Categories: kosovë

Kosova kërkon nga BE-ja reagim më të ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për “spastrim etnik”

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që Bashkimi Evropian të shkojë përtej reagimit fillestar, të cilin e vlerëson si të “kufizuar dhe të vonuar”, në dënimin e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë.

Të lidhura

None found

Ministrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale deklaroi fundjavën e kaluar për televizionin serb Kurir se, nëse do të kishte qenë në pozitën e ish-liderit serb Sllobodan Millosheviq gjatë vitit 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Pas kësaj deklarate pati reagime të shumta. Kosova ka ngritur tashmë padi kundër Paunoviqit dhe i ka ndaluar përgjithmonë hyrjen në territorin e saj.

Të shtunën, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas. Përmes saj, ai ka kërkuar një përgjigje më të fortë nga blloku evropian, ku synojnë anëtarësimin si Kosova, ashtu edhe Serbia.

Në letrën e datës 16 korrik, Qeveria e Kosovës i kërkon BE-së “që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”.

Bashkimi Evropian e ka dënuar tashmë deklaratën e Paunoviqit. Të enjten, komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e përsëriti këtë qëndrim dhe tha se e kishte befasuar fakti që ajo vijon të jetë ministre në Qeverinë serbe.

“Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, u shpreh Kos të enjten.

Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se fjalët e Paunoviqit “nuk pasqyrojnë vullnetin tim, e as të Qeverisë së Serbisë”. Ai shtoi se “politika e shtetit serb është dialogu, e jo kurrë spastrimi etnik”.

Paunoviq, e cila është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit, nuk i ka tërhequr deklaratat. Megjithatë, më 16 korrik ajo tha se fjalët e saj “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe u kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ato shkaktuan.

Në të njëjtën kohë, Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të enjten se 53 deputetë të opozitës i kanë paraqitur kryeministrit serb, Gjuro Macut, kërkesë për shkarkimin e Paunoviqit.

Deputetët i kërkuan Macutit që “pa asnjë vonesë” t’ia propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e saj.

Mbetet e paqartë nëse kryeministri Macut do të paraqesë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.

Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia i thanë Radios Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit përbën pjesë të një modeli të politikës serbe ndaj Kosovës. Sipas tyre, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të kufizohet te reagimet, por duhet të ndërmarrë masa konkrete ndaj Serbisë.

Fjalët e saj rikthejnë plagë të vjetra në Kosovë, ku gjatë luftës së viteve 1998-1999 u dëbuan qindra mijëra civilë shqiptarë.

Në atë luftë humbën jetën mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra persona të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.500 persona, shumica prej tyre shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i vlerësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, e cila synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova më 1999.

Sipas aktgjykimeve, synimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Sllobodan Millosheviq, i akuzuari kryesor, vdiq në paraburgim përpara përfundimit të procesit gjyqësor, ndërsa Millan Millutinoviq, ish-president i Serbisë, u shpall i pafajshëm.

të fundit

Pozherani i dha lamtumirën e fundit Egzon dhe Nafije Bogujevcit

Familjarë dhe qytetarë të shumtë u kanë dhënë sot lamtumirën e fundit Egzon dhe Nafije Bogujevcit në ceremoninë mortore në…

7 minutes ago

Gjykata zbardh dinamikën e ngjarjes në Livoç: fillimisht qëlloi bashkëshorten në veturë

Një muaj paraburgim i është caktuar V.R, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe për…

7 minutes ago

Flamingot gjetën strehë në tualetet e një kopshti zoologjik në Florida, ndërsa uragani Isaias shkaktoi viktima dhe dëme të mëdha

Një pamje e pazakontë është regjistruar në Florida të Shteteve të Bashkuara, ku një tufë flamingosh u strehuan në tualetet…

11 minutes ago

Flamingot gjejnë strehë në tualetet e kopshtit zoologjik në Florida, ndërsa uragani Isaias shkakton viktima dhe dëme të mëdha

Një pamje e pazakontë është regjistruar në Florida të Shteteve të Bashkuara, ku një tufë flamingosh u strehuan në tualetet…

14 minutes ago

Përplasja e autobusit turistik me kamionin në Turqi lë 11 të vdekur dhe 27 të plagosur

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor në…

14 minutes ago

PLD: Crisis in the justice system, 18 inefficient courts and more than 134,000 unresolved cases

Partia Liberal-Demokratike (PLD) ka reaguar për gjendjen në sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se ai përballet…

16 minutes ago