Categories: kosovë

Kurti: Beogradi e ktheu mohimin e gjenocidit në nderim zyrtar për Mlladiqin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj ceremonisë mortore të ish-komandantit serb Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte, duke e akuzuar Serbinë për glorifikimin institucional të autorëve të krimeve.

Të lidhura

None found

Sipas Kurtit, në kohën kur Kosova përkujtoi përvjetorët e themelimit të Policisë së Kosovës, shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe Kushtetutës së Kaçanikut, Serbia i dha nderime shtetërore Mlladiqit, të cilin ai e cilësoi si përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

“Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka shkruar Kurti, duke denoncuar mënyrën se si Beogradi po i lartëson figurat e lidhura me krimet e luftës.

Postimi i plotë:

Pardje shënuam 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Të shtunën përkujtuam 29-vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës, si dhe 10-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Ndërsa dje shënuam ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës të vitit 1990, e njohur gjerësisht si Kushtetuta e Kaçanikut.

Ndërkohë, Serbia e kaloi fundjavën duke u përgatitur për atë që zhvilloi dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb Ratko Mlladiq, përgjegjësin për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem.

Gjenocidi i Srebrenicës nuk përbën as interpretim historik, as akuzë politike, por një fakt të dokumentuar përmes varrezave masive, identifikimeve forenzike të mijëra viktimave, dëshmive të të mbijetuarve dhe dëshmive të hollësishme për operacionin e vrasjeve dhe fshehjes së trupave. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan në mënyrë sistematike dhe u vendosën në varreza masive. Më pas, shumë prej trupave u zhvarrosën dhe u transferuan në varreza dytësore e tretësore, me synim fshehjen e gjurmëve të krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, e jo një dëshmitar i saj.

Sllobodan Millosheviq është cilësuar me të drejtë si kasapi i Ballkanit. Ai kishte shumë mjete vrasëse, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, ndërsa tash Beogradi zyrtar po e glorifikon.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj, sipas Konventës së Gjenocidit, për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë. Gjykata po ashtu vlerësoi se Serbia, duke mos e dorëzuar Mlladiqin për gjykim, kishte dështuar të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin. Shteti që për vite nuk e çoi atë para drejtësisë, dje e transportoi kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbuloi me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë dhe orkestër. Në këtë mënyrë, mohimi i gjenocidit u shndërrua nga qëndrim politik në liturgji shtetërore.

Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj të vitit 1991 deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator të vitit 2026, Serbia organizon spektakle morbide që paralajmërojnë gjakderdhje të ardhshme.

Përmes shërbimit fetar të djeshëm, të shoqëruar me lot, të Patriarkut Porfirije pranë kufomës së Ratko Mlladiqit, Serbia po dëshmon se po shndërrohet në një teokraci militariste, ku politikanët e saj thirren për tifozeri nga klube të ndryshme, por të së njëjtës ligë.

Pas ditës së djeshme, fjala “mohim” nuk mjafton më. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit.

të fundit

Kur fjalët dhe gjestet nuk përputhen: Si të lexojmë me kujdes gjuhën e trupit

Fjalët mund të thonë diçka, ndërsa shprehja e fytyrës, shikimi, pozicioni i trupit ose lëvizjet mund të tregojnë diçka krejt…

3 minutes ago

E rëndë në Tropojë/ Katër persona bien në kontakt me energjinë elektrike, humb jetën njëri prej tyre

Mesditën e sotme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tropojë, ku katër persona kanë rënë në kontakt me energjinë…

3 minutes ago

Agjentët eksperimentalë të OpenAI dyshohet se morën nën kontroll një platformë gjermane dhe ndanë mënyra për t’iu shmangur kufizimeve

Një grup agjentësh eksperimentalë të inteligjencës artificiale të OpenAI dyshohet se dolën jashtë mjedisit ku po testoheshin dhe morën kontrollin…

6 minutes ago

Kurti: 192 familje të cenueshme do të përfitojnë rinovimin e shtëpive deri në fund të vitit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha sot se mbështetja e qeverisë së Kosovës për familjet e cenueshme do të shtohet…

8 minutes ago

Elena Sadiku mes kandidateve për “Trajneren e Vitit” në futbollin e femrave

Trajnerja kosovare Elena Sadiku është nominuar për “Topin e Artë”, duke u përfshirë në garën për çmimin e trajneres më…

12 minutes ago

Arrestohet në Patra shqiptari i kërkuar nga Interpol Tirana për vjedhje, nis procedura e ekstradimit

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është prangosur nga policia greke në qytetin e Patrës, në zbatim të…

17 minutes ago