” dhe se në fund rrezikohet edhe vetë ekzistenca e Kosovës. Për këtë arsye, bashkimi me Shqipërinë paraqitet prej tij si “e vetmja zgjidhje”.
Por Kosova ka një veçori që ua rrëzon parashikimet atyre që flasin në emër të saj: ajo është një realitet ekzistues.
Ajo ka historinë, kujtesën, qytetarët, institucionet, plagët, gabimet dhe konfliktet e veta. Mbi të gjitha, ka një shoqëri që, pavarësisht zhvillimeve pozitive apo negative, vazhdon të vendosë vetë se si e sheh dhe e përkufizon veten.
Qasja e Blushit ndaj Kosovës ngjan me përfytyrimin e një elitisti të lodhur, i cili, pasi është larguar nga zëri i njerëzve, pretendon të flasë edhe në emër të tyre. Nga një këndvështrim intelektual që ka humbur kontaktin me lagjen, rrugën, familjen dhe qytetarin e zakonshëm, ai shpall se Kosova po humb identitetin, shqiptarinë, shpresën dhe, përfundimisht, vetë ekzistencën.
Shqiptarit dardan të Kosovës nuk i duhet treguar se është shqiptar. Ai e ka ditur këtë edhe në kohën kur shqiptaria nuk shërbente si dekor në studiot televizive, siç e ke njohur ti, por kërkonte sakrifica dhe paguhej me një çmim. As Dardaninë, as Kosovën, as Shqipërinë dhe as historinë e vet nuk i ka mësuar nga shkrimet e dikujt tjetër, por nga familja, shtëpia, kujtesa dhe përvoja e jetës.
Kush të dha ty, Ben, të drejtën të vendosësh se kur një kosovar mbetet shqiptar dhe kur, sipas matësit tënd publicistik, kalon në “anti-Shqipëri”?
Kush të autorizoi të mbash çelësat e kasafortës ku, sipas teje, ruhet shqiptaria e kosovarëve? Kush të dha kompetencën të përcaktosh se kur një shqiptar është “pak shqiptar” apo “mjaftueshëm shqiptar”?
Kosova mund të ketë shtetin e saj, një përvojë të veçantë politike dhe një vetëdije të dallueshme shoqërore, pa humbur përkatësinë shqiptare. Njësoj si një njeri që ka emër, mbiemër dhe histori familjare, por nuk pushon së qeni vetvetja.
Për fat të mirë, Kosova është më e hershme se teoritë që ndërtohen për të dhe më këmbëngulëse se përfundimet e atyre që pretendojnë ta parashikojnë.
Blushi bën një gabim të rëndë, paradoksal dhe me pasoja të rrezikshme politike, sepse përpiqet ta shpjegojë një popull përmes kundërshtimit të tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai merr një përplasje politike me një individ dhe e përdor si bazë për të gjykuar identitetin, vetëdijen kombëtare dhe orientimin e një shoqërie të tërë.
Dobët, Ben, ashtu siç ndodh gjithmonë me këto dobësi sa herë që merresh me Kosovën!”
Ernest MuçiFitorja 2 – 0 e Shqipërisë përballë Bjellorusisë në Ligën e Kombeve vuri në dukje rendimentin e lartë të…
Ish-deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Azgan Haklaj, po mbahet nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bllatë, në…
Një grup pensionistësh janë mbledhur këtë të diel në shenjë proteste kundër reformës territoriale që parashikon bashkimin e bashkive Mat…
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në Torino, ku një fëmijë 5-vjeçar u përplas nga një…
Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Tiranë dhe në Rinas, në kuadër të operacionit “The Wanted”.…
Lautaro Martinez ishte i gatshëm të transferohej te Barcelona gjatë kësaj vere, nëse klubi katalanas do të arrinte një marrëveshje…