Albin Kurti, drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, kanë zhvilluar ditë më parë një diskutim lidhur me kriteret dhe profilin e presidentit të ri të Kosovës. Të dy liderët kanë shprehur gatishmëri për të kërkuar një zgjidhje të përbashkët.
None found
Ky takim ka rikthyer në skenë mundësinë e një marrëveshjeje politike ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, në një periudhë kur vendi ndodhet përballë një ngërçi institucional dhe ka nevojë për një zgjidhje që do të mundësonte funksionimin normal të institucioneve.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse bisedimet do të prodhojnë një marrëveshje konkrete. Diskutimi për kriteret e presidentit mund të jetë vetëm një procedurë fillestare, por mund të shërbejë edhe si pikënisje për një bashkëpunim më të gjerë politik dhe për tejkalimin e krizës.
Për këtë zhvillim, “Bota sot” ka marrë opinionet e publicistit Lis Bukuroca dhe opinionistit Skënder Kapiti.
Bukuroca: Nuk pres marrëveshje, opozita nuk është e pavarur në vendimmarrje
Publicisti Lis Bukuroca nuk beson se dialogu Kurti-Abdixhiku do të përfundojë me një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri. Ai thotë se Kosova ka nevojë për një president dhe se në vend ekzistojnë dhjetëra persona të aftë për ta ushtruar këtë detyrë me dinjitet, por mënyra se si opozita po zhvillon negociatat nuk i jep atij arsye për optimizëm.
“Nuk besoj se do të arrihet një zgjidhje. Të gjithë e dinë se Kosova ka nevojë për një kryetar dhe ka dhjetëra kandidatë që mund ta kryejnë me dinjitet këtë funksion. Por partitë opozitare duket se po përdorin intimidimin për të marrë në negociata atë që nuk e fituan në zgjedhje. Problemi kryesor është se tre liderët e opozitës nuk veprojnë me autonomi të plotë politike. Ata ndjekin një skenar më të gjerë dhe mbajnë qëndrime që nuk burojnë vetëm nga vullneti i tyre”, ka deklaruar Bukuroca për “Bota sot”.
Sipas tij, edhe nëse Abdixhiku arrin një dakordim, nuk ka siguri se do të marrë mbështetjen e të gjithë opozitës. Bukuroca shton se edhe subjektet e tjera opozitare po paraqesin kërkesa që e bëjnë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.
“Abdixhiku po shtiret. Edhe sikur të pajtohet, nuk dihet nëse të gjithë do t’i bashkohen. E njëjta situatë vlen për Hamzën dhe partinë e Haradinajt, e cila po vendos kushte sikur të ishte forca më e madhe politike në vend. Kriteret për zgjedhjen e kryetarit janë aq të çuditshme, sa duket sikur nuk po përcaktohet një funksion kushtetues, por po kërkohet një figurë që duhet të shpëtojë botën”, është shprehur ai.
Bukuroca e ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si opozita po përballet me Kurtin. Sipas tij, kjo nuk është thjesht një përplasje e zakonshme mes forcave politike, por një konflikt ndërmjet dy modeleve të ndryshme për shtetin dhe politikën.
Ai e përshkruan opozitën si të degraduar dhe thotë se ajo nuk ka treguar guxim për t’u distancuar qartë nga disa politika të së kaluarës që, sipas tij, e kanë dëmtuar shtetin. Bukuroca vlerëson se kundërshtimi ndaj Kurtit është i përbashkët dhe sistematik, pasi Kurti përfaqëson një model tjetër shteti, ndërsa opozita një model të vjetër që nuk arriti të ndërtonte një shtet funksional, por një “tallava-shtet”.
Publicisti pretendon se opozita po i zvogëlon veprimet e Qeverisë Kurti, veçanërisht ato që lidhen me veriun dhe sigurinë e Kosovës. Ai përmend integrimin e veriut, vendosjen e kontrollit institucional në atë pjesë të vendit, përballjen me grupin terrorist dhe arrestimin e disa udbashëve.
“Opozitarët shpesh deklarojnë se Kurti nuk ka bërë asgjë ose se është marrë vetëm me urën. Në këtë mënyrë, ata po injorojnë integrimin e veriut, kontrollin institucional në atë territor, përballjen me grupin terrorist dhe arrestimin e disa udbashëve. Sidoqoftë, është mirë që vazhdojnë në këtë rrugë, sepse në dhjetor votuesi do t’u japë përgjigjen përfundimtare”, ka theksuar Bukuroca.
Në përfundim, ai e sheh problemin kryesor te mënyra se si opozita po e kryen funksionin e saj politik dhe te mungesa e një qëndrimi të pavarur në raport me interesat e Kosovës.
“Këta njerëz nuk po i përfaqësojnë siç duhet interesat politike të Kosovës. Ata po luajnë një rol dhe po shfaqen si figurantë në një teatër politik. Meqë nuk janë në gjendje të marrin vendime vetë, sjellja e tyre është njëherazi qesharake dhe tragjike”, ka përfunduar publicisti.
Kapiti: LDK-ja po testohet dhe duhet të vendosë interesin kombëtar përpara
Opinionisti Skënder Kapiti e konsideron situatën një provë të rëndësishme për LDK-në dhe drejtimin politik të Kosovës. Për të, çështja e presidentit nuk është vetëm një procedurë institucionale, por një matës i seriozitetit të partive, veçanërisht i LDK-së.
“Sot po vihet në provë politika shqiptare në Kosovë, por mbi të gjitha serioziteti i politikës së LDK-së. Pyetja është nëse ajo vepron në interes të kombit, shtetit dhe PAVARËSISË SË KOSOVËS, apo nëse kemi të bëjmë me një politikë matrapazësh, djalëzore, manipuluese, mashtruese dhe hipokrite”, ka deklaruar Kapiti për “Bota sot”.
Ai vlerëson se një bashkëpunim i LDK-së me LVV-në, nëse do të ndihmonte në tejkalimin e krizës dhe stabilizimin e Kosovës, do të ishte në interes edhe të vetë LDK-së. Sipas Kapitit, në këtë rast kontributi për zgjidhjen e krizës do t’i atribuohej më shumë LDK-së sesa LVV-së dhe mund të shënonte nisjen e ringritjes politike të saj.
“Nëse LDK-ja tejkalon interesin e ngushtë partiak dhe ndihmon në stabilizimin e Kosovës, duke krijuar koalicion me LVV-në, kjo do të ishte fillimisht në të mirë të saj. Asaj do t’i njihej një rol më i madh se LVV-së në zgjidhjen e krizës. Nëse sot ajo kontribuon për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit e të demokracisë, kjo do të ishte pikënisja e ringritjes politike të LDK-së”, ka thënë Kapiti.
Opinionisti e sheh kompromisin si një veprim në shërbim të interesit të përgjithshëm dhe jo si humbje për një parti që heq dorë nga një pjesë e kërkesave të saj.
“Është fisnike dhe patriotike që një parti të sakrifikojë diçka nga vetja për të mirën dhe interesin kombëtar. Këtë duhet ta bëjë sot LDK-ja”, ka përfunduar Kapiti për “Bota sot”.
Ende nuk dihet nëse takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut do të çojë në një marrëveshje konkrete. Megjithatë, nisja e diskutimeve për kriteret dhe profilin e presidentit të ardhshëm ka krijuar një mundësi të re për dialog politik mes dy partive.
Vite përpara se të bëhej një ndihmëse e afërt e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Natalie Harp shfaqte publikisht…
Shqipëria po përgatitet të ndryshojë për herë të dytë, brenda pak më shumë se një dekade, hartën e qeverisjes vendore.…
Mëngjesin e sotëm23 gusht 2023, një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare, janë gjetur të pajetë në hyrje të…
Sot shënohet dita e 85-të e revoltës, ku qytetarë të shumtë si çdo natë pritet të protestojnë për të kërkuar…
Ditët e fundit të gushtit, kanë sjellë një fluks të lartë automjetesh nga Kosova drejt Shqipërisë, teksa qindra mjete po…
Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 78.6 lekë, në shitje me 79.8 lekë. Euro, do…