Categories: kosovë

Kosova përkujton viktimat e Srebrenicës: Pa të vërtetën s’ka as drejtësi, as paqe

Me thirrje për mbrojtjen e së vërtetës historike, kërkesë për drejtësi për viktimat dhe refuzim të mohimit të krimeve, u shënua Dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, e cila nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është shpallur ditë përkujtimore për viktimat e gjenocidit të vitit 1995.

Të lidhura

None found

Për nder të viktimave të gjenocidit, për të afirmuar të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe për të përcjellë një mesazh paqeje, ceremonia u organizua nga ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilja Rexhepi. Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar shtatëminutësh i kushtuar masakrës së Srebrenicës.

Rexhepi e cilësoi këtë masakër si simbol të njërit prej krimeve më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se gjenocidi nuk mund të relativizohet dhe as të lihet në harresë.

“Srebrenica nuk është thjesht një vend në hartën e Bosnjë dhe Hercegovinës. Srebrenica është emri i turpit më të madh të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Është vendi ku njeriu vrau njeriun, vetëm sepse ishte i një besimi tjetër. Vetëm sepse quhej ndryshe. Vetëm sepse i lutej një Zoti tjetër, siç dinë ta thonë ata. Është vendi ku fëmijët mbetën pa etër, gratë pa burra, nënat pa bij, ndërsa e gjithë bota vështronte dhe shikonte në heshtje teksa vriteshin mijëra e mijëra njerëz. Dhe zotërinj, kjo nuk është thjesht një tragjedi, as ndonjë gabim, e as, siç di dikush të thotë, ndonjë rastësi fatkeqe. Ky ishte gjenocid i kryer nga fqinjët e tyre serbë. I planifikuar, i organizuar dhe i zbatuar në mënyrë sistematike, i konfirmuar nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare“, tha Rexhepi.

Ajo theksoi më tej se edhe tri dekada pas këtij krimi, mohimi i gjenocidit vazhdon, duke nënvizuar se heshtja përballë kësaj tragjedie nuk është e pranueshme.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se Kosova është pranë Bosnjë e Hercegovinës dhe familjeve të viktimave, duke theksuar se e vërteta është kusht si për drejtësinë, ashtu edhe për paqen.

“E mbështesim këtë të drejtën e tyre për drejtësi, për kujtesë dhe për një të ardhme në cilën viktimat e familjet e tyre nuk detyrohen ta dëshmojnë pafundësisht krimin, humbjen dhe të vërtetën që gjykatat tashmë e kanë vërtetuar. Pa të vërtetën nuk mund të ketë as drejtësi, por as paqe. Drejtësia ndërkombëtare për krimet e kryera në Srebrenicë ka dënuar tetëdhjetë persona. Ajo që mbetet të gjykohet sot është gatishmëria e shoqërive dhe e institucioneve për t’u shkëputur nga trashëgimia e krimit. Kur kriminelët e dënuar paraqiten si heronj nuk shtrembërohet vetëm e kaluara. U dërgohet brezave të rinj mesazhi se krimi mund të arsyetohet, se viktima mund të harrohet dhe se përgjegjësia mund të kthehet në krenari. Kjo është e papranueshme për çdo shoqëri që synon paqen, por edhe demokracinë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat e gjenocidit”, tha Haxhiu.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përcolli mesazhin se mohimi i gjenocidit nuk dëmton vetëm të shkuarën, por vë në rrezik edhe të ardhmen.

“Mohimi i largon autorët nga përgjegjësia, i detyron viktimat të vërtetojnë pafundësisht dhimbjen e tyre dhe e paraqet drejtësinë si një pengesë për stabilitetin. Në realitet, stabiliteti rrezikohet pikërisht atëherë kur shoqëritë nuk distancohen nga ata që kanë vrarë në emër të tyre. Përgjegjësia e Serbisë ndaj Srebrenicës nuk mund të mbyllët me heshtje e as të zëvendësohet me një gjuhë të përgjithshme për pajtimin. Gjenocidi nuk ishte një shmangie e rastësishme nga rrjedha e historisë, por pasojë e një politike që nacionalizmin e shndërroi në projekt, propagandën në përgatitje të dhunës, ndërsa aparatin shtetëror në instrument të pastrimit etnik”, tha Kurti.

Në ceremoni mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, Xhemal Smajiq.

Sipas tij, përkujtimi i gjenocidit të Srebrenicës dëshmon se rreziku mbetet i pranishëm sa herë që krimet mohohen dhe ideologjitë e urrejtjes e përçarjes nuk ndalen.

“Obligimi ynë nuk është vetëm t’i kujtojmë viktimat, por edhe të ndërtojmë një shoqëri në të cilën një e keqe e tillë nuk do të përsëritet kurrë më. Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ndajnë përvojën e luftës për paqe, liri dhe siguri të qytetarëve të tyre. Dy vendet tona janë të lidhura me lidhje njerëzore, historike dhe politike, por mbi të gjitha me mirëkuptimin se sa e rëndësishme është të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe vlerat demokratike“, tha Smajiq.

Nga ana tjetër, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se rezolutat e propozuara prej vitesh në Kuvendin e Serbisë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë nuk janë lejuar as të hidhen në diskutim.

“Edhe sot, 34 vjet më vonë, Serbia nuk ka bërë shkëputjen e domosdoshme nga kjo politikë. Mohimi i gjenocidit, relativizimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit publik dhe politik në Serbi. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi ndaj viktimave, është pengesë serioze për pajtimin, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit. Për këtë arsye, prej vitesh, bashkë me deputetët e SDA-së së Sanxhakut, në Parlamentin e Serbisë kam propozuar një rezolutë për dënimin e krimit dhe gjenocidit në Srebrenicë. Asnjëherë nuk është lejuar diskutimi. Por refuzimi i debatit nuk e ndryshon të vërtetën. Gjenocidi mbetet gjenocid, e vërteta nuk mund të mohohet nga heshtja”, deklaroi Kamberi.

Gjenocidi i Srebrenicës, i kryer në korrik të vitit 1995, është njohur si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare. Mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa 11 korriku tashmë shënohet ndërkombëtarisht si ditë përkujtimore për viktimat e këtij krimi.

të fundit

Të zgjohesh herët, a ju bën vërtetë më produktiv?

Nëse këtë mëngjes jeni ngritur nga shtrati vetëm pasi keni shtypur disa herë butonin për shtyrjen e alarmit në telefon…

20 minutes ago

Lamine Yamal para duelit me Francën: Ata duhet të shqetësohen, jo ne

Lamine Yamal ka dërguar një mesazh të fortë para gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Francës, duke deklaruar se…

41 minutes ago

VIDEO/ Russia attacks Kyiv with missiles, at least six injured

Një sulm me raketa ruse goditi Kievin në orët e para të mëngjesit, duke lënë të paktën gjashtë persona të…

43 minutes ago

Fires in Spain/ 12 dead and many missing, what caused the massive flames ‘devouring’ the country

Zjarri shpërtheu të enjten pasdite në komunën Los Gallardos, në provincën Almería, rreth 300 kilometra në verilindje të Málagës. Disa…

43 minutes ago

Trump warns Iran: “If you try to kill me, 1,000 missiles are ready”; ultimatum to Tehran until tonight over the Strait of Hormuz

Donald Trump ka bërë kërcënime të reja ndaj Iranit, duke paralajmëruar Teheranin se ka urdhëruar lëshimin e 1,000 raketave kundër…

43 minutes ago

Kanye Wast concert in Tirana today / Traffic restrictions, here are the roads that will be blocked

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka njoftuar se, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, që do të zhvillohet sot në…

43 minutes ago