Kosova u përfaqësua për herë të parë në cilësinë e Anëtares Kandidate për Zgjerim (Enlargement Candidate Member) në sesionin plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE). Pjesëmarrja u zhvillua të enjten, gjatë tryezës së nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të BE-së, në ndërtesën Charlemagne të Komisionit Evropian.
None found
Seancën hapëse e adresuan presidenti i KESE-së, Seamus Boland, dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila mbajti fjalimin kryesor. Fjalën përmbyllëse e mbajti Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Zgjerim (DG ENEST) të Komisionit Evropian.
Komisionerja Kos tha në fjalën e saj se procesi i zgjerimit të BE-së shkon përtej reformave teknike, pasi përbën një transformim shoqëror që fuqizon demokracinë, institucionet dhe të drejtat themelore. Ajo vuri në pah rëndësinë e pazëvendësueshme të shoqërisë civile për transparencën dhe llogaridhënien, duke rikujtuar se Bashkimi Evropian u krijua mbi synimin e përbashkët për një Evropë me paqe, bashkëpunim dhe vlera demokratike, ku luftërat e së shkuarës të mos përsëriten.
Në diskutimin plenar me temën “Përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike me BE-në për të nxitur rritjen dhe konkurrencën evropiane”, Kosovën e përfaqësoi Dren Puka, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Puka shprehu falënderimin për KESE-në lidhur me rishikimin e vendimit fillestar, përmes të cilit Kosova ishte lënë jashtë Nismës për Anëtarë Kandidatë për Zgjerim.
Sipas tij, rezultati i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor varet nga përfshirja e qytetarëve dhe e shoqërisë civile në reformat përkatëse. Ai përmendi protestat mjedisore në Shqipëri si ilustrim të pasojave që mund të sjellë zbatimi i reformave pa pjesëmarrje dhe pa pronësi qytetare.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për shtimin e trysnisë politike dhe financiare mbi shoqërinë civile në Ballkan. Puka tha se pas tërheqjes së USAID-it, financimi për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor ka humbur mbi 120 milionë euro, ndërsa rreth 26 milionë euro prej kësaj shume i përkasin Kosovës.
Në kuadër të negociatave për Kornizën e re Financiare Shumëvjeçare (MFF), ai u kërkoi institucioneve të BE-së që mbështetjen financiare për shoqërinë civile të pavarur në vendet e zgjerimit ta vendosin në prioritet, duke e trajtuar atë si investim strategjik për qëndrueshmërinë demokratike dhe konsolidimin e Evropës.
Vëmendjen më të madhe të të pranishmëve e mori reagimi i Pukës ndaj deklaratës së bërë këtë javë nga Snezhana Paunoviq, Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë. Në një intervistë televizive, ajo kishte thënë se, po të ishte Sllobodan Millosheviq, Kosovën do ta kishte “pastruar etnikisht” në vitin 1998.
Puka e përshkroi këtë deklaratë si “kujtesë se çfarë bën pushteti i cili nuk ndjen pikë përgjegjësie e llogaridhënie, dhe kur askush nuk e sfidon”. Ai theksoi se retorika e luftës vazhdon të jetë e pranishme në rajon dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të qëndrojë i heshtur përballë saj.
Ai ndërlidhi këtë çështje drejtpërdrejt me fjalimin kryesor të Komisioneres Kos, e cila e kishte paraqitur paqen si vlerën bazë të Bashkimit Evropian. “Sapo të jemi bashkë në Bashkimin Evropian, ne nuk bëjmë më luftë”, tha ajo, duke u bërë thirrje 27 shteteve anëtare ta përkrahin zgjerimin si një investim në paqen, lirinë dhe prosperitetin e përbashkët të kontinentit.
“Konvergjenca me BE-në ka të bëjë më shumë me përqafimin e vlerave evropiane sesa me çdo gjë tjetër”, tha më tej Puka. Ai shtoi se vetëm veprimet konkrete të BE-së mund ta shndërrojnë thënien e Komisioneres Kos, “kurrë më luftë”, në një premtim për të ardhmen dhe jo vetëm në kujtim të së kaluarës.
Krahas Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në këtë seancë plenare nga Kosova morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe Platformës Civikos.
Gjermania dhe Franca dhanë në Këln një sinjal të qartë bashkimi në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Mesazhi u përcoll…
Një lëkundje e fuqishme sizmike me magnitudë 7.4 të shkallës Rihter u regjistrua të premten pranë Puerto Madero, në shtetin…
Qeveria në detyrë e Kosovës mbajti mbledhje online, në të cilën u morën disa vendime. U vendos për dhënien në…
FIFA po shqyrton mundësinë e marrjes së masave disiplinore ndaj Argjentinës, pasi disa lojtarë të saj shfaqën një pankartë me…
Ambasadori i Kosovës në Gjermani Faruk Ajeti bëri të ditur se falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm…
Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video me tone ironike, përmes…