Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë interes, vullnet dhe gatishmëri për të arritur gjatë javës së ardhshme një marrëveshje mbi krijimin e institucioneve të reja të vendit.
None found
Bisedimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së pritet të vazhdojnë pasi u ndërprenë muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi të brendshëm partiak. Kryetari i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku, e kaloi këtë proces gjatë kësaj jave.
Të shtunën vonë, Kurti u pyet se kur do t’i rifillojë takimet me Abdixhikun, ndërsa po afrohet seanca konstituive e Kuvendit, e parashikuar për 6 gusht. Ai tha se këto ditë do të shfrytëzohen për t’u përgatitur sa më mirë për nisjen e seancës që duhet t’i konstituojë institucionet e legjislaturës së 11-të.
Pas një aktiviteti të partisë së tij në Prishtinë, të organizuar për mikpritjen e mërgimtarëve, Kurti i tha Ekonomia Online se rezultati ende nuk mund të parashikohet, por përpjekjet nuk do të mungojnë. Sipas tij, ekzistojnë interesimi, vullneti dhe gatishmëria, ndërsa gjithçka do të bëhet e qartë javën e ardhshme.
Po të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se në kuvendin partiak të mbajtur të enjten ishte arritur pajtim që LDK-ja të bashkëpunojë me partinë në pushtet për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përpara një marrëveshjeje të mundshme me LVV-në, LDK-ja ka përcaktuar disa parime. Ato përfshijnë një marrëveshje për të gjitha institucionet – Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën – ose për asnjërin prej tyre, si dhe agjendën shtetërore, politikat sektoriale, programet qeverisëse, interesin e vendit dhe shpërndarjen e përgjegjësive.
Haziri tha për REL-in se këto tri parime e bashkojnë Grupin Parlamentar të LDK-së dhe se Kuvendi i partisë ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Sipas tij, mënyra se si do të përfundojë kjo kërkesë tashmë varet nga negociatat me LVV-në.
Kurti, subjekti politik i të cilit doli fitues në zgjedhjet e 7 qershorit, duhet të arrijë marrëveshje me opozitën për të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri dhe për t’i dhënë fund krizës së zgjatur politike dhe institucionale.
LVV-ja siguroi 53 mandate. Duke llogaritur edhe bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe, të cilat kanë 10 ulëse, pritet që ai t’i ketë së paku 61 votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, që votimi për presidentin e Kosovës të konsiderohet i vlefshëm, në Kuvendin prej 120 deputetësh duhet të jenë të pranishëm 80 ligjvënës.
Nëse arrihet marrëveshje me LDK-në, e cila fitoi 18 vende, numri i votave do të shkonte në të paktën 81. Kjo do të mjaftonte për zgjedhjen e presidentit të ri, me kusht që së paku 80 deputetë të qëndrojnë në sallë.
Për këtë arsye, çështja e presidentit pritet të zërë vendin kryesor në diskutimet ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut.
A do të ishte e mjaftueshme një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së?
Njohësit e skenës politike vlerësojnë se zhvillimet e fundit brenda LDK-së, së bashku me qëndrimet e përgjithshme të partive politike, nuk ofrojnë shenja të sigurta dhe premtuese për krijimin e institucioneve të reja.
Sipas tyre, diferenca e vogël ndërmjet votave pro dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut si kryetar dëshmon sërish se brenda LDK-së ka ndarje të thella mes dy kampeve.
Rrahman Paçarizi, analist dhe profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se situata nuk qartësohet nga deklarata e Hazirit, sipas së cilës LDK-ja do të synojë marrëveshje me LVV-në nëse kjo e fundit i respekton parimet e shpallura.
Sipas Paçarizit, kjo deklaratë shërben më shumë për të ndërtuar narrativën se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të shihet si penguese e formimit të institucioneve.
Ai vlerëson se ka pak mundësi që kryetari i LDK-së dhe kampi i pakënaqur me të brenda partisë të gjejnë një formulë që do të krijonte një qëndrim të përbashkët të të 18 deputetëve për një marrëveshje të mundshme me LVV-në.
Edhe analisti Artan Muhaxhiri tha se përplasjet e brendshme në LDK, pavarësisht se Abdixhikut iu rikonfirmua mandati në drejtimin e partisë, tregojnë se një marrëveshje me LVV-në nuk do ta siguronte mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të këtij subjekti në Kuvend.
Muhaxhiri theksoi se Abdixhikut, së paku, i mungon përkrahja e gjashtë ose shtatë deputetëve krahasuar me numrin e përgjithshëm. Sipas tij, detyra e vetme e kreut të LDK-së është ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe figurave shumë të rëndësishme të partisë, të cilat kundërshtojnë mënyrën e tij të udhëheqjes.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga konstituimi i Kuvendit, organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi duhet të mbajë zgjedhje të reja.
Nëse Kosova do të shkonte përsëri në zgjedhje, ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që prej fillimit të vitit 2025. / REL
Gjashtë persona janë ndaluar, ndërsa një tjetër është ftuar në bisedë zyrtare pas të shtënave me armë gjatë një ahengu…
Tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, pas një sulmi…
Media australiane “ABC Australia” i ka kushtuar një artikull të gjerë situatës në Shqipëri, duke u ndalur te protestat e…
Vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit Ilir Kolaveri, i cili dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në minierën e kromit…
Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Ozgan Ulutash ka thënë se siguria në Kosovë është e qetë, dhe se pas…
Edicioni i ri i Superligës së Kosovës pritet të sjellë një ndryshim të madh në aspektin infrastrukturor, pasi disa stadiume…